Putin: Rusia ka ide si mund të zgjidhet çështja e NIS-it të sanksionuar serb

19 Dhjetor 2025 | 16:25

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë të premten se Moska “ka ide” se si mund të zgjidhet çështja e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), e cila është nën sanksione amerikane, dhe se bisedimet me Serbinë janë duke vazhduar.

“Ne kemi ide se si, në çfarë mënyre dhe në çfarë drejtimi mund të ecim përpara së bashku. Një dialog i tillë është duke u zhvilluar me miqtë tanë në Serbi. Shpresojmë se do ta gjejmë zgjidhjen e duhur”, tha Putin, raportoi agjencia ruse e lajmeve TASS.

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione kundër NIS-it më 9 tetor, pasi Rusia zotëron shumicën e aksioneve të saj.

SHBA-ja ngul këmbë që kompanitë ruse, të cilat zotërojnë 56.2 për qind të aksioneve në industrinë serbe, të largohen nga NIS.

Putin tha në konferencën e tij vjetore për fundvit se Rusia supozon se “udhëheqja miqësore e Serbisë” do t’i përmbushë detyrimet e saj ndaj NIS-it.

“Ne kemi marrëveshje ndërqeveritare me Serbinë në lidhje me miratimin e çdo kufizimi në lidhje me këtë entitet tregtar. Dhe, sigurisht, ne supozojmë se udhëheqja miqësore e Serbisë do ta mbajë mend këtë dhe do t’i përmbushë detyrimet e saj. Përndryshe, lind pyetja: si mund të investojmë para në ekonominë e vendit dhe ku janë garancitë e sigurisë nëse as marrëveshjet ndërqeveritare nuk funksionojnë”, tha Putin.

Sanksionet amerikane filluan të zbatohen në tetor pasi paraprakisht ishin shtyrë disa herë.

Në mungesë të licencës, rafineria e naftës e NIS-it në Pançevë, u mbyll në fillim të dhjetorit, ndërsa Beogradi pretendon se bisedimet me Moskën për një ndryshim të pronësisë janë duke vazhduar. Serbia i ka dhënë Rusisë afat deri më 15 janar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, theksoi më 16 dhjetor se pala ruse dhe një kompani e madhe po negociojnë për NIS-in, por se Beogradi zyrtar nuk po merr pjesë në këtë.

“Mendoj se negociatat janë drejt përfundimit midis palës ruse dhe një kompanie të madhe”, tha Vuçiç në atë kohë, pa specifikuar se cila kompani ishte e përfshirë.

As pala amerikane dhe as ajo ruse nuk kanë publikuar informacione rreth përparimit të bisedimeve, dhe qytetarët janë njoftuar për këtë gjendje nga zyrtarët serbë, kryesisht nga Vuçiçi.

Qëllimi i sanksioneve që synojnë sektorin e energjisë ruse, të cilat kanë goditur kompaninë më të madhe të naftës në Serbi, është të parandalojnë Rusinë nga financimi i mëtejshëm i pushtimit të Ukrainës.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ligji për mafian, u jep familjeve italiane të drejtën të ‘çlirohen’ nga jeta e krimit

Fëmijët dhe të rinjtë e rritur në familje mafioze do të kenë një shans për t’u shkëputur nga krimi i organizuar sipas legjislacionit të ri...
19:13 | 16/07/2026

Ekzekutimi mafioz në Australi filmohet me dron dhe postohet në interenet: Jemi mafia shqiptare

Policia australiane ka shpallur një epokë të re të krimit të organizuar, pasi vrasësit përdorën një dron për të filmuar një ekzekutim mafioz në Sidnej...
19:08 | 16/07/2026

43 persona humbën jetën nga shembja e urës në Gjenova, ish-drejtori i autostradave italiane dënohet me 12 vite burg

32 persona, përfshirë ish-drejtorin ekzekutiv të operatorit të autostradave të Italisë, janë dënuar për shembjen e një ure në Gjenova në vitin 2018, në të...
18:50 | 16/07/2026