Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama paraqiti sot planin financiar me 7 pika me një fond total prej 300 milionë dollarë. Ekspertët e ekonomisë, duke folur për Euronews Albania janë të ndarë në qëndrimet e tyre, por bien dakord se ky është një plan afatshkurtër dhe çdo gjë do të varet se çfarë rrjedhe do të marrë pandemia e COVID-19.
Dritan Shano shpreh rezerva sa i takon mbështetjes së popullsisë rurale, e cila është e vetëpunësuar dhe e shikon të paarsyeshme mos prekjen e Prokurimeve Publike Private.
“Ka një pjesë të madhe të popullsisë, që është ajo rurale që nuk përfiton asgjë. Shumica e shqiptarëve, rreth 90%, nuk kanë asnjë rezervë për nesër. Në këtë fazë koncesionet nuk preket, ka një këmbëngulje shumë të fortë nga ana e Kryeministrit për të mos i prekur”, tha ai.
Ndërsa për Elton Haxhi, ish-zv. ministër i Financave deklaroi se plani financiar është ezaurues sepse mbështet të gjitha palët e prekura.
Nga ana tjetër, Besart Kadia, drejtor i Institutit të Sipërmarrjes Shqiptare, e cilësoi planin si realist dhe të një vendi të varfër.
“Një plan i duhur që i jep sipërmarrjes një minimum shprese, pastaj se si do të zbatohet mbetet për t’u parë”, deklaroi z. Kadia.
Dritan Shano, deklaroi se masat i japin një frymëmarrje ekonomisë por shprehur shqetësim për tenderat që vijojnë të sjellin shpenzime të mëdha për buxhetin e shtetit.
“Mendoj se do të jetë rishikime të tjera të buxhetit. Ka një buletin të prokurimeve publike këto tre muaj shumë shpenzues, kur dihej situata dhe nuk mund të vijohej me këto tendera”, u shpreh z. Shano duke bërë thirrje që të hiqet dorë nga prokurimet dhe PPP.
Kurse ish-zv. ministri i Financave, z. Haxhi deklaroi se plani parashikon më shumë se 10% të të ardhurave vjetore. Ai deklaroi se garancia sovrane është për të lehtësuar procedurat e marrjes së kredisë nga bizneset. Plani sipas tij do të jetë të paktën për një muaj.
Për z. Kadia kjo paketë është një sinjal për sipërmarrësit dhe shoqërinë se kjo situatë do të vijojë gjatë. Më me ndikim, tha ai do të jetë ndikimi në turizëm. “Po kthehemi në një ekonomi të mbyllur, jo për fajin tonë”, u shpreh z. Kadia.
Për z. Shano një pjesë e propozimeve të PD janë reflektuar në këto masa por sipas tij qeveria nuk ka bërë sa duhet. Ndërsa për z. Haxhi plani i qeverisë i ka kaluar në shifra propozimet e opozitës.