Si e shpëtoi SHBA pilotin e zhdukur në Iran dhe ku qëndroi ai për orë të tëra

6 Prill 2026 | 07:47

Shtetet e Bashkuara kanë realizuar një operacion të guximshëm për shpëtimin e një piloti të zhdukur, anëtari i dytë i ekuipazhit të një avioni luftarak F-15E Strike Eagle, i cili u rrëzua në jugperëndim të Iranit.

Të dy anëtarët e ekuipazhit arritën të hidhen me parashutë para rrëzimit. Anëtari i parë u gjet dhe u nxor nga Irani po atë ditë, ndërsa për të dytin nisi një operacion intensiv kërkimi dhe shpëtimi.

Detajet e sakta të operacionit mbeten të paqarta, përfshirë vendndodhjen e saktë të rrëzimit. Megjithatë, raportimet tregojnë se piloti i dytë arriti të mbijetojë, edhe pse i plagosur, në një mjedis armiqësor, duke iu shmangur kapjes dhe duke u fshehur në një çarje në shpatin e një mali.

Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni refuzuan të japin detaje për më shumë se 24 orë pas rrëzimit, për të mos rrezikuar operacionin e shpëtimit.

Avioni Strike Eagle është i pajisur me një sinjalizues emergjence që mund të aktivizohet automatikisht ose manualisht, duke ndihmuar në lokalizimin e ekuipazhit.

Donald Trump deklaroi se shpëtimi i anëtarit të parë të ekuipazhit zgjati shtatë orë gjatë ditës mbi Iran. Ndërkohë, për pilotin e dytë nisi një garë me kohën, ndërsa Irani kishte ofruar edhe shpërblim për kapjen e tij.

Sipas një zyrtari të lartë të administratës Trump, CIA përhapi qëllimisht informacion të rremë se piloti ishte gjetur dhe po transportohej me rrugë tokësore për t’u nxjerrë nga Irani.

Ky konfuzion, sipas burimeve, ndihmoi në zbulimin e vendndodhjes së tij, ndërsa ai ishte fshehur në një zonë malore.

Piloti u fsheh në terren malor

Sipas raportimeve, piloti arriti t’u shpëtojë forcave që e kërkonin për më shumë se 24 orë, duke u ngjitur në një kreshtë mali rreth 2,400 metra të lartë dhe duke u fshehur në një çarje.

Duke cituar një zyrtar të administratës Trump, The New York Times raportoi se CIA përdori pajisje teknike për të ndihmuar në lokalizimin e tij.

Trump deklaroi se vendndodhja e pilotit monitorohej “24 orë në ditë”, ndërsa ai po ndiqej nga forcat armike që “po afroheshin gjithnjë e më shumë”.

Më pas, SHBA-të nisën një fushatë bombardimesh në zonë për të mbajtur larg forcat iraniane, përpara se të ndërmerrnin misionin e shpëtimit, i cili u zhvillua në kushte të vështira pas vijave të armikut.

Ka paqartësi mbi renditjen e saktë të ngjarjeve, por sipas disa burimeve ushtarake, forcat amerikane u detyruan të sillnin mjete shtesë për shkak të një defekti teknik.

Raportohet se dy avionë transporti u lanë pas dhe u shkatërruan qëllimisht. Nga ana tjetër, komanda e përbashkët ushtarake e Iranit deklaroi se kishte shkatërruar disa mjete ajrore amerikane, përfshirë avionë transporti C-130 Hercules dhe helikopterë UH-60 Black Hawk, në provincën e Isfahanit, ku u zhvillua operacioni.

Edhe pse nuk dihen detaje të plota për gjendjen e pilotit, Trump deklaroi se ai ishte “plagosur rëndë”, por pritet të shërohet.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026

Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta

Irani thotë se marina e saj shënjestroi një anije detare amerikane që strehonte një “qendër komande dhe kontrolli” ndërsa ajo po i afrohej ujërave territoriale...
22:27 | 03/06/2026