PS propozim të ri për amendamentet e kodit zgjedhor, pranon uljen e pragut elektoral në 1 për qind

2 Tetor 2020 | 09:46

Komisioni i Ligjeve është mbledhur sot për të diskutuar nen për nen draftet e mazhorancës dhe opozitës sa i përket amendimeve në kodin zgjedhor.

Partia Socialiste ka dalë me një propozim të ri për formulën e kompromisit në lidhje me amendamentet e Kodit Zgjedhor.

Propozimi i PS merr në konsideratë uljen nga 3% në 1%, të pragut që duhet të arrijnë subjektet zgjedhore për të përfituar nga shpërndarja e mandateve.

“Sipas formulimit të ri, fjalia e dytë e pikës 1 të nenit 162 ndryshohet si vijon: “Për zgjedhjet për Kuvendin, përjashtohen nga shpërndarja e mandateve subjektet zgjedhore që kanë më pak se 1% të votave të vlefshme në shkallë vendi”. Ky opsion është optimal dhe mund të konsiderohet si një prag natyral pasi është i përafërt me numrin e votave që i takon një mandati deputeti në Kuvendin e Shqipërisë”, thuhet në propozimin e paraqitur nga PS.

Sa i takon shpërndarjes së mandateve për kandidatët fitues të listës, në propozimin e PS parashikohet që renditja e kandidatëve që përfitojnë mandat ndryshon nëse “kandidati ka marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, por jo më shumë se 10,000 vota”.

“Ndryshimi i tretë ka të bëjë me detyrimin për rirenditjen e pjesës së parë të listës që korrespondon me mandatet e fituara ashtu sikurse rirenditjen e pjesës së dytë të listës, bazuar mbi rezultatin e votave preferenciale.

Konkretisht, pjesa e parë e listës që përkon me numrin e mandateve të fituara rirenditet sipas rezultatit të votave preferenciale, pa cenuar parimin e kuotave gjinore. Kandidati me më pak vota preferenciale spostohet në vendin e fundit, brenda pjesës së parë të listës që korrespondon me mandatet fituese. Më pas, kryhet rirenditja e pjesës së dytë të listës, bazuar mbi rezultatin e votave preferenciale.

Nëse në pjesën e dytë të listës rezulton se një ose disa kandidat kanë numër votash më të lartë se herësi, përfitojnë mandat duke zëvendësuar kandidatin/tët e fundit në renditje që do të përfitonin mandat sipas renditjes së pjesës së parë të listës, bazuar në votat që ka marrë secili prej tyre dhe kur ata kanë më pak vota preferenciale.

Në këtë formë garantohet që kandidati i cili ngjitet nga pjesa e dytë e listës tek ajo fituese sposton poshtë dhe i zë vendin kandidatit që ka numrin më të vogël të votave preferenciale. Ky rregull nuk zbatohet nëse kandidati me më pak vota i përket gjinisë më pak të përfaqësuar. Në këtë rast zëvendësimi kalon tek kandidati tjetër i renditur menjëherë më lart me numër votash deri në shterimin e listës sipas të njëjtave kritere.

Ndryshimi i katërt parashikohet në nenin 67, ku përcaktohet se kryetari i partisë garuese në zgjedhje kur ajo konkurron e vetme, ose partisë udhëheqëse të koalicionit kur garojnë disa parti së bashku në një listë, mund të regjistrohet njëkohësisht deri në katër zona zgjedhore. Në fazën e ndarjes së mandateve, lihet në vullnetin e tij/saj që të deklarojë në cilën zonë zgjedhore do të marrë mandatin duke hequr dorë nga zonat e tjera”, thuhet më tej në propozimin e PS.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë në kuadër të debatit dhe protestave kundër projektit në Zvërnec, duke publikuar një status të plotë ku...
18:36 | 03/06/2026

Kryebashkiakët e Dibrës kundër ndryshimit të hartës territoriale: Do të vështirësonte shërbimet ndaj qytetarëve

Kryetarët e të gjitha bashkive të Qarkut të Dibrës janë shprehur kundër çdo ndryshimi të mundshëm të hartës territoriale, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin...
18:00 | 03/06/2026

“E dija që i kishte paratë”, Berisha për Zvërnecin: Kam qenë dakord që në fillim me projektin Kushner

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha në një komunikim për mediat nga mbledhja e grupit të PD se ka qenë pro projketit për investimin...
13:56 | 03/06/2026