Shkencëtarët që po kërkojnë për gjurmë jete në planetin Mars janë duke hyrë në një fazë emocionuese të punës, dhe jo pa arsye.
Gjuetia për shenja jete po përmirësohet, pasi tashmë është rritur njohuria për historinë dhe larminë gjeologjike të planetit, si dhe është shtuar vëmendja e tyre ndaj pajisjeve që mund të dallojnë shenja jete.
Megjithatë, kanë ende nevojë për koncepte të reja shkencore, që të dinë me saktësi se ku të kërkojnë dhe se çfarë parametrash të matin.
Astrobiologë dhe shkencëtarë të ndryshëm i diskutuan disa nga këto çështje në konferencën e nëntorit, në Nju Meksiko të SHBA-ve.
Në këtë konferencë, shkencëtarët ranë dakord se vendet më të mira për të nisur kërkimet në Mars ishin shpellat që ndodheshin më në thellësi, si dhe në vende ku ka gjurmë kripe dhe akulli.
Ndonëse sipërfaqja e Marsit është konsideruar si e pabanueshme, në thellësi mendohet se ekzistojnë kushtet për të krijuar një mjedis të banueshëm.
Ndër vite, kërkuesit kanë vëzhguar gropa krateresh që ndodhen në sipërfaqen e planetit. Këto janë formuar nga shpërthimet e tubave të llavës, të cilat kanë krijuar një “dritare tavani” në sipërfaqe.
Shkencëtarët duan t’i eksplorojnë këto tuba për të parë nëse kanë shërbyer si strehë për mikrobe të ndryshme.
Në Tokë, eksploruesit e shpellave kanë zbuluar se në thellësi, aktivitetet mikrobiale kanë shumë më ndryshe se ato në sipërfaqe, më të qëndrueshme e më beninje.
“Është e qartë që duhet bërë shumë për të kërkuar jetë në Mars”, tha Peni Boston, këshilltare për integrimin shkencor te qendra e kërkimeve Ames, për NASA-n, në Kaliforni.
Duke qenë astrobiologe, Boston ka 25 vite që studion shpellat.
“Duhet ta pranojmë që nuk ka vetëm një mënyrë për të bërë kërkime në Mars. Mendimi im personal është se ka ardhur koha që misionet të jenë në të njëjtën linjë me atë që komuniteti ka nisur ta shohë si kthim investimi, dhe jo si vështirësi për të hyrë në një mjedis specifik”, tha Boston, duke shtuar se shpellat nuk janë aq të rrezikshme për t’u eksploruar sa ç’mendojnë njerëzit.
“Njerëzit i mendojnë shpellat si miniera, ndaj kujtojnë se janë të rrezikshme. Minierat janë të rrezikshme sepse janë hapur kohët e fundit prej nesh, nëpërmjet strukturave të njeriut. Ndërsa shpellat natyrale kanë pasur shumë kohë për t’u stabilizuar nga ana gjeologjike. Ka më shumë gjasa që të shembet një katedrale, se një shpellë natyrale. Sigurisht, ka përjashtime për shpellat në zonat sizmike, për të cilat duhet të bëjmë kujdes”, shtoi ajo.