Përfundon numërimi për zgjedhjet në Kosovë, Vetëvendosje fiton shumicën e votave!
Ka përfunduar procesi i numërimit të 99.02% të votave për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet zyrtare, sipas të cilave fituese me 49.30 për qind të votave del Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Sipas rezultateve, Vetëvendosje renditet e para, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës në vendin e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës në vendin e tretë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në vendin e katërt.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rezultatet janë si më poshtë:
• Lëvizja Vetëvendosje: 49.30 për qind apo 429 mijë e 979 vota
• Partia Demokratike e Kosovës (PDK): 21.01 për qind apo 183 mijë e 258 vota
• Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK): 13.59 për qind apo 118 mijë e 490 vota
• Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK): 5.68 për qind apo 49 mijë e 571 vota
• Lista Serbe: 4.74 për qind apo 41 mijë e 335 vota
• Nisma Socialdemokrate: 1.72 për qind apo 14 mijë e 973 vota
Sipas të dhënave janë ende pa numëruar rreth 60 mijë vota ndërsa mbetet ende e paqartë se si do të formohet qeveria e re.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën të dielën, më 28 dhjetor, ku mbi 1.9 milionë qytetarë kishin të drejtë vote. Procesi i votimit u zhvillua në 910 qendra votimi me gjithsej 2.557 vendvotime, nga ora 07:00 deri në 19:00. Sipas të dhënave paraprake, pjesëmarrja në votime ishte rreth 45 për qind.
Zgjedhjet u organizuan pas një periudhe të gjatë krize politike dhe mungesës së një qeverie funksionale, pasi forcat politike nuk arritën të krijonin një koalicion qeverisës pas zgjedhjeve të mëparshme. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili votoi në Prishtinë, deklaroi se përpjekjet për formimin e koalicionit dështuan, duke ia lënë vendimin qytetarëve përmes votës.
Zgjedhjet në Kosovë, ja sa mandate fiton çdo parti
Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është krijuar një pasqyrë fillestare se si pritet të shpërndahen ulëset në legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës.
Sipas këtyre rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 49,80% të votave, dhe me shpërndarjen e ulëseve në Kuvend, LVV pritet t’i ketë 56 deputetë (pa votat e diasporës dhe me kusht).
Derisa PDK-ja me 21,21% të votave pritet t’I ketë 23 deputetë.
Kështu, si subjekti i tretë politik, LDK ka 13,76% e që pritet t’i ketë 15 deputetë.
Ndërkaq, AAK me 5,73% të votave pritet t’i ketë 6 deputetë.
Metodologjia e shpërndarjes: Konfirmim nëse përdoret metoda D’Hondt (standard në Kosovë).
Numri total i ulëseve (120) dhe nëse duhen përfshirë ulëset e rezervuara apo vetëm ato të përgjithshme.
Albin Kurti shpall fitoren e Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit
Pas përfundimit të numërimit të votave për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dalë në një konferencë për shtyp ku shpalli fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e konsideruar këtë si një nga fitoret më të mëdha në historinë e vendit.
Kurti theksoi se, sipas rezultatit, është koha që institucionet të krijohen sa më shpejt dhe të nisë puna për projektet e ardhshme:
“Më 28 dhjetor 2025 fitoi populli i Kosovës dhe Republika. Kjo është fitorja më e madhe në historinë e vendit. Rezultati na tregon qartë se duhet të ecim përpara pa vonesa, të krijojmë institucionet sa më shpejt dhe të vazhdojmë punën e mirë dhe projektet e metejshme. Ftoj partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet e mira që do t’i procedojmë dhe për interesin publik të qytetarëve”, tha Kurti.
Numërohen 95.19% të votave, Vetëvendosje kryeson zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka dalë me një deklaratë zyrtare për mediat, duke njoftuar se janë numëruar 95.19% e votave për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Sipas rezultateve preliminare të bëra publike nga Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 49.79 për qind apo 421 mijë e 129 vota. Partia Demokratike e Kosovës 21.18 për qind apo 179 mijë e 158 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës 13.77 për qind apo 116 mijë e 502 vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 5.74 për qind apo 48 mijë e 551 vota. Lista Serbe ka 3.87 për qind apo 32 mijë e 719 vota. Nisma Socialdemokrate ka 1.72 për qind apo 14 mijë e 513 vota.
Këto rezultate përfshijnë numërimin e 95. 93 për qind të vendvotime të numëruara dhe nuk përfshihen votat me postë dhe as votat që janë dhënë në përfaqësi diplomatike.
Radoniqi tha se shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet pas numërimit të votave nga diaspora, të personave me nevoja veçanta dhe votat me kusht.
“Mbaj përgjegjësi të plotë”, kreu i LDK Lumir Abdixhiku pranon humbjen në zgjedhjet parlamentare
Pas mbylljes së votimeve për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili ishte kandidat për kryeministër, doli në një konferencë për shtyp ku pranoi humbjen në zgjedhje dhe uroi fituesin.
Abdixhiku tha se ky është vullneti i popullit dhe theksoi rëndësinë e respektimit të verdiktit qytetar:
“Ne duhet të respektojmë verdiktin e popullit. Nuk kam arritur ta çoj LDK-në aty ku kam besuar se duhet të jetë. Kam ndërtuar ekip me njerëzit më të mirë dhe kemi bërë program, por ky është verdikti i qytetarëve dhe para këtij verdikti përulemi të gjithë. Kështu funksionon demokracia. Si kryetar, do të thërras Kuvendin e LDK-së, ku para tij do të shqyrtojmë të gjitha çështjet dhe përgjegjësinë time”, tha ai.
Nis festa në Prishtinë, mbështetësit e Vetëvendosjes "pushtojnë" rrugët
Pas daljes së rezultateve paraprake, por ende jo përfundimtare, të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar festime në kryeqytet. Mbështetës të saj janë mbledhur në qendër të Prishtinës, ku atmosfera u shoqërua me fishekzjarrë dhe brohoritje.
Sipas të dhënave paraprake, Vetëvendosje ka siguruar mbi gjysmën e votave për Kuvendin, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Rezultati e konfirmon këtë forcë politike si fituese bindëse të procesit zgjedhor.
Vetëvendosje kryeson me mbi 48% të votave, numërohen mbi 40 % të votave
Sipas të dhënave zyrtare të përditësuara më 28 dhjetor 2025, në ora 20:29, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë bindshëm, duke siguruar 48.79 për qind të votave ose 154,826 vota.
Pas saj, në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19.91 për qind të votave (63,180 vota), ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban pozitën e tretë me 13.85 për qind ose 43,952 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 7.37 për qind të votave (23,390 vota), ndërsa Lista Serbe renditet me 3.70 për qind ose 11,740 vota. Nisma Socialdemokrate mbetet nën pragun zgjedhor me 1.65 për qind të votave (5,233 vota).
Sipas KQZ-së, janë përpunuar 1,049 vendvotime nga gjithsej 2,557, që përbëjnë 41.02 për qind të vendvotimeve në nivel vendi. Harta zgjedhore tregon dominimin e Vetëvendosjes në shumicën e komunave.
Nis numërimi në zgjedhjet e Kosovës, kryeson Vetëvendosje
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur publikimin e rezultateve të para të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.
Sipas të dhënave të përditësuara në orën 20:00, Lëvizja Vetëvendosje kryeson bindshëm me 47,12% të votave të numëruara, duke siguruar 72,737 vota deri tani.
Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19,33% apo 29,842 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është e treta me 13,68% të votave, që përkthehet në 21,122 vota.
Mesazhi i Kurtit pas mbylljes së votimeve
Kreu Vetëvendosjes, Albin Kurti pas mbylljes së votimeve deklaroi se vullneti i qytetarëve duhet të lexohet me kujdes nga komisionerët. “Mirëmbrëma të gjithëve, Vullneti i qytetarëve tashmë gjendet në kutitë e votimit. Ruajtja e këtij vullneti të shprehur është esencial për legjitimitetin dhe kredibilitetin e procesit zgjedhor. Aty e kemi përcaktimin për të ardhmen e vendit tonë dhe të institucioneve të tij.
E për këtë gjë, mendjet, sytë dhe veshët tanë janë te ju komisionerë dhe vëzhgues. Keni detyrë tejet të rëndësishme saqë vendimtare”,-shprehet Albin Kurti.
Kosovë, zbardhet Exit Poll-i pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare
Pas përfundimit të procesit zgjedhor të dielën, Klan Kosova ka publikuar ekskluzivisht Exit Poll-in e organizuar nga PIPOS për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.
Sipas Exit Poll-it:
- Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kryeson me 44.1% të votave, duke theksuar pozicionin e saj si forcë kryesore politike në vend.
- Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 23.9%, duke shënuar një rezultat të konsiderueshëm, por shumë larg LVV-së.
- Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) siguron 16.1%, duke treguar një ulje të lehtë të mbështetjes në krahasim me zgjedhjet e mëparshme.
- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) merr 5.8%, duke mbetur jashtë garës për koalicionin kryesor qeverisës.
Mbyllet votimi në zgjedhjet parlamentare të Kosovës
Të dielën më 28 dhjetor, mbi 2 milionë qytetarë votuan në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të katërtat për këtë vit. Qendrat e votimit u mbyllën në ora 19:00.
