Spanja dhe Portugalia në “blackout”, paralizohen aeroportet e metrotë

28 Prill 2025 | 15:34

Spanja dhe Portugalia u goditën të hënën nga një ndërprerje e energjisë elektrike që paralizoi transportin publik, shkaktoi bllokime të mëdha në trafik dhe vonesa në fluturime. Aktualisht, operatorët e shërbimeve publike po përpiqen të rikthejnë funksionimin e rrjetit elektrik.

Autoritetet nuk kanë mundur ta shpjegojnë shkakun e ndërprerjes së energjisë, megjithëse nuk u përjashtua mundësia që ndërprerja ishte shkaktuar nga një sulm kibernetik. Përderisa zyrtarët thanën se hetimet po vazhdojnë, një komitet krize u krijua në Spanjë për ta menaxhuar situatën, sipas burimeve agjencisë Reuters.

Qeveritë e Spanjës dhe Portugalisë thirrën mbledhje të jashtëzakonshme të kabinetit pas ndërprerjes, e cila gjithashtu preku përkohësisht një pjesë të Francës, në kufirin verilindor me Spanjën.

Ndeshjet në turneun e tenisit Madrid Open u pezulluan, duke detyruar tenistin, Grigor Dimitrov, dhe kundërshtarin britanik, Jacob Fearnley, të linin fushën, pasi tabelat e rezultateve u fikën dhe kamerat humbën energjinë.

Radiot spanjolle raportuan se një pjesë e metrosë së Madridit po evakuohej, ndërkohë që kishte bllokime trafiku në qendër të Madridit pasi semaforët kishin dalë jashtë funksionit, raportoi radioja Cadena Ser.

Qindra njerëz qëndronin jashtë ndërtesave të zyrave në rrugët e Madridit dhe kishte një prani të shtuar të policisë rreth ndërtesave kryesore, duke drejtuar trafikun si dhe duke patrulluar nëpër rrugët kryesore, sipas një dëshmitari të Reuters.

Një nga katër kullat në Madrid që strehon Ambasadën Britanike ishte evakuuar, shtoi dëshmitari.

Radiot lokale raportuan për njerëz të bllokuar në vagonët e metrosë dhe në ashensorë të ngecur.

Policia portugeze tha se semaforët ishin prekur në gjithë vendin, metroja ishte mbyllur në Lisbonë dhe Porto, dhe se trenat nuk po funksiononin.

Operatori i metrosë në Lisbonë, Metropolitano de Lisboa, tha se metroja kishte ndaluar plotësisht ndërsa njerëzit ndodheshin ende brenda trenave, sipas gazetës Publico.

Një burim nga kompania ajrore TAP Air në Portugali tha se aeroporti i Lisbonës po funksiononte me gjeneratorë rezervë, ndërsa AENA, që menaxhon 46 aeroporte në Spanjë, raportoi për vonesa të fluturimeve në gjithë vendin.

Në Francë, operatori i rrjetit elektrik RTE tha se kishte pasur një ndërprerje të shkurtër të energjisë, por furnizimi ishte rikthyer.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Konfederata Evropiane e Sindikatave kërkon ligj që përcakton temperaturën maksimale për të punuar

Valët ekstreme të të nxehtit po e bëjnë gjithnjë e më të rrezikshme punën në shumë vende të Evropës. Për këtë arsye, Konfederata Evropiane e...
15:50 | 26/06/2026

Fyerje, diskriminim, dhunë, vdekje – DW: Ekspertët paralajmërojnë për rritjen e racizmit anti-musliman në Gjermani

Shifrat “nuk janë vetëm statistika, sepse pas çdo numri është një fytyrë, pas çdo incidenti një histori”, thotë Said Etris Hashemi. 29-vjeçari është ndër ata...
14:38 | 26/06/2026

Brukseli propozon zgjatje të statusit për refugjatët ukrainas

Brukseli propozoi sot zgjatjen me një vit, deri në mars 2028, të statusit të mbrojtjes speciale të dhënë refugjatëve ukrainas në vendet e BE-së, me...
14:36 | 26/06/2026