Suedia ka lëshuar një leje për të vrarë 20 për qind të popullsisë së ariut të murrmë të vendit çdo vit, dhe kjo leje hyn në fuqi sot.
Pavarësisht shqetësimeve të ambientalistëve, zyrtarët kanë lëshuar leje për të gjuajtur pak më pak se 500 individë, gjë që do të zvogëlojë popullsinë e këtyre arinjve në Suedi në afërsisht 2,000, që paraqet një rënie prej 40 për qind në krahasim me vitin 2008, raporton “The Guardian”.
Numri i madh i lejeve të dhëna është kritikuar nga ekologët dhe shoqatat e mbrojtjes së natyrës, të cilët pretendojnë se kjo mund të kërcënojë mbijetesën e arinjve të murrmë.
“Është një gjueti e pastër trofesh. Menaxhimi i kafshëve të egra në Suedi po vret kafshët në vend që t’i mbajmë ato sa më mirë që mundemi”, tha presidenti i Shoqatës suedeze të mishngrënësve, Magnus Orebrant.
Arinjtë e murrmë ishin në prag të zhdukjes në Suedi për shkak të gjuetisë në vitet 1920, por falë menaxhimit të kujdesshëm, popullsia arriti kulmin në rreth 3,300 në 2008.
Në pesë vitet e fundit janë lëshuar një numër i madh lejesh gjuetie, ndërsa vitin e kaluar janë vrarë 722 kafshë.
Këtë vit është lëshuar patenta për gjuajtjen e 486 arinjve dhe një numër i pacaktuar mund të gjuhet nëse vlerësohet se arinjtë paraqesin rrezik për kafshët e fermës.
Në nëntor 2022, një ligj i ri u dha shoqatave lokale të gjuetisë më shumë fuqi për të mbikëqyrur menaxhimin e grabitqarëve të mëdhenj, përfshirë arinjtë.
Vitet e fundit janë vrarë edhe qindra ujqër dhe rrëqebull, duke ngritur shqetësimin e ambientalistëve.
Nëse gjahtarët vazhdojnë të vrasin arinj me një ritëm të ngjashëm vitin e ardhshëm, mund të mbeten deri në 1400 arinj, një shifër që Agjencia Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit e konsideron të nevojshme për të ruajtur popullsinë.
Arinjtë e murrmë janë një “specie e mbrojtur rreptësisht” në Evropë dhe konservatorët argumentojnë se kuotat e larta të gjuetisë janë në kundërshtim me direktivën e habitateve të BE-së, e cila thotë se “gjuetia në shënjestër ose vrasja e specieve rreptësisht të mbrojtura është e ndaluar”.
Sipas rregullave të BE-së, ky ndalim mund të hiqet në rast rreziku për sigurinë publike, të korrat apo florën dhe faunën natyrore.
LEXONI GJITHASHTU:
- Familja e Alain Delon refuzon të respektojë amanetin e tij, nuk do e vrasin qenin
- Kafshët “pushtojnë” ndërtesat e Londrës, Banksy surprizon me një tjetër murale