Punëtorët në Kosovë protestë për 1 majin: Duam ritje të pagave

1 Maj 2025 | 14:45

“Qeveri, kompani, është bërë vonë, kthjelluni ose lamtumirë”- kjo ishte thirrja që u dëgjua më 1 maj në rrugët e Prishtinës, ku Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës protestoi në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, i drejtoi kritika të ashpra institucioneve të vendit duke deklaruar se punëtorët e sektorit privat në Kosovë janë trajtuar si skllevër dhe se një trajtim i tillë nuk ekziston pothuajse askund në Evropë. Ai theksoi se është koha që institucionet dhe kompanitë të zgjohen, përndryshe do të përballen me pasoja sociale dhe ekonomike.

Gjatë protestës, punëtorët kërkuan rritjen e pagës minimale në sektorin privat në 600 euro, nënshkrimin e marrëveshjes kolektive, sigurime shëndetësore për punëtorët, si dhe themelimin e një Gjykate të Punës për të adresuar mosmarrëveshjet dhe shkeljet ligjore në vendin e punës. Një nga protestueset, Hafije Statovci, u shpreh se me pagat aktuale nuk po mund të mbijetojnë. Ajo theksoi se shumë punëtorë marrin ende vetëm 230 euro në muaj, një shumë që sipas saj nuk i lë të vdesin, por as nuk u jep mundësinë të jetojnë me dinjitet.

Sipas të dhënave të fundit të Administratës Tatimore të Kosovës, paga mesatare bruto në vend është 702 euro, megjithatë shumë punëtorë në sektorin privat përfitojnë shuma shumë më të ulëta. Ky sektor mbetet punëdhënësi më i madh në vend, me mbi 300 mijë të punësuar, por trajtimi i tyre vazhdon të mbetet shqetësues.

Në këtë ditë simbolike, edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) publikoi një reagim ku theksoi se 1 Maji e gjen Kosovën me probleme të trashëguara: vdekje në vendin e punës, ligje të vjetruara dhe institucione jofunksionale. IKD kritikon Qeverinë dhe Kuvendin për mungesën e angazhimit konkret në fushën sociale. Sipas institutit, ligje bazike si ai i Punës, i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë dhe ai për Inspektoratin e Punës janë hequr nga agjenda ose janë lënë pa trajtim adekuat, duke dëshmuar një mungesë të theksuar të përparimit dhe vullnetit politik.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zgjedhjet në Kosovë, Osmani: Mesazhi i qytetarëve ishte i qartë, duhet lexuar siç duhet nga forcat politike

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një intervistë për CNN lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare teksa theksoi se mesazhi i qytetarëve ishte i...
14:54 | 09/06/2026

Zgjedhjet në Kosovë, OSBE bën thirrje për formimin në kohë të institucioneve

Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk ka reaguar këtë të martë përmes një postimi në “X” lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. ...
11:31 | 09/06/2026

Operacion kundër krimit të organizuar në Kosovë, ndërhyjnë Europol dhe vende të BE-së

Policia e Kosovës, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale dhe me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka nisur një operacion në disa lokacione të vendit...
09:46 | 09/06/2026