Samiti i Berlinit/Rekomandimet e shoqërisë civile për zbatimin e Agjendës së Gjelbër

4 Tetor 2023 | 23:15

Në emisionin Berlin Talks, në Euronews Albania, u analizuan prioritetet e Rekomandimet e shoqërisë civile për zbatimin e Agjendës së Gjelbër, në Ballkanin Perëndimor.

Për klimën dhe ndikimin e saj në jetën e secilit prej nesh flitet shumë, e gjithmonë e më shumë do flitet në vitet në vijim. Ajo është edhe një nga çështjet që do të trajtohet në Samitin e Tiranës për procesin e Berlinit. Vitet e fundit ka një angazhim serioz dhe të dedikuar të shoqërisë civile në zbatin e Agjendës së Gjelbër, si një mekanizëm efikas për mbrojtjen e klimës në rajon. Grupi tematik i punës përfaqësohet me ekspertët e “Institutit për qeverisje të mirë dhe politika për mjedisin dhe ndryshimet klimatike”, një organizatë jofitimprurëse në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Kornizat e para angazhuese në lidhje me klimën u vendosën me miratimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Kjo agjendë dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane janë dy nga iniciativat e rëndësishme për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të ndërtuar një strategji të qëndrueshme për zhvillimin e rajonit. Zbatimi i saj synon të çojë në neutralitetin klimatik të Bashkimit Evropian deri në vitin 2050.

Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor përfshin pesë fusha kryesore: klimën, energjinë dhe lëvizshmërinë, ekonominë qarkulluese, parandalimin e ndotjes, bujqësinë e qëndrueshme dhe prodhimin e ushqimit dhe biodiversitetin.

Ndryshimet klimatike kanë ndikime të mëdha në Ballkanin Perëndimor, duke filluar nga rritja e temperaturës. Gjatë shekujve të kaluar, temperaturat ekstreme kanë pësuar rritje të ndjeshme. Rajoni është i ekspozuar ndaj reshjeve të mëdha të shiut, që shkaktojnë përmbytje dhe dëme në infrastrukturë dhe bujqësi.

Ndotja e ajrit është një tjetër sfidë e rëndësishme për rajonin. Përqëndrimet e larta të grimcave pezull në ajër kanë pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve dhe në Ballkanin Perëndimor, kjo është një problematikë serioze. Agjenda e Gjelbër përfshin masa për monitorimin e cilësisë së ajrit dhe reduktimin e ndotjes së ajrit, duke inkurajuar bashkëpunimin rajonal në këtë drejtim.

Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor propozon një sërë masash për të përballuar këto sfida dhe të tjera të ngjashme. Në fushën e klimës dhe energjisë, synohet dekarbonizimi, përdorimi i energjisë së pastër, dhe promovimi i transportit të qëndrueshëm. Në ekonominë qarkulluese, theksohet rëndësia e ripërdorimit dhe riciklimit të produkteve.

Për të realizuar këto qëllime, bashkëpunimi rajonal është thelbësor. Agjenda e Gjelbër inkurajon vendet e rajonit të bashkëpunojnë në monitorimin e mjedisit, zbatimin e standardeve të mjedisit, dhe zhvillimin e planeve të përbashkëta për ruajtjen e biodiversitetit dhe mjedisit.

Parë gjithë këtë panoramë të situatës me klimën, kërkohet një plan i detajuar masash nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Instituti për qerverisje të mirë dhe politika për mjedisin dhe ndryshimet klimatike ka draftuar shtatë rekomandime që do të paraqiten në Samitin e Tiranës që do të mbahet në datat 14-15 Tetor.

Rekomandimet janë bazuar në këto shtylla kryesore; Investimet në infrastrukturën e gjelbër; Mirëqeverisja në fushën e mjedisit; Biodiversiteti dhe mbrojtja e burimeve natyrore.

Rekomandimi i parë: Mbështetje me financime nga BE

Bashkimi Evropian duhet të ofrojë mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor duke shqyrtuar mekanizmin e financimit të ndërtuar në bazë të solidaritetit dhe qasjes së nivelit të shumëfishtë të qeverisjes,

Rekomandimi i dytë: Ngritja e Qendrës rajonale me focus infrastrukturën

Bashkimi Evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve financiare, duhet të punojnë drejt ngritjes së një “Qendre Rajonale ËB6 e Fokusuar në Projekte të Infrastrukturës”, me qëllim nxitjen e bashkëpunimit rajonal në projekte të infrastrukturës së gjelbër. Ngritja në nivelin e Qendrës do të ndihmojë në rritjen e aftësive të saj, duke tërhequr personel të kualifikuar dhe me përvojë nga rajoni me ekspertizë në menaxhimin e projekteve dhe infrastrukturën e gjelbër.

Rekomandimi i tretë: Fonde kombëtare nga qeveritë për mjedisin

Kryeministrat, Ministra të Financave dhe Ministra të Mjedisit në vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndërmarrin veprime të shpejta për të avancuar kapacitetet e autoriteteve kombëtare dhe nën-nacionale të besuara me përgjegjësitë e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike. Këto veprime duhet të shoqërohen me përpjekje të fokusuara për të forcuar efektshmërinë e programimit dhe menaxhimit të fondeve të dhënat nga donatorët.

Rekomandimi i katërt: Përmirësim i kapaciteteve të administratës publike në mjedis

Procesi i përmirësimit të kapaciteteve administrative duhet të përshpejtohet, për shkak të urgjencës së çështjes së klimës. Vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë kështu në pozitë më të mirë për të përballuar kompleksitetet e zbatimit të normave mjedisore dhe për të arritur neutralitetin klimatik, në përputhje me objektivat e procesit të integrimi në BE dhe marrëveshjen e Shkëmbimit të Gjelbër.

Rekomandimi i pestë: Masa për financim të qëndrueshëm

Liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të ndërmarrin vendime për një plan masash për sigurimin e financimit të qëndrueshëm e të dedikuar për ruajtjen dhe restaurimin e burimeve natyrore të çmuara të rajonit. Arritja e objektivave është e mundur vetëm me financim të mjaftueshëm dhe rritje kompetencash për autoritetet.

Rekomandimi i gjashtë: Të kthejmë natyrën në jetën tonë

Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përshtaten me “Strategjinë e BE-së për Biodiversitetin për 2030 – Duke Kthyer Natyrën në Jetën Tonë.” Përputhja kryesore në këtë përshtatje është marrja e masave për të arritur objektivat e vendosura, për krijuar një rrjet koherent të zonave të mbrojtura të menaxhuara mire. Masa duhet të merren edhe për të mbrojtur të paktën 30% të sipërfaqes tokësore dhe 30% të sipërfaqes detare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Rekomandimi i shtatë: Alokim që nis nga 30% financim për klimën

Bashkimi Evropian duhet të vendosë një mekanizëm që siguron një alokim minimal prej 30% të financimit të lidhur me klimën për vendet e Ballkanit Perëndimor, që të investohet në biodiversitet dhe zgjidhje bazuar në natyrë. Zgjidhjet e tilla duhet të nxisin biodiversitetin duke promovuar veprimtaritë kyçe, përfshirë, por pa u kufizuar te hulumtimi shkencor i avancuar, zbatimi i masave strategjike të mbrojtjes dhe restaurimit, themelimi i praktikave të forta të monitorimit të biodiversitetit, ngritja e iniciativave edukative, menaxhimi i zonave të mbrojtura.

Ekspertët vlerësojnë se nëse nuk merren masa të menjëhershme për të frenuar ndryshimet klimatike, pritet që rajoni i Ballkanit Perëndimor të përjetojë një rritje të temperaturës prej 5 gradë celsius deri në fund të shekullit. Kjo do të sjellë pasoja katastrofike për mjedisin dhe jetën e qytetarëve.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protesta në Tiranë hyn në ditën e 25-të, qytetarët pritet të mblidhen para godinës së Kryeministrisë

Ashtu si çdo ditë tjetër, edhe këtë të mërkurë pritet të zhvillohet protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë, e cila ka hyrë në ditën...
18:48 | 24/06/2026

ISHP: Kujdes nga vapa, ja problematika shëndetësore që shkakton

Shqipëria gjendet në periferi të valës së të nxehtit që ka goditur Europën, por sërish temperaturat maksimale dhe minimale janë të larta për muajin në...
18:02 | 24/06/2026

Rrebeshe të forta shiu përfshijnë Elbasanin, vështirësi në qarkullimin rrugor

Rrebeshe të forta shiu kanë përfshirë pasditen e së mërkurës qytetin e Elbasanit dhe zonat përreth, duke sjellë vështirësi të përkohshme në qarkullimin rrugor. Reshjet,...
16:47 | 24/06/2026