English

“Pusho, burrë i vogël”- Musk dhe Rubio përplasen për Starlink me ministrin polak

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe Elon Musk, janë përplasur virtualisht me ministrin e Jashtëm polak, Radosłaë Sikorski, i cili komentoi mbi koston e kompanisë së Musk, Starlink, për të cilën Polonia paguan për shërbimin e dhënë në Ukrainë.

- Advertisement -

Sikorski shkroi në një postim në “X” se Polonia mund të kërkojë një alternativë për shërbimin e internetit satelitor në Ukrainë, nëse kompania e Elon Musk, SpaceX, nuk garanton një shërbim të qëndrueshëm.

“Starlink për Ukrainën u pagua nga Ministria Polake e Dixhitalizimit me një kosto prej rreth 50 milionë dollarë në vit. Përveç aspektit etik të kërcënimit ndaj një vendi të sulmuar, nëse SpaceX tregohet një furnizues jo i besueshëm, ne do të detyrohemi të kërkojmë një alternativë tjetër për internetin satelitor”, shkroi ai.

Kjo deklaratë nxiti një reagim të ashpër nga themeluesi i SpaceX, Elon Musk, i cili në një postim në platformën e tij sociale X theksoi se “e gjithë linja e frontit të Ukrainës do të shembej nëse do të çmontohej Starlink”.

Në përgjigje të kësaj deklarate, Sikorski kritikoi qëndrimin e Musk, duke theksuar se nëse SpaceX konsiderohet një ofrues i pasigurt, Polonia dhe aleatët e saj do të detyroheshin të kërkonin alternativa të tjera.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, reagoi ashpër ndaj ministrit polak, duke e akuzuar atë për mosmirënjohje. Në një postim në X, Rubio deklaroi se Sikorski po “shpik gjëra” dhe se nuk ka pasur asnjë kërcënim për të ndalur shërbimin Starlink për Ukrainën. “Pa këtë shërbim, Ukraina do ta kishte humbur luftën shumë kohë më parë dhe rusët do të ishin tashmë në kufi me Poloninë,” theksoi ai.

Elon Musk vijoi më tej me një përgjigje edhe më të ashpër ndaj Sikorskit, duke shkruar: “Hesht, burrë i vogël. Ti paguan një pjesë të vogël të kostos. Dhe nuk ka asnjë zëvendësues për Starlink.”

Qeveria amerikane ka pezulluar tashmë disa mundësi për përdorimin e imazheve satelitore nga Ukraina dhe ka kufizuar ndarjen e informacionit të inteligjencës, duke rritur presionin mbi Kievin. Kjo ndodh në një kohë kur administrata e Donald Trump kërkon një zgjidhje të shpejtë për konfliktin, i cili tashmë ka hyrë në vitin e katërt.

Debati ka shkaktuar reagime edhe në Poloni. Partia opozitare nacionaliste, Ligji dhe Drejtësia, ka kritikuar Sikorskin për përplasjen me SHBA-në. Ligjvënësi Marcin Przydacz shkroi në X: “Një përplasje publike me amerikanët në këtë moment nuk është ajo që na duhet, veçanërisht kur po merren vendime kyçe për rajonin.”

Ndërkohë, spekulimet mbi një ofrues alternativ për shërbimin satelitor të Ukrainës kanë ndikuar në tregun e aksioneve. Aksionet e kompanisë franko-britanike Eutelsat (ETL.PA) u rritën deri në 650% gjatë javës që përfundoi më 7 mars, mes spekulimeve se mund të zëvendësojë Starlink. Megjithatë, ato ranë disi të premten, duke mbyllur javën me një rritje neto prej rreth 380%.

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?