Këto zgjedhje u organizuan pas dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive të tjera për të formuar qeveri. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, votoi në kryeqytet dhe deklaroi se përpjekjet e tij për koalicion nuk patën sukses.
Në qendrat e votimit ishin të pranishëm edhe liderë të tjerë politikë, përfshirë Ramush Haradinajn (AAK), Lumir Abdixhikun (LDK), Fatmir Limajn (Nisma), Bedri Hamzën (PDK) dhe presidenten Vjosa Osmani.
Në zgjedhje morën pjesë 22 subjekte politike, ndër ta Vetëvendosja, PDK, LDK, AAK dhe Lista Srpska. Janë certifikuar 1,180 kandidatë për deputetë. Numërimi i votave pritet të nisë menjëherë, me rezultatet e para gjatë orëve në vazhdim.
Prokuroria: Nuk ka pasur incidente serioze
Koordinatorja kombëtare për zgjedhje, prokurorja Laura Pula ka deklaruar se gjatë procesit të sotëm zgjedhor nuk është shënuar ndonjë incident serioz. Ajo tha se janë evidentuar disa incidente sporadike për të cilat nuk ka persona të ndaluar, por vetëm janë marrë në pyetje.
Voton kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku
Voton Abdixhiku: Uroj që populli i Kosovës të zgjedhë zhvillimin e të largohemi nga përçarja e këtyre viteve
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumit Abdixhiku votoi në shkollën Faik Konica në Prishtinë, rreth orës 10:50.
Në një komunikim të shkurtër për mediat, Abdixhiku ftoi qytetarët e Kosovës të zgjedhin për zhvillim në mënyrë që vendin të largohet nga zymtësia e përçarja, që siç tha e ka ndjekur Kosovën këto vite.
“Uroj gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ditë kur vendimmarrja i kthehet sovranit, është ditë e mbarë, ditë e mirë. Uroj që qytetarët e Kosovës të zgjedhin për zhvillim, e të largohen nga zymtësia, bllokada e përçarja që na ka ndjekur këto vite. Le të fitojë populli i Kosovës siç di të fitojë në ditën e zgjedhjeve”, tha Abdixhiku.
Kandidati i PDK-së për kryeministër voton në Mitrovicë të Jugut
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, votoi rreth orës 10:00 në Mitrovicë të Jugut.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të votojnë sipas bindjeve dhe vullnetit të tyre.
Rreth orës 9:40, votoi në Prishtinë edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti.
Voton kandidati për kryeministër nga LVV, Albin Kurti
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, votoi në Prishtinë rreth orës 9:40.
“Shpresoj që pjesëmarrja të jetë masive”, tha Kurti para gazetarëve.
Kosovë: KQZ njofton pjesëmarrjen në zgjedhje deri në orën 09:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po i përditëson të dhënat lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Në përditësimin e fundit, KQZ njofton se kanë votuan 51 mijë e 163 qytetarë.
Shprehur në përqindje, deri tani të drejtën e votës e shfrytëzuan 2.56% e qytetarëve.
Sipas raportimeve, në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, pjesëmarrja e qytetarëve në qendrat e votimit në Kamenicë po është aktive që nga orët e para të mëngjesit.
Raporti i DnV-së: Shumica e vendvotimeve u hapën pa probleme
Koalicioni Demokracia në Veprim (DnV), që po monitoron zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, bëri të ditur se vetëm 3% e vendvotimeve janë hapur me vonesë, kryesisht për shkak të mungesës së komisionerëve, ndërsa në dy vendvotime shkak ishte edhe ndërprerja e energjisë elektrike.
Një numër i vogël vendvotimesh pati probleme me kamerat dhe vendosjen e kabinave, ndërsa 16% e qendrave nuk kanë infrastrukturë adekuate për personat me aftësi të kufizuara, sipas raportit të DnV-së.
Vëzhguesit raportuan, gjithashtu, prani të materialeve propagandistike brenda 100 metrave të qendrave në 3% të rasteve dhe mungesë të tavolinave ndihmëse në 18% të qendrave, kryesisht në Ferizaj, Gjilan dhe Pejë.
DnV po monitoron procesin me 500 vëzhgues statikë në të gjitha vendvotimet.
Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj voton në Gllogjan
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, votoi rreth orës 09:00 në Gllogjan.
Pas hedhjes së votës, ai u prononcua shkurtimisht para mediave, duke u bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Haradinaj është kandidat i AAK-së për kryeministër të Kosovës.
Lista Serbe nis votimin kolektiv në Mitrovicën e Veriut
Pjesëtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë, kanë dalë për të votuar në mënyrë kolektive nga qendra e Mitrovicës së Veriut, në krye me kryetarin e partisë, Zllatan Ellek.
Votimi kolektiv është bërë një praktikë e zakonshme sa herë që Lista Serbe merr pjesë në zgjedhje.
Në garë për dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, përveç Listës Serbe, janë regjistruar edhe Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit dhe Lidhja Kosovare e Goran Marinkoviqit.
Konferencë e parë e KQZ-së, Elezi: Rezultatet e para do publikohen para orës 20:00
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, bëri të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur sipas planit.
Në konferencën e parë për media, Elezi tha se materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është shpërndarë me kohë në të gjitha vendvotimet.
Ai u bëri thirrje qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor.
Elezi shtoi se KQZ-ja do të nisë në mbrëmje publikimin e rezultateve preliminare, para orës 20:00.
Zgjedhjet e sotme në Kosovë/ Rreth 100 prokurorë të angazhuar në mbrojtje të votës
Në zgjedhjet e sotme parlamentare janë angazhuar rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në mbarë vendin.
Kjo është bërë e ditur të premten nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.
Ata do të kujdestarojnë deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje.
Prokurori i Shtetit i ka ftuar qytetarët, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.
Voton i pari kryetari i KQZ-së së Kosovës, thirrja që u bëri qytetarëve
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, votoi i pari në Pejë, pak minuta pas orës 07:00.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Radoniqi tha se nga ana e KQZ-së janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe se, pavarësisht kohës së shkurtër, procesi ka nisur me kohë.
Sipas tij, edhe procesi i votimit në diasporë, që u zhvillua një ditë më herët, ka shkuar shumë mirë.
“Në këtë qendër të votimit sot votohet për zgjedhjet parlamentare. Dua ta shfrytëzoj këtë rast që t’i ftoj të gjithë qytetarët të votojnë. Nga ana e KQZ-së, të gjitha përgatitjet janë bërë, përkundër kohës së shkurtër dhe sfidave që kemi pasur. Kemi arritur që procesi të përfundojë në kohë. Dje u zhvillua votimi në diasporë, i cili sipas njoftimeve ka shkuar shumë mirë dhe ka qenë proces i qetë. Qendra në Uashington, Toronto dhe Otavë u mbyllën gjatë natës. Uroj të jetë një ditë e qetë dhe që i tërë procesi të mos ketë asnjë problem”, tha Radoniqi.
“Çdo person që ka nevojë për asistim duhet të paraqesë një dokument përkatës, që tregon se nuk ka mundësi të votojë vetë. Varësisht nga nevojat e qytetarëve, mund t’u dorëzohet asistencë. Për ata që nuk dinë të lexojnë, ligji këtë kategori e ka larguar si kategori për të votuar me asistencë. KQZ nuk ua mohon të drejtën e votimit, dhe asistenca mund të jepet deri te kutia e votimit, por jo prapa saj”, shtoi ai.
Zgjedhjet e dyta parlamentare në Kosovë, kush janë subjektet politike që garojnë dhe masat e sigurisë
Në Kosovë mbahen sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku të drejtë vote sipas KQZ-së, kanë 2 milionë e 76 mijë e 290 votues
Sipas KQZ-së, për zgjedhjet e 28 dhjetorit garojnë 22 subjekte politike, prej tyre janë 18 parti politike, 3 koalicione parazgjedhore, si dhe 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ndër partitë kryesore që garojnë në këto zgjedhje janë, Lëvizja Vetëvendosje, VV, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, dhe nga radhët e serbëve të Kosovës Lista Srpska, që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Në këto zgjedhje garojnë gjithsej 1180 kandidatë për deputetë që i ka certifikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Rreth 67 për qind janë burra, ndërkaq rreth 33 për qind janë gra. Qendrat e votimit janë hapur nga ora shtatë e mëngjesit dhe mbyllen në shtatë të mbrëmjes.
Për të garantuar një proces të drejtë votimi pa probleme, janë të angazhuar qindra forca policore, ndërsa rreth 100 prokurorë janë angazhuar për mbrojtjen e votës në zgjedhjet e së dielës. Zyra e Prokurorit të Shtetit njofton se qëllimi kryesor i angazhimit të 100 prokurorëve është “mbrojtja e votës së lirë të qytetarëve dhe garantimi i integritetit të procesit zgjedhor”.
Policia e Kosovës nga ana e saj thekson, se “në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, mbetet e përkushtuar në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme, me qëllim të garantimit të ushtrimit të lirë dhe demokratik të së drejtës së votës për të gjithë qytetarët”
Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian
Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së
Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta