Rrëfimi prekës i nënës që shpëtoi me foshnjën 18-ditëshe nga rrënojat e tërmetit në Venezuelë: I prekja hundën nëse merrte frymë

29 Qershor 2026 | 16:53

Një nënë, e cila u nxor e gjallë nga rrënojat e banesës së saj së bashku me foshnjën 18-ditëshe, ka treguar momentet dramatike që përjetoi pas tërmetit shkatërrues në Venezuelë. Dayana Patino thotë se ishte djali i saj, Juan David, ai që i dha forcën për të mbijetuar.

“Sa kohë ai ishte gjallë, edhe unë do të jetoja. Herë pas here i prekja hundën për t’u siguruar se ende merrte frymë”, rrëfeu ajo për BBC.

Pamjet e operacionit të shpëtimit janë shpërndarë në mbarë botën, ndërsa foshnja Juan David është kthyer në simbol të shpresës në Venezuelë, e cila u godit nga dy tërmete të fuqishme të mërkurën. Bilanci i viktimave ka arritur të paktën në 1.450 persona, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

Presidenti i përkohshëm i vendit e ka cilësuar tragjedinë si “katastrofën natyrore më brutale në historinë e Venezuelës”. Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën, megjithëse shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë po zbehen çdo orë.

Dayana tregoi se në momentin kur goditi tërmeti ndodhej në apartamentin e saj në katin e tetë, në rajonin bregdetar të La Guaira, duke larë enët. Ajo vrapoi menjëherë drejt foshnjës, duke menduar se bëhej fjalë vetëm për një lëkundje të lehtë.

“Ndieja sikur po fluturoja. Më pas sikur po fundosesha në ujë dhe baltë. Përfundova në një gropë mes rrënojave. Nuk e di si nuk më ra nga duart foshnja, ndërsa përplasesha mbi mobilje”, kujton ajo.

E bllokuar nën beton, me këmbën e majtë të zënë dhe pa mundësi lëvizjeje, Dayana vendosi të kursente energjitë.

“E kuptova se askush nuk mund të më dëgjonte. Vendosa të bërtisja vetëm kur të dëgjoja zëra ose hapa pranë meje”, tha ajo.

Mes errësirës, ajo gjeti një Bibël poshtë vetes, gjë që i dha shpresë për të vazhduar betejën për jetën.

“Aty nisi rrugëtimi im për të mbijetuar”, tregoi ajo.

Shpresa u kthye në realitet kur dëgjoi të vëllanë që thërriste emrin e saj.

“I thashë vetes se ishte shansi im i vetëm. Bërtita me gjithë fuqinë: ‘Jam këtu!’. Ai më tha: ‘Të gjeta dhe të premtoj se nuk do të largohem derisa të të nxjerr prej këtej’.”

Premtimi u mbajt. Pas një operacioni të ndërlikuar shpëtimi, Dayana dhe foshnja u nxorën të gjallë nga rrënojat të enjten në mbrëmje.

Nga tërmeti, Dayana pësoi dëmtime në të dyja këmbët, ndërsa Juan David shpëtoi me plagë të lehta.

Bashkëshorti i saj, Gerson, kishte mbërritur pranë banesës pak çaste para goditjes së tërmetit dhe arriti të shpëtonte duke kaluar një gardh. Kur pa ndërtesën e shembur, mendoi se kishte humbur gruan dhe djalin.

“Ishte një mrekulli. Mendova se kishin vdekur. Kur pashë djalin tim, u ndjeva sikur linda përsëri. Nuk mund ta besoja. Ishte sikur jeta m’u kthye sërish”, tha ai.

Sot familja ka humbur shtëpinë dhe pothuajse të gjitha sendet personale, ndërsa qeni i tyre vazhdon të jetë i zhdukur. Megjithatë, ata shprehen të vendosur të nisin gjithçka nga e para.

“Humbëm pothuajse gjithçka, por jemi gjallë. Do ta rindërtojmë gjithçka që kemi humbur”, premtoi Gerson.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Shtetet e Gjirit po mbajnë barrën e hakmarrjes së Iranit, pse nuk kundërpërgjigjen?

Gjatë gjithë luftës së saj me SHBA-në, kundërsulmi i Iranit është drejtuar kryesisht ndaj vendeve arabe të pasura me naftë që kufizohen me Gjirin Persik. Irani ka...
09:40 | 21/07/2026

A rrezikon kryeministri izraelit të arrestohet në SHBA? Përgjigjet Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk përballet me asnjë rrezik arrestimi në territorin amerikan, pavarësisht urdhër-arrestit të...
09:30 | 21/07/2026

Sulm me dron në verilindje të Ukrainës, përfshihet nga flakët një qendër tregtare

Një qendër tregtare për materiale dhe pajisje për përmirësimin e banesave në qytetin Sumy, në verilindje të Ukrainës, është përfshirë nga flakët pas një sulmi...
09:25 | 21/07/2026