Rama në Samitin për Klimës në Baku: Të shkojmë përtej fjalëve, duhen veprime
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Samitin e liderëve botërorë të veprimit për klimën, i cili është organizuar përpara Konferencës së 29-të të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP29), në Baku të Azerbajxhanit.
Gjatë fjalës së tij, Rama ka theksuar pasigurinë dhe pasojat e ndryshimeve klimatike në një botë gjithnjë e më të ndarë.
Ai ka shprehur shqetësimin se konkretisht nuk ka pasur përparim në uljen e emetimeve të karbonit, që janë rritur nga viti i kaluar deri në këtë moment.
Rama ka kritikuar faktin se disa shtete, përfshirë aktorë të mëdhenj dhe të vegjël, kanë bojkotuar këtë ngjarje, duke theksuar se pa vullnet të përbashkët politik, këto takime nuk mund të çojnë në veprime konkrete dhe të kuptimta.
Kryeministri ka folur gjithashtu për përparimin e Shqipërisë në energjinë e ripërtëritshme, ku tha se vendi është krenar për të prodhuar 100% energji të tillë.
“Vendosa ta lë mënjanë fjalimin tim të mirë përgatitur, sepse ndërkohë që prej ditës së djeshme shihja ekranet e heshtura të televizorëve në sallën e pritjes së udhëheqësve ku organizatorët kishin menduar me kujdes të shtonin bimë të gjelbra mbi kolltukët e rehatshëm.
Njerëzit aty hanë, pinë, takohen dhe bëjnë foto së bashku. Ndërsa pamje fjalimesh pa zë nga udhëheqësit vazhdojnë të shfaqen papushim në sfond.
Mua kjo më duket saktësisht ajo çfarë ndodh në botën reale çdo ditë.
Jeta vazhdon me zakonet e saj të vjetra dhe fjalimet tona të mbushura përplot me fjalë të mira për të luftuar ndryshimin e klimës që nuk ndryshojnë asgjë. Edhe më keq, ashtu siç Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara e theksoi dje, emetimet e karbonit faktikisht janë rritur gjatë këtij viti nga COP-i i vitit të kaluar deri tek ky aktual në vend që të ulen dhe objektivat ambicioze po shtyhen edhe një herë në një botë që gjithmonë e më shumë është e çoroditur e thellësisht e ndarë.
Vij këtu nga një vend i vogël në mes të Europës, Shqipëria, ku jemi krenar që kemi prodhim 100 % me energji të ripërtëritshme. Por çfarë nënkupton për të ardhmen e botës nëse ndotësit më të mëdhenj vazhdojnë punën e tyre si përherë?
Larg qoftë t’i jap leksion ndonjërit, duke qenë se në fund të fundit jemi mësuar që të na bëjnë leksione, jo t’u bëjmë ne të tjerëve, por ajo që po them është çfarë dreqin po bëjmë në këto mbledhje njëra pas tjetrës, nëse nuk ka vullnet të përbashkët politik në horizont për të shkuar përtej fjalëve dhe për t’u bashkuar për veprime kuptimplota. Dhe ç’është më e keqja, disa aktorë të mëdhenj dhe të vegjël edhe e bojkotuan këtë ngjarje vjetore.
Çfarë do të thotë kjo?
Për një kohë të gjatë, ne shqiptarët jetuam nën mallkimin e një historie mizore që na la në izolim të plotë pa asnjë të drejtë individuale, pa asnjë liri lëvizjeje, pa asnjë shpresë për të ardhmen. Ndërkohë që së fundmi jemi të bekuar me shoqërinë e Bashkimit Europian dhe për herë të parë në historinë tonë liritë, të drejtat individuale, ëndrrat dhe shpresat janë bërë pjesë e jetës sonë, por ajo çfarë po ndodh në Europë dhe në botë sot nuk lë shumë hapësirë për optimizëm dhe pse optimizmi është e vetmja mënyrë mbijetese që njohim ne shqiptarët.
Ndërkohë që pamja ime pa zë shfaqet në ekranet e heshtura të sallës së bukur të pritjes pas kësaj dhome, dua ta përfundoj duke përmendur një histori nga Enes bin Malik, Allahu qoftë i kënaqur me të – (meqë ra fjala unë jam katolik) – i cili tregoi se profeti Muhamed, (paqja qoftë mbi të), thoshte që “Në qoftë se dita e gjykimit vjen, ndërkohë që njeri prej jush ka një fidan në dorë, nëse mundet ta mbjellë përpara se ajo të vijë, atëherë le ta mbjellë””, tha Rama.
LEXONI GJITHASHTU:
Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta