Ish-kryebashkiaku demokrat i Shkodrës, Bardh Spahia, është dërguar për gjykim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Akuzat ndaj tij lidhen me pengimin e ekzekutimit të vendimeve të gjykatës, konkretisht për moszbatimin e një vendimi gjykate që kërkonte rikthimin në detyrë të një administratori, i cili ishte shkarkuar pas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Në një postim në Facebook, Spahia ka reaguar ndaj akuzave, duke theksuar se vendimi i gjykatës për pezullimin e shkarkimit të administratorit ishte respektuar dhe se ai kishte pritur vendimin e Apelit për të pasur një vendim të formës së prerë.
Ai ka shpjeguar se pas vendimit të Gjykatës së Apelit, që rrëzoi masën e pezullimit, mori vendim për shkarkimin e administratorit, ndërsa çështja u mbyll përfundimisht në shtator 2023.
Sipas SPAK, Spahia, i cili ishte kryetar i Asamblesë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër, ka bërë disa vendime të tjera për shkarkimin e administratorit, pas vendimit të gjykatës për pezullimin e shkarkimit, duke mos e zbatuar urdhrin gjyqësor. Kjo veprimtari është cilësuar si pengim i ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.
Spahia ka theksuar se ky proces ka një natyrë politike dhe se ai do të fitojë betejën në gjykatë, si dhe ka shprehur besimin se do të fitojë gjithashtu në betejën politike në Shkodër më 11 maj, kundër krimit dhe korrupsionit.
Postimi i plotë
Çështja e SPAK-ut ndaj meje është qesharake: më akuzon se nuk kam kthyer në punë një administrator për të cilin Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon “Largim nga Detyra”.
Faktet pas kësaj akuze, pa asnjë koment janë këto:
1. Më 16 Maj 2022, si Kryetar i Bashkisë së Shkodrës mora vendim për shkarkimin nga detyra të administratorit të Shoqërisë së Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër—shoqëri tregtare në pronësi të Bashkisë Shkodër. Shkarkimi u bë pas ankesave të shumta nga qytetarët dhe një raporti të Kontrollit të Shtetit që gjente shkelje dhe abuzime në ujësjellës-kanalizime dhe rekomandonte largimin e drejtorit.
2. Administratori bëri ankesë në gjykatë dhe gjyqtari nxorri urdhër për pezullimin e vendimit të shkarkimit deri në shqyrtimin e çështjes.
3. Unë respektova vendimin e gjykatës dhe prita derisa Gjykata e Apelit dha vendim, e cila prishi vendimin gjykatës së rrethit dhe rrëzoi masën e pezullimit të shkarkimit.
4. Pastaj, unë mora vendim për shkarkimin e administratorit.
5. Në muajin shtator 2023, Gjykata e Shkodrës e pushoi çështjen dhe ish-administratori as nuk e ankimoi çështjen në Gjykatën e Apelit. Kështu çështja u mbyll.
6. Tre vjet më pas, dhe dy vjet pasi kisha lënë detyrën e kryebashkiakut, në korrik 2024, ish-administratori “kujtohet” të më denoncojë në Prokurorinë Shkodër për moszbatim të vendimit të gjykatës. Justifikimi ishte se pasi gjyqtari nxorri urdhërin e pezullimit të vendimit të shkarkimit, unë duhet ta kisha anulluar vendimin dhe ta kthejë në zyrë administratorin deri sa të vendoste gjykata.
7. Prokuroria e Shkodrës shpalli mungesë kompetence meqë “krimi” i supozuar ishte bërë nga një kryetar bashkie dhe e dërgoi padinë në SPAK.
8. SPAKU u mor menjëherë me këtë padi, duke i dhënë asaj përparësi të madhe. Unë jam thirrur katër herë për t’u marrë në pyetje për këtë “krim”.
9. Nuk mendova kurrë se kjo çështje do arrinte në gjykatë, por sot SPAK e ka çuar për gjykim.
Që ta përsëris me fjalë të thjeshta: SPAK më akuzon se nuk kam mbajtur në detyrë ca muaj një administrator të shkarkuar për të cilin gjykata ka vendosur që është shkarkuar në mënyrë të ligjshme!
Kjo është qesharake: Prokuroria kundër korrupsionit më akuzon se nuk kam mbajtur në punë një njeri i cili sipas KLSH duhej të largohej nga detyra.
Padia ndaj meje është nisur politikisht për të dëmtuar PD-në në Shkodër. Unë do ta fitoj betejën para drejtësisë. Bashkë me qytetarët e Shkodrës do fitojmë më 11 maj edhe betejën politike kundër krimit e korrupsionit që ka pushtuar Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë.
LEXONI GJITHASHTU:
- Ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia paraqitet në SPAK
- 29 Nëntori në Shkodër, reagon ish-kryebashkiaku Bardh Spahia