Policia e Shkodrës ka arrestuar një 19-vjeçar që mbante pa leje municion luftarak në automjetin me të cilin qarkullonte.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore, se një shtetas mbante municion luftarak, pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë organizuar punën në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, dhe kanë ndërhyrë menjëherë për arrestimin e këtij shtetasi.
Në unazën e qytetit të Vaut të Dejës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin me drejtues shtetasin E. J., i cili ka tentuar t’iu largohej shërbimeve, por është kapur menjëherë nga ato.
Gjatë kontrollit në çantën e shtetasin E. J., në brendësi të automjetit, Policia gjeti 2 krehra me fishekë luftarak, që posedoheshin pa leje.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi E. J., 19 vjeç, banues në fshatin Kuç. Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, municioni luftarak dhe automjeti tip “Benz” që drejtonte ky shtetas.
LEXONI GJITHASHTU:
- Iu sekuestruan 56 650 euro dhe 5 monedha ari, arrestohet 31-vjeçari në Berat
- Arrestohet për dhunë në familje, drejtori i burgut të Fushë-Krujës