Telegraph: Trump përgatitet të njohë territoret e pushtuara ukrainase si ruse

28 Nëntor 2025 | 16:40

Shtetet e Bashkuara janë gati të njohin kontrollin e Rusisë mbi Krimenë dhe territore të tjera të pushtuara ukrainase në mënyrë që të sigurojnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, raporton Telegraph.

Sipas gazetës britanike, Presidenti i SHBA-së Donald Trump po dërgon Steve Witkoff dhe dhëndrin e tij, Jared Kushner në Moskë për t’ia paraqitur propozimin drejtpërdrejt Presidentit rus Vladimir Putin. Plani për të njohur territoret e pushtuara ka shumë të ngjarë të vazhdojë pavarësisht shqetësimeve nga aleatët evropianë të Ukrainës.

Një burim i mirëinformuar i tha Telegraph se “po bëhet gjithnjë e më e qartë se amerikanët nuk janë të interesuar për qëndrimin evropian . Ata thonë se evropianët mund të bëjnë çfarë të duan”.

Presidenti rus tha të enjten se njohja ligjore e Krimesë dhe rajoneve të Donetskut dhe Luganskut nga Uashingtoni si territor rus do të ishte një nga çështjet kryesore në negociatat mbi planin e paqes të presidentit amerikan. Kremlini tha të premten se kishte marrë një propozim të rishikuar për t’i dhënë fund luftës, të hartuar pas bisedimeve emergjente midis zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë në Gjenevë të Zvicrës, fundjavën e kaluar.

Një plan fillestar paqeje prej 28 pikash, i formuluar nga Witkov pas diskutimeve me zyrtarët rusë, propozonte njohjen de facto të sovranitetit rus mbi Krimenë dhe dy rajonet lindore të Donbasit nga Shtetet e Bashkuara. Plani gjithashtu propozonte njohjen de facto të territoreve të kontrolluara nga Rusia pas frontit në rajonet Kherson dhe Zaporizhia të Ukrainës pas çdo marrëveshjeje armëpushimi.

Në Gjenevë, zyrtarët ukrainas dhe amerikanë negociuan dhe ranë dakord për një plan të ri me 19 pika që është më pak i favorshëm për Moskën. Megjithatë, burime të shumta kanë treguar se qëndrimi i SHBA-së për njohjen territoriale mbetet në tryezë. Megjithatë, Kievi nuk do të detyrohet të njohë kontrollin rus mbi këto territore. Kushtetuta ukrainase ndalon çdo president ose qeveri të lëshojë territor pa e vënë më parë çështjen në një referendum.

Andriy Yermak, shefi i stafit të presidentit ukrainas, dhe Rustem Umerov, këshilltari i sigurisë kombëtare, pritet të udhëtojnë për në Florida për t’u takuar me zyrtarë amerikanë në resortin e Trumpit, Mar-a-Lago, këtë fundjavë.

Në një intervistë me The Atlantic, Yermak, i cili negocioi planin e fundit të paqes me 19 pika, tha se “asnjë person i arsyeshëm sot nuk do të nënshkruajë një dokument mbi cedimin e territoreve. Për sa kohë që Zelensky është president, askush nuk duhet të mbështetet te ne që do të heqim dorë nga territoret. Ai nuk do të nënshkruajë cedimin e territoreve. Kushtetuta e ndalon këtë. Askush nuk mund ta bëjë këtë, përveç nëse dëshiron të shkelë kushtetutën e Ukrainës dhe të kundërshtojë popullin ukrainas”.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Bombardime ruse në Ukrainë, të paktën 6 të vrarë dhe rreth 50 të plagosur

Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe rreth 50 të tjerë janë plagosur si pasojë e bombardimeve ruse që goditën disa rajone të Ukrainës,...
22:30 | 01/07/2026

Uashingtoni paralajmëron Teheranin: Nga marrëveshja bërthamore fitoni më shumë se nga tarifat në Hormuz

Negociatorët amerikanë po përpiqen të bindin Iranin në bisedimet teknike indirekte që po zhvillohen në Doha të heqë dorë nga planet për të vendosur taksa...
22:28 | 01/07/2026

SHBA nënshkruan marrëveshjen për ambasadë të përhershme në Jerusalem

Shtetet e Bashkuara kanë nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e një kompleksi të ri të ambasadës në Jerusalem, një veprim që autoritetet izraelite e cilësuan...
22:28 | 01/07/2026