Sot vazhdon gjykimi i 45 të akuzuarve për rastin “Banjska”

9 Qershor 2025 | 09:27

Gjykimi kundër tre prej 45 të akuzuarve për terrorizëm dhe vepra të rënda penale në rastin “Banjska”, ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës në shtator 2023 – do të vazhdojë sot me seancën e dytë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Në seancën e parë të mbajtur në prill për rastin e sulmit në këtë fshat në veri të Kosovës, tre të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, u deklaruan të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale.

Gjatë asaj seance, avokati i familjes së rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku, Arianit Koci, kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit.

Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve e sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau Bunjakun.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e armatosur e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar.

Për Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.

Dyzet e dy të dyshuarit akuzohen terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radoiçiq akuzohet edhe për lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit, si dhe për shpëlarje parash.

Gjykata theksoi në prill se gjykimi ndaj tyre duhet të vazhdojë pas arrestimit dhe ekstradimit të tyre në Kosovë.

Në seancën e parë në prill, pas deklarimit për fajësinë nga tre të akuzuarit, prokurori special Naim Abazi tha se përmes videove do të dëshmohet se sulmi ishte i paraplanifikuar dhe se grupi ishte “i mirëorganizuar”.

Gjatë shfaqjes së videove të marra nga dronët në ditën e sulmit, Abazi tha se nga sulmi kishin mbetur të dëmtuara edhe shtëpitë e qytetarëve të asaj zone.

Tre të akuzuarit i mohuan akuzat dhe pretenduan se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ngërçi politik, Vetëvendosje pret marrëveshje me LDK para konstituimit të Kuvendit

Në pritje të seancës së parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, nuk ka asnjë lëvizje për mundësinë e arritjes së ndonjë marrëveshje...
18:29 | 23/07/2026

Deçan, 56-vjeçari humb jetën nga të shtënat me armë zjarri, dyshohet se u qëllua nga djali i tij

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Strellc të komunës së Deçanit, ku një 56-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë...
16:00 | 23/07/2026

BE ndaj institucioneve të Kosovës: Ndaleni menjëherë rrënimin e villave në Ujman!

Bashkimi Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të ndërpresin menjëherë rrënimin e villave të pronarëve serbë në afërsi të Liqenit...
16:25 | 22/07/2026