Pr. ligji për juridiksionin e gjykatave serbe në Kosovë, SHBA-BE kritikojnë Serbinë
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim lidhur me një projektligj të miratuar nga qeveria serbe, që synon të vendosë juridiksionin e gjykatave serbe mbi çështjet penale në Kosovë. Sipas BE-së dhe SHBA-së, ky veprim përbën një shkelje të marrëveshjeve të Brukselit, të cilat kërkojnë që Serbia dhe Kosova të respektojnë angazhimet për normalizimin e marrëdhënieve.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mattheë Miller, nënvizoi mbështetjen për qëndrimin e BE-së, duke theksuar se Kosova dhe Serbia duhet të përmbushin detyrimet e marrëveshjes së arritur në vitin 2023. Kjo marrëveshje përfshin krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si një mekanizëm për të garantuar të drejtat e serbëve lokalë.
“Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjen e vitit 2023, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe zgjidhjet që dalin nga dialogu për të gjithë qytetarët, përfshirë serbët në Kosovë”, shkroi Miller.
BE-ja kërkoi nga Serbia të rishikojë projektligjet e miratuara, të cilat e shpallin Kosovën si zonë të mbrojtjes së veçantë dhe caktojnë autoritetet gjyqësore serbe për ndjekjen penale të veprave të kryera në Kosovë. Këto projektligje, sipas qeverisë së Serbisë, synojnë të mbrojnë popullatën serbe në Kosovë nga “persekutimi”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi këtë veprim të Serbisë si armiqësor dhe agresiv ndaj sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës, duke kërkuar reagimin e qartë të bashkësisë ndërkombëtare. Ai theksoi nevojën që aleatët ndërkombëtarë të Kosovës të vazhdojnë ta mbështesin vendin në përballjen me veprimet e Serbisë.
“Kërkojmë që në këtë pyetje të përgjigjen me saktësi dhe drejtësi faktorët ndërkombëtarë që na kanë ndihmuar aq shumë, por në të njëjtën kohë duhet të vazhdojnë të na mbështesin sepse Kosova si republikë në të cilën kanë kontribuar ata, sërish po sulmohet nga fqinji ynë verior”, tha ai.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë, përfshirë BE-në dhe SHBA-në, u kanë bërë thirrje palëve të shmangin veprimet që rrisin tensionet dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura për të normalizuar marrëdhëniet.
Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta