Në disa qendra shëndetësore në kryeqytet një korsi e rrugës është gjithmonë e bllokuar nga makinat e familjarëve të pacientëve, apo prindërit që sjellin fëmijët në konsultore.
Në këtë zonë nuk ka asnjë mundësi parkimi, madje as me pagesë.
E njëjta situatë është përgjatë gjithë “Rrugës së Kavajës”.
E njëjta situatë është edhe në një pjesë të rrugës “Ibrahim Rugova” që lidhet me Unazën, megjithëse në njërin krah të rrugës ka parkime me pagesë, sërish ato janë të pa mjaftueshme dhe makinat parkohen në të dy anët e rrugës.
Edhe në Unazë, parkimet në anë të rrugës nuk mjaftojnë, dhe makinat sërish parkohen në kundërshtim me rregullat.
Përpara drejtorisë së policisë, në rrugën Sami Frashëri, një polic qëndron me bllok në dorë, i gatshëm për të gjobitur çdo drejtues mjeti që parkon aty.
Sapo polici largohet, një qytetar sërish parkon në njërën korsi, pasi ka kërkuar gjatë për parkim.
Gjatë vëzhgimit të gazetarëve të “Mirëmëngjes” në Euronews Albania nëpër rrugë, në zonën e Myslym Shyrit që është me një sens kalimi, një mjet vjen përballë, duke u bërë burim aksidenti, por polici pak metra më tej është i zënë duke gjobitur qytetarët që nuk kanë ku parkojnë.
Një rrugë tjetër problematike është edhe rruga e Elbasanit. Në të gjithë gjatësinë e saj, nga të dyja anët, nuk ka anjë vend parkimi.
Edhe policia bashkiake është e detyruar të shkelë ligjin dhe të parkojë aty ku nuk lejohet. Kur Euronews Albania u afrua për t’i pyetur nëse do gjobisin veten, policët u larguan.
Në rrugën Qemal Stafa, përpara shkollës së kuqe prindërit që presin të marrin fëmijët nga mësimi, kanë parkuar mbi korsinë e biçikletave, në mungesë të një vendparkimi.
LEXONI GJITHASHTU:
- Eksperti Hodo: Bashkia të krijojë kushte të mira për parkimin, jo gjobitjen
- Urbanistja Musai: Tirana, shumë larg qytetit të gjelbër