SHBA, niset drejt Detit Mesdhe anija që do të ndërtojë portin e përkohshëm në Gazë

11 Mars 2024 | 07:18

Një anije e ushtrisë amerikane të dielën filloi lundrimin drejt Detit Mesdhe me objektiv ndërtimin e një porti të përkohshëm në Gazë, për të mundësuar dërgimin e më shumë ndihmave humanitare për palestinezët, që po vuajnë nga uria.

Zyrtarët thonë se mund të duhen dy muaj për ndërtimin e portit të përkohshëm.

Komanda Qendrore e ushtrisë tha se anija General Frank S. Besson u nis nga një port i ushtrisë amerikane në Virxhinia 36 orë pasi Presidenti Joe Biden njoftoi në fjalimin e tij për gjendjen e vendit mbi përpjekjet për dërgimin e më shumë ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.

Synimi është që të dërgohen më shumë ushqime dhe pajisje mjekësore përmes portit të përkohshëm në Gazë nga një port i Qipros, pasi forcat izraelite të kenë kontrolluar ngarkesat për t’u siguruar se nuk ka armatime për militantët e Hamasit.

Për shkak të kufizimeve izraelite dhe çështjeve të sigurisë, numri i kamionëve me ndihma që hyjnë në Gazë, në bazë ditore përmes rrugëve tokësore, gjatë pesë muajve të fundit ka qenë shumë më i ulët se afro 500 të tillë që hynin para fillimit të luftës.

Ndërkohë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden shtoi kritikat e tij publike ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Zoti Biden tha se beson se zoti Netanyahu “më shumë po e dëmton sesa po e ndihmon Izraelin” me qasjen që po mban në luftën kundër Hamasit në Gazë, ndërsa shënohen 6 muaj nga nisja e konfliktit.

Duke folur për gazetarin e rrjetit MSNBC Jonathan Capehart, Presidenti shprehu mbështetje për të drejtën e Izraelit për të luftuar Hamasin pas sulmit që militantët e grupit kryen në 7 tetor në jug të Izraelit, por Presidenti tha se zotit Netanjahu duhe t’i kushtojë më tepër vëmendje humbjes së jetëve të pafajshme si pasojë e veprimeve të marra. “Nuk mund të vriten më shumë se 30 mijë palestinezë”, tha ai.

Në Gazë, numri i viktimave palestineze vazhdon të rritet.

Departamenti i Mbrotjes Civile tha se të paktën 9 palestinezë, përfshirë fëmijë, u vranë si pasojë e sulmeve ajrore në një shtëpi në qytetin e Gazës, të shtunën vonë.

Ndërkohë, trupat e pajetë të 13 personave, përfshirë gra dhe fëmijë, u dërguan në spitalin kryesor në qytetin Deir al-Balah, të dielën, sipas një gazetari të agjencisë së lajmeve Associated Press.

Të afërmit e tyre thanë se të 13 u vranë nga goditjet izraelite ndaj një tende të madhe strehimi për palestinezët e zhvendosur në qytetin Khan Younis.

Lufta në Gazë nisi pas sulmit të Hamasit në 7 tetor ndaj Izraelit, ku sipas autoriteteve izraelite u vranë 1200 persona dhe u morën 250 pengje.

Ofensiva e ashpër ajrore dhe tokësore e Izraelit ka shkatërruar pjesë të mëdha të territorit në Gazë, ka detyruar rreth 80% të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh që të zhvendoset dhe ka shkaktuar një krizë humanitare e cila po përkeqësohet.

Shtetet e Bashkuara dhe ndërmjetësuesit rajonalë, Egjipti dhe Katari kishin shpresa për arritjen e një armëpushimi 6-javor, para nisjes së Ramazanit, por bisedimet duket se kanë ngecur, pasi Hamasi nuk pranoi të jepte siguri se një marrëveshje e mundshme armëpushimi do të çonte në dhënien fund të konfliktit.

Ndërmjetësuesit shpresonin të lehtësonin një pjesë të krizës përmes marrëveshjes për një armëpushim të përkohshëm, e cila parashikonte që Hamasi të lironte disa nga pengjet izraelite, Izraeli të lironte disa të burgosur palestinezë dhe organizatat humanitare të kishin mundësi për dërgimin e një fluksi më të madh ndihash në Gazë.

LEXONI GJITHHASHTU: 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

250-vjetori i SHBA-së, Trump shpall 16 ditë festime: Amerika është kthyer

Presidenti Donald Trump hapi një festë 16-ditore të 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara me një tubim politik të mërkurën, fillimi i festimeve të formësuara nga...
10:51 | 25/06/2026

Presidenti zviceran do të vizitojë SHBA-në, kërkon marrëveshje tregtare mbi taksat e Trump

Presidenti zviceran, Guy Parmelin do të vizitojë Shtetet e Bashkuara dhe do të takohet me Përfaqësuesin e Tregtisë të SHBA-së Jamieson Greer javën e ardhshme,...
10:43 | 25/06/2026

Rubio viziton Bahreinin duke kërkuar mbështetjen e Gjirit për marrëveshjen me Iranin 

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio do të takohet me zyrtarë të Bahreinit të enjten në pjesën e fundit të një udhëtimi në Lindjen...
10:35 | 25/06/2026