Sulmi me 10 viktima në shkollën në Austri, policia në kërkim të përgjigjeve
Autoritetet austriake janë në kërkim të përgjigjeve pse një 21-vjeçar i armatosur i vrau 10 njerëz në ish-shkollën e vet të mesme, para se ta vriste veten, duke e shkaktuar një prej sulmeve më të dhunshme në historinë moderne të vendit.
Në mesin e të vrarëve në sulmin e së martës ishte edhe një vajzë me prejardhje nga Kosova.
Policia tha se sulmuesi, i armatosur me pushkë me revole, veproi i vetëm.
Autoritetet e sigurisë janë duke kontrolluar shtëpinë dhe veprimtarinë e sulmuesit në internet, për të gjetur ndonjë të dhënë që mund të japë përgjigje përse ai kreu sulm në shkollë në qytetin e dytë më të madh të Austrisë, Grac, para se të vetëvritej në një banjë.
“Është shumë e vështirë ta kuptosh këtë ngjarje”, tha Paul Nitsche, mësues i lëndës së studimeve fetare në shkollë, i cili doli nga klasa e tij para se sulmuesi të përpiqej të hynte, dhe e pa shkurtimisht duke u përpjekur të qëllonte bravën e një dere tjetër.
“Kjo është diçka që nuk mund ta parafytyroja kurrë më parë. Derisa po zbrisja shkallëve me vrap, mendova me vete: ‘Kjo nuk është e vërtetë’”, i tha ai transmetuesit kombëtar ORF.
Disa media austriake kanë raportuar se i riu, i cili nuk është identifikuar ende, duket se ndihej i bullizuar, megjithatë policia nuk e ka konfirmuar këtë. Autoritetet austriake thanë se ai nuk i kishte përfunduar kurrë studimet në atë shkollë.
Ai kishte lënë një letër të lamtumirës, e cila, sipas policisë, nuk zbulon motivin e sulmit. Po ashtu, një bombë artizanale që u gjet në shtëpinë e tij nuk ishte funksionale.
Franz Ruf, drejtori i përgjithshëm i sigurisë publike, tha se hetimet për motivin po kryhen me shpejtësi.
“Nuk duam të spekulojmë në këtë moment”, i tha ai ORF-së të martën në mbrëmje.
Policia austriake tha se viktimat u gjetën brenda dhe jashtë shkollës, në kate të ndryshme. Dhjetëra të tjerë u plagosën në sulm, disa në gjendje të rëndë.
Austria shpalli tre ditë zie kombëtare të martën pas sulmit.
Ngjarja shkaktoi një valë solidariteti të rrallë mes partive politike, zakonisht të ndara thellësisht në qëndrimet e tyre. Prindërit e nxënësve dhe banorët pranë shkollës po përpiqen të kuptojnë çfarë ndodhi.
Qindra njerëz u mblodhën të martën në mbrëmje në sheshin kryesor të Gracit, për t’i nderuar viktimat. Të tjerë vendosën lule dhe ndezën qirinj pranë shkollës. Dhjetëra njerëz u rreshtuan për të dhuruar gjak për të mbijetuarit.
LEXONI GJITHASHTU:
VIDEO/ Momentet kur policët me rroba plazhi arrestojnë në Drimadhë Granit Pepnikën e call center-ave
Task-forca zbret në plazhet e Pogradecit, kontrolle për zaptimin e bregliqenit
CONAD feston 20 vite suksesi dhe revolucioni në tregun shqiptar
- 17:25 55 milionë euro, Bayern Munich nënshkruan me mbrojtësin e Eintracht Frankfurt Nathaniel Brown
- 17:18 Partia Demokratike ankimon në Kushtetuese rrëzimin e komisioneve hetimore për AKSHI-n dhe rrugët
- 17:12 Serbia arreston në kufi 73-vjeçarin nga Kosova për krime lufte, familjarët hedhin poshtë akuzat
- 17:06 VIDEO/ Momentet kur policët me rroba plazhi arrestojnë në Drimadhë Granit Pepnikën e call center-ave
- 17:01 Korrupsioni në Ukrainë prek familjen e Zelensky-t, prindërve të tij u zbulohen 11 milionë dollarë, ata flasin për ‘dhurata’
- 16:54 Prokuroria Speciale ngre aktakuza ndaj 6 ish-gardianëve serbë për krime lufte kundër shqiptarëve