Rriten shqetësimet për një recesion global, Trump paralajmëron rikthimin e tarifave

24 Prill 2025 | 11:31

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se administrata e tij mund të rikthejë tarifat ndaj vendeve të ndryshme brenda dy ose tre javësh. Deklarata vjen në një moment kur tensionet tregtare globale janë sërish në rritje, duke shtuar pasiguritë ekonomike dhe frikën për një recesion të mundshëm në SHBA.

“Besoj se në fund do të kemi marrëveshje të shkëlqyera. Por nëse jo, ne do të vendosim tarifat. Mund të ndodhë brenda dy apo tre javësh,” tha Trump gjatë një ceremonie në Zyrën Ovale.

Trump kishte pezulluar më 9 prill tarifat “reciproke”, të cilat në praktikë nuk përmbajnë domosdoshmërisht reciprocitet. Rreth 90 deri në 100 vende janë shprehur të gatshme për bisedime, duke vënë në presion të lartë ekipet negociatore amerikane.

Nëse nuk arrihen marrëveshjet, tarifat mund të rikthehen me përjashtim të Kinës, për të cilën Trump ka vendosur një tarifë prej 145%.

Aktualisht, SHBA aplikon një tarifë universale prej 10% për shumicën e mallrave të importuara, me tarifa më të larta për produkte të caktuara.

Përshkallëzimi i mundshëm i masave tarifore ka tronditur tregjet financiare. Edhe pse S&P 500 ka pasur një rimëkëmbje të pjesshme, që nga mesi i shkurtit ka humbur rreth 7 trilionë dollarë në vlerë tregu. Bizneset dhe konsumatorët ndihen të pasigurt, ndërsa organizatat financiare ndërkombëtare paralajmërojnë për një ngadalësim të rritjes ekonomike globale.

Ndërkohë, lufta tregtare me Kinën është përshkallëzuar më tej. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka pohuar se tarifat ndaj Kinës janë “efektivisht embargo”, ndërsa parashikoi një zbutje të mundshme të situatës, por jo heqje të plotë të masave.

Trump ka lënë të kuptohet se do të presë vetëm për një kohë të kufizuar për një marrëveshje me Pekinin. “Unë shkoj mirë me Presidentin Xi. Më duhet të shpresoj që mund të bëjmë një marrëveshje, përndryshe, do të vendosim një çmim,” tha ai.

Në përgjigje të qëndrimit të ri të SHBA, Kina ka reaguar ashpër. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, theksoi se Uashingtoni duhet të ndalojë presionin ekstrem dhe të kthehet në një dialog të bazuar në barazi dhe respekt reciprok.

“Të vazhdosh të kërkosh një marrëveshje duke ushtruar presion ekstrem nuk është mënyra e duhur për t’u marrë me Kinën – dhe thjesht nuk do të funksionojë,” deklaroi Guo.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Irani është shuar plotësisht ushtarakisht”, Trump: Ka rënë dakord për gjithçka që na nevojitet

Presidenti Donald Trump ka pretenduar se Irani ka “rënë dakord për pothuajse gjithçka që na nevojitet” në negociata. Presidenti amerikan tha se nuk po “kërkonte...
10:49 | 03/07/2026

Jep dorëheqjen kryeministri i Moldavisë, Alexandru Munteanu. Rrëzohet dhe qeveria

Alexandru Munteanu njoftoi dorëheqjen e tij nga posti i Kryeministrit të Moldavisë këtë të premte, në një zhvillim të papritur që çon edhe në rrëzimin...
09:52 | 03/07/2026

SHBA refuzon rinovimin e marrëveshjes me Kanadanë dhe Meksikën, pritet të hapen negociata të reja tregtare

Administrata e presidentit Donald Trump ka refuzuar të rinovojë në formën aktuale Marrëveshjen SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA), duke përmendur çekuilibrat tregtarë dhe mangësitë rregullatore. Vendimi rrit pasiguritë...
09:50 | 03/07/2026