Polonia kërkoi aktivizimin e tij nga NATO, çfarë është neni 4 i aleancës ushtarake
Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se ushtria e vendit regjistroi 19 ndërhyrje me dronë gjatë natës në hapësirën ajrore polake, ndërsa tre ose katër prej tyre u rrëzuan nga avionë polakë dhe të NATO-s.
Duke folur para parlamentit, Tusk tha se një numër i konsiderueshëm dronësh kishin hyrë nga Bjellorusia, ndërsa droni i fundit u neutralizua në orën 06:45 sipas orës lokale. Ai e cilësoi incidentin si “provokimin më të rrezikshëm ndaj Polonisë deri më sot”.
Polonia ka kërkuar aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të NATO-s, i cili parashikon konsultime të aleatëve kur kërcënohet siguria, integriteti territorial apo pavarësia politike e një vendi anëtar. “Presim mbështetje më të madhe gjatë këtyre konsultimeve”, theksoi Tusk, duke shtuar:
“Kjo nuk është vetëm një luftë për ukrainasit. Kjo është një përballje që Rusia ka shpallur kundër të gjithë botës së lirë.”
Gjatë natës, Polonia mbylli përkohësisht hapësirën ajrore dhe nisi një operacion ushtarak, ku morën pjesë edhe avionë të NATO-s dhe të Holandës. Qytetarët në tre rajone kufitare u urdhëruan të qëndronin në shtëpi, ndërsa aeroportet tashmë janë rihapur.
Sipas forcave ajrore të Ukrainës, sulmi i fundit rus përfshinte 415 dronë, një raketë balistike dhe 42 raketa lundrimi. Presidenti Volodymyr Zelensky konfirmoi se “të paktën tetë dronë” kishin fluturuar drejt Polonisë, duke e cilësuar incidentin si “precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për Evropën”.
Çfarë është neni 4 i NATO-s?
Neni 4 i Traktatit të NATO-s parashikon që vendet anëtare të konsultohen mes tyre sa herë që njëri prej tyre e konsideron se siguria, integriteti territorial apo pavarësia politike është e kërcënuar. Në këtë rast, çështja sillet për diskutim në Këshillin e Atlantikut të Veriut, ku vendosen masat që mund të merren. Ky nen nuk nënkupton automatikisht veprim ushtarak, por shërben si një mjet paralajmërues dhe politik për të adresuar rreziqet para se ato të përshkallëzohen. Në të kaluarën, është përdorur nga vende si Polonia, Turqia dhe shtetet baltike, kur kanë ndjerë presion apo kërcënim nga zhvillime të jashtme, sidomos nga Rusia.
Ndërkohë, Neni 5 është thelbi i NATO-s dhe lidhet drejtpërdrejt me parimin e mbrojtjes kolektive. Ai përcakton se një sulm i armatosur ndaj një vendi anëtar konsiderohet si sulm ndaj të gjithëve. Aktivizimi i nenit 5 obligon aleatët të reagojnë dhe, nëse është e nevojshme, të përdorin forcën ushtarake për të mbrojtur vendin e sulmuar. Ky nen është aktivizuar vetëm një herë në histori, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.
Në thelb, neni 4 funksionon si mekanizëm konsultimi dhe parandalimi, ndërsa neni 5 si garanci konkrete se një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve.
LEXONI GJITHASHTU:
Inteligjenca artificiale në shëndetësi, OBSH: Mungesa e rregullave rrezikon pacientët
Kina kërkon një qasje të re për zhvillimin global: OKB-ja të ketë rol më të fortë në koordinimin ndërkombëtar
“Po përpiqen të pengojnë marrëveshjen me Iranin”, JD Vance akuzon zyrtarë izraelitë
- 22:27 L’Equipe zbulon prapaskenat e Francës, Dembele shpërtheu ndaj shokëve në pushimin e ndeshjes me Spanjën
- 22:27 Inteligjenca artificiale në shëndetësi, OBSH: Mungesa e rregullave rrezikon pacientët
- 22:22 Si ikën Rama? Xhafo zbulon 2 mënyrat dhe bën llogarinë e mandateve…
- 22:20 Deklarata e ministres serbe për Kosovën ndez reagime në Europë, eurodeputeti çek kërkon përjashtimin e Beogradit nga negociatat me BE-në!
- 22:19 Kina kërkon një qasje të re për zhvillimin global: OKB-ja të ketë rol më të fortë në koordinimin ndërkombëtar
- 22:18 “Po përpiqen të pengojnë marrëveshjen me Iranin”, JD Vance akuzon zyrtarë izraelitë