Fakulteti ekonomik vijon të tërheqë shumicën dërrmuese të studentëve. Kejsi Tola, studente në vitin e parë master, na tregon arsyet pse e zgjodhi këtë degë, pavarësisht se tregu është i mbingopur.
“Pikënisja fillestare se pse zgjodha financën si degën time të studimit, është familja si çdo fëmijë. Im atë është gjithashtu ekonomist dhe jam rritur me atë frymën e debatit, mbi tema të ndryshme sociale, kulturore, ekonomike, politike. Gjithashtu një faktor tjetër është periudha e gjimnazit ku dallohesha për prirjet e mia në matematikë dhe më pas në ekonomi. Këto më ndikuan që më pas të zgjidhja financën si profesionin tim të ardhshëm,” – u shpreh Kejsi për “Mirëmëngjes” në Euronews Albania.
Kejsi shprehet se studentët e preferojnë degën për shkak të pagesës, e cila në fillimet e këtij profesioni është më e lartë krahasuar me degët e tjera.
“Pagat në vendin tonë siç dihet nuk janë më sekret. Variojnë në intervalin 35-40 mijë lekë të reja. Kjo në fillimet e tërheq studentin, por më pas ai haset me vështirësi të tjera, siç është zhvillimi i ngadaltë në punë, pagat që nuk kanë një rritje progresive të lartë dhe këto arsye të tjera çojnë që studentët të largohen nga vendi jonë, nga Shqipëria për të parë mundësi të reja jashtë vendit,” – tha studentja.
Lidhur me eksperiencat e punësimit, ajo na thotë se ka arritur të punësohet në profesion pasi përfundoi ciklin baçelor.
“Kjo eksperiencë e parë që konsistoi në fillim në kuadër të intershipit, ishte një intership i paguar në një nga kompanitë më të mëdhaja në Shqipëri. Unë u suportova në departamentin e menaxhimit dhe atë të financës, pra kjo është dhe një avantazh i degës tonë që ne kemi një varietet mundësish për të zgjedhur për punësimin tonë. Gjithashtu ky intership i parë shërbeu si katapult për tu drejtuar në tregun e punës me një eksperiencë shumë të vlefshme,” – u shpreh Kejsi
“Për sa i përket praktikës në drejtorinë rajonale të Tatimeve, kjo mu ofrua si mundësi nga fakulteti ynë që para se të mbarohen studimet bachelor. Studentët më të mirë mund të kryejnë praktikën e punës në disa nga drejtoritë rajonale të Shqipërisë. Kjo shërbeu si mundësi shumë e mirë për të parë përveç sektorit privat dhe atë publik,” – shtoi ajo.
LEXONI GJITHASHTU: