Stuhi politike në Poloni, shkak vetoja e presidentit për ndihmat ndaj Ukrainës

27 Gusht 2025 | 10:23

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, e ka përdorur veton kundër një projektligji për ndihma për refugjatët ukrainas, duke shkaktuar stuhi politike në këtë vend të Evropës Qendrore, i cili është një nga aleatët më të afërt të Kievit në luftën kundër pushtuesit rus.

Nawrocki, i cili shpesh ka ngritur çështje të ndërlikuara historike midis Varshavës dhe Kievit, e përdori të martën veton ndaj një projektligji që, duke filluar nga 1 tetori, do t’ua mohonte refugjatëve ukrainas në Poloni të drejtën për të punuar.

Sipas kritikëve, ky veprim i tij do të bëjë që refugjatët të bëjnë punë të padeklaruar dhe Qeveria polake do të humbë të ardhura nga taksat si pasojë.

Të hënën, Nawrocki paraqiti gjithashtu plane për ta kufizuar qasjen e refugjatëve ukrainas në përfitimet për fëmijë dhe kujdesin shëndetësor.

I zgjedhur pas një fushate që pasqyronte disa prej politikave të presidentit amerikan, Donald Trump, Nawrocki ka premtuar një politikë “Polonia e Para”, duke përfshirë vendosjen e kufizimeve për të drejtat e të huajve në vendin që është anëtar i BE-së dhe NATO-s.

Politikani konservator u zgjodh pasi mposhti ngushtësisht në rundin e dytë kryetarin liberal të Varshavës, Rafal Trzaskowski, në zgjedhjet e 1 qershorit.

Rezultati i zgjedhjeve përbënte një goditje të rëndë për kryeministrin Donald Tusk, i cili është aleat i ngushtë i Trzaskowskit dhe mbështetës i zëshëm i Ukrainës.

Edhe vetë Nawrocki ka shprehur mbështetje për Ukrainën në luftën kundër forcave pushtuese ruse. Por, ai ka thënë se i është kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO, një qëndrim që duket se polakë po e ndajnë gjithnjë e më shumë.

Megjithëse në përgjithësi e mbështesin betejën e Kievit kundër Rusisë, shumë polakëve u ka humbur durimi me fluksin e rreth 1.5 milionë refugjatëve të luftës nga Ukraina dhe kostot e lidhura me ta.

Vendimet e Nawrockit kanë nxitur kritika nga mbështetësit e Ukrainës brenda Qeverisë polake.

“Vendimi i tij minon stabilitetin e ekonomisë, kohezionin social, detyrimet ndërkombëtare të Polonisë dhe sigurinë e të gjithë vendit”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme të Polonisë.

Ministria shtoi se vendimi për të vënë veton ndaj projektligjit për ndihmën për refugjatët ukrainas mund të krijojë shpenzime shtesë prej 2.18 miliardë dollarësh, duke ushtruar trysni shtesë mbi një buxhet tashmë të tendosur.

“Askujt nuk do t’i sjellë përfitim kjo veto. Të ardhurat e buxhetit do të jenë më të ulëta dhe shpenzimet më të larta se tani”, thuhet më tej në deklaratë.

Zëvendëskryeministri Krzysztof Gawkowski shkroi në X se “në Rusi janë të lumtur me përpjekjet e presidentit Nawrocki për ta bllokuar mbështetjen për Ukrainën!”

“Nuk na është dashur të presim gjatë për veprimet e presidentit të ri që mbështesin imperializmin rus”, shtoi ai.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Plazhet publike me pagesë, Ministri Gonxhja: Disa janë tarifuar 1 mijë lekë të reja, lidhet me kostot e larta të mirëmbajtjes

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka folur ditën e sotme pas mbledhjes së Qeverisë, ku janë marrë disa vendime, një prej të...
16:39 | 26/06/2026

Indeksimi i pensioneve, ministrja Ibrahimaj: Nga data 1 korrik, 900 mijë pensionistë përfitojnë nga rritja me 2.7%

Nga vendimet e marra sot nga Këshilli i Ministrave, Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj njoftoi miratimin e disa ligjeve, ndër to edhe indeksimi i pensioneve....
16:19 | 26/06/2026

Konfederata Evropiane e Sindikatave kërkon ligj që përcakton temperaturën maksimale për të punuar

Valët ekstreme të të nxehtit po e bëjnë gjithnjë e më të rrezikshme punën në shumë vende të Evropës. Për këtë arsye, Konfederata Evropiane e...
15:50 | 26/06/2026