Autoritetet serbe kanë ndaluar marshin e EuroPride disa ditë para se tubimi panevropian ishte parashikuar të mbahej në Beograd. Ky njoftim ka nxitur kritika nga organizatorët e kësaj ngjarjeje dedikuar komunitetit LGBT.
Organizata “Krenaria e Beogradit” shkroi në Tëitter më 13 shtator se policia serbe ka ndaluar marshin e sivjetmë të EuroPride-it dhe organizatorëve u është dorëzuar njoftimi zyrtar.
Por, kjo organizatë u zotua se do të përdorë “të gjitha rrugët ligjore për të shfuqizuar këtë vendim” me qëllim që të organizojnë Paradën e sivjetme të Krenarisë.
Ministria e Brendshme më vonë konfirmoi për REL-in se marshi i EuroPride, i parashikuar të mbahej më 17 shtator në Beograd, është ndaluar. Po ashtu është ndaluar mbajtja e një kundërproteste të paralajmëruar në po të njëjtën ditë.
Ministria tha se ka “rrezik të lartë të sigurisë për pjesëmarrësit, por edhe për sigurinë e qytetarëve të tjerë”. Kjo ministri shtoi se pas një vlerësimi të sigurisë, kanë ardhur në përfundim se mbajtja e një marshi të tillë do të “paraqiste rrezik për dhunë, shkatërrim të pronës dhe forma të tjera të prishjes së rendit publik në një shkallë të gjerë”.
Ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, shtoi se “në situatën aktuale gjeopolitike dhe tensionet në rajon, përplasjet e pakuptimta në rrugët e Beogradit do të bënin që pozicioni i shtetit tonë të ishte më i vështirë dhe do të vinin në rrezik sigurinë e pjesëmarrësve në marsh, por edhe të qytetarëve të tjerë”.
LEXONI GJITHASHTU:
- Presion Vuçiç për Europride, aktivistët: Do të dalim në shesh, reagon Kisha
- Mes shumë polemikash, nis ‘Europride’ në Serbi