Punonjësit e USAID-it udhëzohen të mos hyjnë në godinë

3 Shkurt 2025 | 18:49

Punonjësit e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID) u udhëzuan të mos futen të hënën në selinë qendrore të agjencisë në Uashington. Udhëzimi iu dërgua punonjësve pasi miliarderi Elon Musk njoftoi se Presidenti Donald Tump ka rënë dakord me të për ta mbyllur USAID-in.

Zyrtarë të USAID-it thanë se deri në mëngjesin e së hënës, rreth 600 punonjësve u ishte ndaluar qasja tek sistemet kompjuterike të agjencisë. Punonjësit që vazhdojnë të kenë qasje në sistem, morën mesazhe në postën elektronike ku u thuhet se “me udhëzim të drejtuesve të agjencisë” godina “do të jetë e mbyllur për personelin të hënën, më 3 shkurt”.

Zhvillimet vijnë pasi zoti Musk, i cili drejton, me miratimin e presidentit, një proces të jashtëzakonshëm rishikimi të qeverisë federale, tha herët të hënën se ai ka biseduar me Presidentin Trump për agjencinë që ka menaxhuar prej gjashtë dekadash programet amerikane të ndihmës dhe zhvillimit në vende të tjera dhe se “ai ra dakord se duhet ta mbyllim”.

“U bë e qartë se nuk është një mollë me një krimb brenda”, tha zoti Musk në një sesion të drejtpërdrejtë të hënën në rrjetin X. “Ajo që kemi është thjesht një top me krimba. Duhet në thelb të hiqet e gjitha. Është përtej riparimit”.

“Po e mbyllim”, tha ai.

Zoti Musk, Presidenti Trump dhe disa ligjvënës republikanë kanë vënë në shënjestër USAID-in, që mbikëqyr programet humanitare, të zhvillimit dhe të sigurisë në rreth 120 vende, në terma gjithnjë e më të ashpër, duke e akuzuar atë për nxitje të kauzave liberale.

Gjatë fundjavës, administrata e Presidentit Trump largoi nga puna me leje të detyruar, dy drejtuesit e lartë të sigurisë në USAID, pasi ata refuzuan t’iu dorëzonin materialet e klasifikuara, që mbahen në zona të kufizuara, ekipeve të inspektimit të qeverisë të dërguara nga zoti Musk, thanë të dielën një zyrtar aktual dhe një ish-zyrtar për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë i drejtuar nga zoti Musk, i njohur ndryshe si DOGE, bëri më herët një operacion të ngjashëm në Departamentin e Thesarit, duke fituar qasje tek informacionet e klasifikuara, përfshirë sistemet e pagesave për Sigurimet Shoqërore dhe programin e sigurimit shëndetësor Medicare. Gazeta “Washington Post” raportoi se një zyrtar i lartë i Departamentit të Thesarit ka dhënë dorëheqjen për shkak të qasjes së ekipit të zotit Musk tek informacionet e klasifikuara.

Ligjvënësit demokratë kanë protestuar ndaj këtyre masave, duke thënë se Presidentit Trump i mungon autoriteti kushtetues për ta mbyllur USAID-in pa miratimin e Kongresit dhe duke kritikuar qasjen e zotit Musk tek informacionet e klasifikuara të qeverisë, nëpërmjet inspektimeve të autorizuara nga Presidenti Trump të agjencive dhe programeve të qeverisë federale.

USAID-i, faqja e internetit e të cilit u zhduk të shtunën pa shpjegime, ka qenë një nga agjencitë federale më të kritikuara nga administrata e Presidentit Trump, ndërsa përshkallëzohen masat ndaj qeverisë federale dhe shumë prej programeve të saj.

“Është drejtuar nga një grup të çmendurish radikalë. Dhe ne po i nxjerrim jashtë”, u tha Presidenti Trump gazetarëve në lidhje me USAID-in të dielën në mbrëmje.

Komentet e zotit Musk dhe Presidentit Trump u bënë ndërsa Sekretari i Shtetit Marco Rubio gjendet jashtë vendit, në Amerikën Qendrore, në udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar. Sekretari Rubio nuk ka folur publikisht për ndonjë plan për mbylljen e USAID-it.

Administrata e Presidentit Trump dhe Sekretari Rubio kanë vendosur një ngrirje të paprecedentë të ndihmës për vendet e tjera, që ka mbyllur shumë nga programet e ndihmës të USAID-it në mbarë botën – duke shkaktuar mijëra pushime nga puna të punonjësve të organizatave të ndihmave – dhe kanë urdhëruar shkurtime dhe dërgimin me leje të detyruar të drejtuesve dhe personelit të agjencisë në Uashington.

Peter Marocco, një i emëruar politik që nga mandati i parë i administratës Trump, mendohet se luajti një rol udhëheqës në procesin e mbylljes. Punonjësit e USAID-it thonë se besojnë se personat e ardhur nga jashtë agjencisë, të pajisur me dokumente identifikimi si vizitorë, që u drejtojnë pyetje punonjësve brenda selisë në Uashington, janë anëtarë të ekipit të departamentit DOGE të drejtuar nga zoti Musk.

Senatorja demokrate Elizabeth Warren tha në një postim të dielën se Presidenti Trump po i lejonte zotit Musk qasje tek të dhënat personale të njerëzve dhe që të mbyllte programet e financimit të qeverisë.

“Duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të kundërshtuar dhe për t’i mbrojtur njerëzit nga dëmi”, tha senatorja demokrate, pa dhënë detaje të mëtejshme.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SHBA sulmon gjatë natës dy provinca në juglindje të Iranit, lëshuan 13 raketa

Shtetet e Bashkuara nisën sulme ndaj Iranit për natën e katërt radhazi të martën, me pjesën më të madhe të fushatës që synonte Sistanin dhe...
12:25 | 15/07/2026

Spanja dhe Gjibraltari festojnë rënien e gardhit kufitar pas nënshkrimit të ‘marrëveshjes historike’

Spanja dhe Gjibraltari po festojnë rënien e gardhit të fundit kufitar në Evropën Perëndimore, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje pas Brexit-it që i jep fund kontrolleve kufitare...
12:17 | 15/07/2026

Mbi 140 tifozë të arrestuar në Paris pas gjysmëfinales së Kupës së Botës Francë-Spanjë 

Policia franceze arrestoi gjithsej 141 tifozë futbolli në Paris herët të mërkurën pas humbjes së ekipit kombëtar francez në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, raportoi...
12:13 | 15/07/2026