Presidenti i Tajvanit Lai Ching-te përshëndeti një investim të planifikuar prej 100 miliardë dollarësh në Shtetet e Bashkuara nga Korporata tajvaneze e Prodhimit të Mikroprocesorëve, “TSMC”, duke e quajtur “një moment historik për marrëdhëniet SHBA-Tajvan”. Ai shtoi se investimi nuk ishte rezultat i trysnisë nga qeveria amerikane.
Presidenti dhe kryetari i kompanisë “TSMC”, C.C. Wei foli me gazetarët në zyrën e Presidentit të Tajvanit në Taipei të enjten pasdite. Zoti Wei tha se zgjerimi i fundit i prodhuesit tajvanez të mikroprocesorëve në Shtetet e Bashkuara u nxit nga kërkesat e mëdha të klientëve, duke shtuar se linjat e saj të prodhimit atje tashmë janë “të rezervuara plotësisht” për tre vitet e ardhshme.
“Ndërtimi i linjave të reja të prodhimit jashtë Tajvanit nga kompania “TSMC” është gjithmonë i nxitur nga kërkesat e klientëve”, tha ai.
Investimi prej 100 miliardë dollarësh, i cili është i ndarë nga një investim tjetër prej 65 miliardë dollarësh në Shtetet e Bashkuara, që kompania “TSMC” e njoftoi prillin e kaluar, parashikon ndërtimin e tre fabrikave të reja të mikroprocesorëve, dy objekteve të paketimit të mikroprocesorëve dhe një qendre kërkimore dhe zhvillimi në shtetin perëndimor të Arizonës.
Komentet e presidentit vijnë dy ditë pasi zoti Wei dhe Presidenti amerikan Donald Trump njoftuan zgjerimin e gjigantit të mikroprocesorëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne duhet të jemi në gjendje të prodhojmë mikroprocesorët dhe gjysmëpërçuesit që na duhen pikërisht këtu”, tha Presidenti Trump gjatë konferencës për shtypin, duke shtuar se masa është “një çështje e sigurisë kombëtare” për Shtetet e Bashkuara.
Zoti Wei tha të enjten se kompania “TSMC” gjithashtu planifikon të ndërtojë 11 linja të reja prodhimi në Tajvan këtë vit dhe zgjerimi në Shtetet e Bashkuara nuk do të ndikojë në këtë afat kohor.
“Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë linja prodhimi në Tajvan dhe i kam kërkuar Presidentit Lai që të ndihmojë kompaninë “TSMC” të gjejë toka të reja për të ndërtuar objekte”, tha ai.
Kompania “TSMC” ka ndërtuar gjithashtu objekte të reja në Japoni dhe Gjermani në vitet e fundit, një lëvizje që zoti Lai tha se ndihmon bizneset e tjera tajvaneze të përfshihen në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe rrit fuqinë e Tajvanit.
Zgjerimi global i kompanisë “TSMC” tregon se “industritë e Tajvanit kanë arritur të lëvizin drejt perëndimit, jugut dhe veriut, dhe fuqia e tyre në dekadat e fundit e ka ndihmuar Tajvanin të kalojë me besim Oqeanin Paqësor dhe të zgjerohet drejt lindjes në kontinentin amerikan”, tha Presidenti Lai gjatë konferencës për shtypin të enjten.
LEXONI GJITHASHTU:
- Mbështetja për Tajvanin, Kina: SHBA po luan me zjarrin
- Mediat ukrainase: Trump po negocion fshehurazi me rivalët e Zelensky