Sipërmarrësit e rrugës së Durrësit i ankohen Bashës për vështirësitë që krijoi projekti i Bashkisë Tiranë
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi të hënën takime me sipërmarrës të biznesit të vogël në rrugën e Durrësit dhe rrugën Myslym Shyri në Tiranë.
Basha tha se opozita i ka propozuar qeverisë t’u japë bizneseve të vogla një çek prej 1 mijë euro për të kompensuar dëmet që iu shkaktuan këto 6 muaj nga pandemia dhe efektet e saj në ekonomi.
“Kjo është minimale për të minimizuar dëmet, kjo dhe paga minimale nga qeveria janë të domosdoshme, nuk mjafton vetëm maskat dhe dorezat,” – u shpreh kryetari i PD-së duke kujtuar se opozita ka propozuar planin e saj me pesë pika për të parandaluar përkeqësimin e situatës ekonomike, por që nuk po merret parasysh nga qeveria.
Basha theksoi se “është urgjente që paratë të shkojnë te sipërmarrësit dhe bizneset”, pasi “nëse kështu është gjendja në rrugën e Durrësit dhe Myslym Shyri, në qendër të Tiranës, imagjinoni si është gjendja në rrethe të tjera”.
Sipërmarrës të dyqaneve iu ankuan Bashës për punimet e Bashkisë Tiranë të kryera, sipas tyre, pa njoftime paraprake, të cilat ndikuan në aktivitetin e biznesit. Ata thanë se bllokimi i rrugës dhe lënia pa sistemuar e trotuareve u ka sjellë dëme të mëdha ekonomike pasi nuk kanë pasur punë.
“Për tre muaj nuk po punojnë, trotuaret i kanë lënë ashtu, nga fundi i majit nuk është hedhur as dhe një lopatë. Këto ndikojnë te ne si sipërmarrës, për tre muaj pandemi shkurtuam qiratë, por tashmë prej rrugës askush nuk e merr më me qira,” – u shpreh e shqetësuar pronarja e një ambienti me qira në rrugën e Durrësit duke këmbëngulur se Bashkia Tiranë nuk i kishte konsultuar dhe as njoftuar për projektin.
“Nuk hyn njeri më në dyqan, nuk shesim dot, rruga kështu e ka bërë më keq,” – u ankuan dy sipërmarrës të tjerë dyqanesh elektronike dhe veshjesh në rrugën e Durrësit.
Sipërmarrësit u shprehën ‘pro’ ndërtimeve në infrastrukturë, por theksuan se ishte dashakeqe nga ana e bashkisë që më 20 qershor u mori taksat dhe rreth një javë më vonë u bllokoi rrugën për të rregulluar kanalizimet.
“Ta bëjnë rrugë biçikletash, ose thjeshtë rrugë, po jo autostradë ku makinat s’ndalen fare,” – u ankua një biznesmen.
Në muajin korrik Bashkia Tiranë nisi punimet për vendosjen e një sistemi të ri kanalizimi në rrugën e Durrësit, rrugë e cila më parë ishte me dy drejtime kalimesh dhe prej vitesh kishte ankesa nga bizneset për faktin se nuk lejohej qëndrimi i makinave dhe trotuaret ishin të rrethuara me hekura.
Aktualisht, pas përfundimit të punimeve në rrugë, bashkia e ka kthyer atë me vetëm një drejtim lëvizjeje, ndërsa dy korsi anësore i ka kthyer në korsi për biçikleta. Megjithëse kanë kaluar tre muaj, bizneset ankohen kryesisht për faktin se trotuaret kanë mbetur pa u rregulluar.
Lexoni gjithashtu:
Punime për kanalizimet, Bashkia Tiranë njofton si do të devijohet qarkullimi në ”Rrugën e Durrësit”
Korsitë e biçikletave, tregtarët e rrugës “Myslym Shyri” protestë kundër ndërtimit të tyre
Rama reagon sërish për Zvërnecin: Nuk sheh syri, sheh mendja
Kryebashkiakët e Dibrës kundër ndryshimit të hartës territoriale: Do të vështirësonte shërbimet ndaj qytetarëve
“E dija që i kishte paratë”, Berisha për Zvërnecin: Kam qenë dakord që në fillim me projektin Kushner
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta