Rrafshohet kampi i refugjatëve në Gaza| Banorët pa ujë e ushqime, vijon ‘arratisja’

31 Maj 2024 | 16:44

Palestinezët në Xhabalia kanë kërkuar sendet personale në rrënojat e kampit të refugjatëve, pasi ushtria izraelite u tërhoq nga zona pas një operacioni trejavor.

Kampi më i madh i refugjatëve në Gaza, dikur shtëpi e mbi 100 mijë personave, është shkatërruar i tëri nga synimi i shtetit hebre për të eliminuar Hamasin.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza deklaroi se 53 palestinezë ishin vrarë dhe 357 të tjerë të plagosur në luftimet e 24 orëve të fundit.

Ndihma nga ajri u hodhën sërish në Gaza, me njerëzit që vraponin drejt pikave të rënies për të marrë ushqime dhe furnizime të tjera.

Në një konferencë shtypi në Nju Jork, zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së përshkroi një tablo të zymtë të situatës në Rripin e Gazës.

“Intensifikimi i akteve armiqësore dhe aksesi i kufizuar tek ndihmat vijojnë të pengojnë operacionet në Gaza, ku qindra mijëra njerëz janë në nevojë akute”, tha Stéphane Dujarric, zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.

Por administrata Biden insiston se aksioni ushtarak izraelit në Rafah nuk është operacioni madhor të cilin zyrtarët e paralajmërojnë prej javësh.

“Ne kemi qenë të qartë sa i takon kësaj. Nuk është një operacion ushtarak madhor. Nuk do ta kategorizoj në një mënyrë apo një tjetër. Kjo është një situatë shumë dinamike. Ne do të vazhdojmë konsultimet me partnerët tanë në Izrael dhe të angazhohemi në këto çështje”, tha Vedant Patel, zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Ndërkohë, familjet vazhdojnë të largohen nga Rafahu në kërkim të zonave të sigurta në enklavë.

“Është hera e katërt që zhvendosemi. Erdhëm nga Tufahu, pasataj shkuam në Serat, më pas në Deir el Belah dhe më pas në Rafah. Tani do të kthehemi në Deir el Belah”, tha një burrë.

OKB vlerëson se rreth 900 mijë persona janë larguar nga qyteti që nga nisja e operacionit “të kufizuar” ushtarak izraelit.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Urime Spanjës, faleminderit lojtarëve tanë”, mesazhi i Macron pas eliminimit të Francës

Spanja eliminoi Francën në gjysmëfinale të Kupës së Botës. “Furia e Kuqe” mposhti “Gjelat” me rezultat 0-2 për të siguruar biletën për finalen e madhe,...
08:37 | 15/07/2026

Një i vdekur dhe 2 të zhdukur pas përmbytjes së një anijeje me 19 persona në Gjirin e San Franciskos (VIDEO)

Një person ka vdekur dhe  dy të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një varkë lundruese trekatëshe me 19 persona në bord u përmbys pranë ishullit...
08:31 | 15/07/2026

Zjarret vdekjeprurëse në Spanjë, 12 nga 13 viktimat ishin të huaj

Autoritetet spanjolle kanë njoftuar se shtatë britanikë janë midis 12 të huajve të vrarë në zjarret në Spanjën jugore. Zyrtarët thanë se 12 nga 13 viktimat ishin...
08:28 | 15/07/2026