Presidenti Biden ashpërson gjuhën ndaj ish-Presidentit Trump
Presidenti Joe Biden e përfundon pothuajse çdo fjalim duke thënë se është më optimist se kurrë më parë për drejtimin që ka marrë vendi. Por rishtazi, ai ka folur për një të ardhme shqetësuese për vendin, në rast se Donald Trump-i do të bëhej sërish president.
Presidenti Biden ka akuzuar gjatë ditëve të fundit ish-presidentin republikan se është “i vendosur të shkatërrojë demokracinë amerikane” dhe se po kërkon “hakmarrje” dhe “shpagim”.
Nga fushata elektorale e Presidentit Biden po dërgohen nëpërmjet postës elektronike mesazhe me paralajmërime të forta, si: “Amerika e Trump-it në 2025: Ndalim mbarëkombëtar i abortit”, si dhe “Kampe përqendrimi masive”. Ish-Presidenti Trump ka propozuar organizimin e atij që e quajti operacioni më i madh në historinë amerikane për të arrestuar dhe larguar emigrantët. Por ai nuk ka mbështetur një politikë për një ndalim në rang federal të abortit.
Në të gjitha rastet nxjerrja në pah e kontrastit mes Presidentit Biden dhe ish-Presidentit Trump do të kishte qenë një element qendror i strategjisë së demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Por më parë ish-Presidenti Trump përmendej vetëm shkurtimisht, ose aspak, në fjalimet e Presidentit Biden.
Tashmë, në mesazhet e fushatës elektorale Biden janë rritur ndjeshëm referencat ndaj ish-Presidentit Trump, ndërsa ka mbetur më pak se një vit deri në zgjedhje. Ndryshimi, që vjen pas rezultateve të dobëta në anketime të Presidentit Biden, tregon mënyrën se si mund të motivohen më shumë votuesit demokratë për të ndalur zotin Trump, sesa p.sh. duke dëgjuar për investime në infrastrukturë apo energjinë e rinovueshme.
Presidenti Biden ka pranuar se shumë votues nuk janë të kënaqur me gjendjen e ekonomisë. Votuesit janë të zhgënjyer me inflacionin e lartë dhe kanë shqetësime për moshën e tij të madhe. Pothuajse 81 vjeç, zoti Biden është personi më i moshuar që është zgjedhur president.
Gjatë një fjalimi të mërkurën me donatorët në San Françisko, Presidenti Biden tha se ish-Presidenti Trump po përdor retorikë naziste për të demonizuar kundërshtarët politikë. Komenti u bë pasi ish-Presidenti Trump u zotua të “çrrënjosë” ata që i cilësoi armiq, duke i përshkruar si “vemje”. Por në vazhdim të të njëjtit fjalim, Presidenti Biden iu rikthye motos së zakonshme, duke thënë se “nuk kam qenë ndonjëherë më optimist për të ardhmen e vendit”.
Ekziston një kakofoni mes shpresave të ushqyera nga Presidenti Biden për një Amerikë në ngritje dhe paralajmërimeve të tij të forta se vendi mund të bjerë pre e dikujt që ai e quan një tiran të ardhshëm. Zyrtarët e fushatës së tij thonë se dy mesazhet mbështesin njëra-tjetrën.
LEXONI GJITHASHTU:
SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 4,734
- 22:21 SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
- 22:18 Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
- 22:17 Trajneri Deschamps, mbreti i pankinës në Botëror! Francezi thyen rekordin 48 vjeçar
- 22:10 Nurellari: Kërkimin shkencor e kemi në duar të sigurta me Ministrin e Ramiz Alisë
- 22:04 “10 mijë euro për t’u bërë mësues”, Koka: Ja sa paguhet për t’u futur në sistemin arsimor
- 22:02 Rama nga Brukseli: Thanë nuk do hapen negociatat, sot u mbyllën tre kapitujt e parë