SHBA-ja dhe Ukraina zhvillojnë bisedime “frytdhënëse”

24 Mars 2025 | 08:39

Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas i përmbyllën bisedimet e tyre në Arabinë Saudite të dielën, një ditë para se negociatorët amerikanë të takohen të hënën me përfaqësuesit e Rusisë në përpjekje për ta arritur një marrëveshje për armëpushim në luftën në Ukrainë.

Ekipi i Uashingtonit nuk ka komentuar ende bisedimet me përfaqësuesit e Kievit, por ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, tha se bisedimet ishin “konstruktive dhe kuptimplota”.

“Diskutimet ishin frytdhënëse dhe të përqendruara. Adresuam çështje kyçë, përfshirë energjinë”, shkroi Umerov në Facebook.

“Qëllimi i presidentit Volodymyr Zelensky është ta sigurojë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për vendin dhe popullin tonë – dhe për gjithë Evropën. Ne po punojmë për ta arritur këtë synim”, shtoi ai.

Bisedimet në Riad shënuan një moment historik në përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për ta arritur një armëpushim në luftën në Ukrainë. Më parë, ka pasur ndërprerje prej një ose më shumë ditësh midis rundeve të ndryshme të bisedimeve dypalëshe.

Zyrtarët amerikanë dhe rusë do të takohen sot në qytetin saudit. Mediat shtetërore ruse raportuan se delegacioni i Moskës mbërriti mbrëmjen e së dielës.

New York Times dhe Reuters, duke cituar burime, raportuan se një takim tjetër midis përfaqësuesve amerikanë dhe ukrainas mund të zhvillohet pas bisedimeve SHBA-Rusi për të diskutuar marrëveshje të mundshme.

Megjithatë, edhe pse negociatorët rusë dhe ukrainas do të jenë në të njëjtin vend teksa zhvillojnë bisedime me delegacionin amerikan, pak njerëz presin ndonjë përparim të madh.

Zelensky, duke folur derisa bisedimet po zhvilloheshin, tha se “ekipi ynë po punon në një mënyrë plotësisht konstruktive”.

“Biseda është mjaft e dobishme – puna e delegacioneve po vazhdon”, shtoi ai.

“Por, pavarësisht se çfarë u themi sot partnerëve tanë, ne duhet ta bëjmë [presidentin rus Vladimir] Putin të japë urdhër të vërtetë për t’i ndaluar sulmet. Kushdo që e solli këtë luftë, duhet ta ndalojë atë”, nënvizoi Zelensky.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë shprehur optimizëm para takimeve në Arabinë Saudite.

“Mendoj se të hënën do të shihni një përparim të vërtetë në Arabinë Saudite”, tha për Fox News i dërguari amerikan, Steve Witkoff, më 22 mars.

Kievi dhe Moska kanë qenë më të përmbajtur në pikëpamjet e tyre.

Në Rusi, ku Radio Evropa e Lirë është shpallur organizatë e padëshirueshme dhe është praktikisht e ndaluar, ishte zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ai që shoi çdo shpresë për një marrëveshje të shpejtë.

“Nuk duhet të kemi pritshmëri të larta. Një punë shumë serioze dhe e madhe na pret. Do të duhet të futemi në hollësi”, tha ai në një intervistë për televizionin shtetëror të dielën.

“Jemi vetëm në fillim të kësaj rruge”, shtoi ai.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tërmetet në Venezuelë, rritet në 1,450 numri i viktimave. 3,150 persona janë plagosur

Të paktën 1,450 persona janë konfirmuar të vdekur pas dy tërmeteve që tronditën Venezuelën javën e kaluar, sipas Presidentit të Asamblesë Kombëtare Jorge Rodriguez në...
20:22 | 28/06/2026

Tentoi t’i arratisej policisë, shoferi përplaset me makinën që priste në semafor. 2 të vdekur dhe 1 i plagosur në Barcelonë

Një aksident i rëndë u regjistrua këtë të diele në Barcelonë, kur dy persona humbën jetën dhe një tjetër u plagos. Shoferi i njërit mjet...
18:54 | 28/06/2026

Trump kontrollon projektet e rinovimit në Uashington

Presidenti amerikan, Donald Trump kontrolloi disa nga projektet e tij të rinovimit në Uashington DC të dielën në mëngjes, duke filluar me një shëtitje në...
18:20 | 28/06/2026