Ashtu siç është përfolur përgjatë ditëve të fundit, tanimë Luciano Spalletti është zyrtarizuar si trajneri i ri i ekipit.
Lajmin e kanë konfirmuar vetë rekordmenët e Serisë A, të cilët kanë publikuar pamje nga mbërritja e 66-vjeçarit në ambientet e klubit.
Spalletti cilësohet si një profil i lartë dhe me përvojë, dhe drejtuesit janë të lumtur që italiani u bë pjesë e këtij projekti ndërsa pritet që të nxjerrë Juventusin nga kriza.
Spalletti ka mbi 30 vjet përvojë si trajner, ku gjithçka e nisi në vitin 1993 tek Empoli.
Puna e tij e fundit ishte me Kombëtaren Azzurre, të cilën e drejtoi për dy vite.
Në gjithë karrierën e tij, vetëm një herë ka drejtuar një skuadër jashtë Italisë: nga viti 2009 deri në 2014, ai ishte trajner i Zenit në Rusi, ku fitoi dy tituj kampion, një Kupë dhe një Superkupë.
Trofetë të fituar nuk janë të shumtë; i fundit ishte ai me Napolin, i cili u shpall kampion i Serisë A në sezonin 2022-2023.
Kontrata e sapofirmosur me Juventusin shtrihet deri në qershor të vitit 2026, por në rast se skuadra do të ketë ecuri pozitive, është parashikuar edhe mundësia e rinovimit të saj.