Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta shkëmbyen të hënën akuza rreth një huaje nga Arabia Saudite për projektet infrastrukturore në Vlorë.
Gjatë një vizite në Vlorë, Rama tha se Meta ka bllokuar vijimin e projekteve duke penguar sigurimin e fondeve për investime. Bëhet fjalë për një fond nga Arabia Saudite, i cili qe negociuar nga qeveria mirëpo sipas Ramës Presidenti Meta nuk ka dhënë dakordësinë për konkretizimin në marrëveshje.
Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi reagoi në mbrëmje duke hedhur poshtë pretendimet. Ai tha se sipas procedurave ligjore për të negociuar hua financiare nevojitet autorizim nga Presidenti. Në rastin në fjalë Blushi tha se Meta ka kërkuar informacione se pse nuk është respektuar procedura dhe se pas kësaj lëvizjeje qëndrojnë “qëllime elektorale”.
“Edhe nëse ka pasur negocim për këtë marrëveshje, siç pretendon Kryeministri, ky proces negocimi është kryer në shkelje të rëndë të Kushtetutës, dhe ligjit nr. 43/2016, i cili kërkon në mënyrë të detyrueshme që për nisjen e procesit të negocimit, duhet patjetër Autorizim nga Presidenti i Republikës,” – tha ndër të tjera Blushi.
Pak më vonë, Kryeministri Rama reagoi në Twitter duke shkruar se çështja është “për të qarë e për të qeshur”.
“Ilir Meta thotë se realizimi i një projekti të hartuar prej kohësh për infrastrukturën turistike të Vlorës qenka ‘qëllim selektiv elektoral’, prandaj ai e mbaka bllokuar prej muajsh autorizimin formal për marrjen e financimit të siguruar nga Fondi Saudit! Të qash e të qeshësh!” – shkroi Rama.
Më tej kryeministri u shpreh se gjithçka “është gati” dhe se “do të presë edhe pak me durim” që Presidenti “të lexojë sqarimet” përpara se ai “të flasë me Vlorën”.
Projekti që u përfol mes dy drejtuesve të shtetit bën fjalë për ndërhyrje shtesë në zonën Vlorë-Radhimë-Orikum ku parashikohet rikualifikim urban.