Situata në Bosnje paraqet burim të madh shqetësimi, thotë Bashkimi Evropian
Bashkimi Evropian tha se situata në Bosnje dhe Hercegovinë paraqet “burim të madh shqetësimi”. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se udhëheqësit politikë të këtij vendi duhet të gjejnë zgjidhje.
“Duhet të angazhohemi në dialog politik, sepse kjo është e vetmja mënyrë konstruktive për të gjetur zgjidhje të krizës midis liderëve politikë. Veprimet e njëanshme dhe retorika e përçarjeve duhet të ndërpriten për të mirën e qytetarëve dhe të perspektivës evropiane të Bosnjës”, tha Stano në një konferencë për media.
Deklarata e tij vjen në kohën kur udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, është duke kërcënuar me ndarjen e Republika Sërpskës – entitet i banuar me shumicë serbe – nga pjesa tjetër e Bosnjës.
Ai po ashtu ka thënë se serbët e Bosnjës mund të tërhiqen nga ushtria e përbashkët e vendit dhe të rikrijojnë një forcë serbe.
Një ditë më parë përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt ka thënë se ky vend “është në rrezik të menjëhershëm për t’u shpërbërë” dhe se ekzistojnë gjasa “shumë reale” për rikthimin e tij në konflikt.
“Kombi i vogël i Ballkanit Perëndimor mund të përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës, nëse komuniteti ndërkombëtar nuk ndal kërcënimet e serbëve të Bosnjës”, ka thënë Christian Schmidt.
Në një raport, i cili do t’i dorëzohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Schmidt tha se “perspektivat e ndarjes dhe konfliktit janë shumë reale”, nëse udhëheqësi serb boshnjak Milorad Dodik tërheq trupat etnike serbe nga ushtria boshnjake dhe krijon një forcë të veçantë serbe të Bosnjës.
Përfaqësuesit e Republikës Sërpska janë duke e bojkotuar punën e institucioneve qendrore të Bosnjës që nga fundi i korrikut, kur paraardhësi i Schmidtit, Valentin Inzko, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës në Bosnje.
Republika Sërpska ka refuzuar ta ndalojë me ligj mohimin e gjenocidit.
Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.
Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.
LEXONI GJITHASHTU:
Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus
Macron: Fitorja e Magyar shënon fillimin e një epoke të re në Hungari
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton 5 anëtarët e rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit
- 07:40 Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus
- 07:18 SHBA njofton armëpushim të ri mes Izraelit dhe Libanit, kusht ndalimi i sulmeve të Hezbollahut
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania