Tension në Londër/ Mbi 100 mijë protestues në marshimin e së djathtës ekstreme
Më shumë se 100,000 persona janë mbledhur këtë të shtunë në qendër të Londrës për të marrë pjesë në marshimin “Unite the Kingdom”, i organizuar nga aktivisti i ekstremit të djathtë, Tommy Robinson. Ngjarja ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë publike, ndërsa në një tjetër pjesë të qytetit po zhvillohet një kundër-protestë e organizuar nga lëvizja Stand Up To Racism, me moton “March Against Fascism”.
Protestuesit e marshimit kryesor janë mbledhur në zonën e Whitehall, ku po mbahen fjalime nga figura të njohura të së djathtës ekstreme, përfshirë Steve Bannon, ish-strateg i fushatës presidenciale të Donald Trump.
Policia Metropolitane ka konfirmuar se disa efektivë janë sulmuar me sende të forta nga protestues të marshimit “Unite the Kingdom”, duke detyruar forcat e rendit të përdorin forcë për të ruajtur kordonët e sigurisë. Në terren janë dislokuar mbi 1,500 efektivë, përfshirë 500 oficerë të sjellë nga rajone të tjera si Leicestershire, Nottinghamshire dhe Devon & Cornwall.
Autoritetet kanë ngritur barriera të shumta për të krijuar një zonë të izoluar mes dy grupimeve protestuese, në përpjekje për të shmangur përplasje direkte.
Rrugët pranë urës Waterloo u mbushën me flamuj të Union Jack, Shën Gjergjit, Skocisë dhe Uellsit, ndërsa parullat e shumta përfshinin mesazhe si “Stop the Boats”, “Send Them Home” dhe “Unite the Kingdom”. Në turmë u identifikuan edhe aktivistë me qëndrime anti-transgjinore. Një pjesëmarrës mbante një kryq të madh prej druri me mbishkrimin “RIP Charlie Kirk”, në kujtim të aktivistit amerikan të vrarë pak ditë më parë.
Një skenë e ngritur në Whitehall shërben si pikë e fjalimeve, ku mbështetësit dëgjojnë muzikë dhe slogane që lartësojnë figurën e Tommy Robinson.
Në anën tjetër të qytetit, mijëra persona janë mbledhur në Russell Square për të protestuar kundër ekstremizmit të djathtë. Kundër-protesta e quajtur “March Against Fascism” është organizuar nga grupi Stand Up To Racism dhe ka tërhequr pjesëmarrjen e aktivistëve, qytetarëve dhe politikanëve të majtë.
Protestuesit mbanin pankarta me mesazhe si “Gratë kundër ekstremit të djathtë”, “Refugjatët janë të mirëpritur” dhe “Kundërshtoni Tommy Robinson”. Në mesin e folësve të paralajmëruar janë edhe deputetet britanike Diane Abbott dhe Zarah Sultana.
Policia Metropolitane ka njoftuar se nuk do të përdorë teknologjinë e njohjes faciale në kohë reale gjatë protestave, ndryshe nga praktikat e zakonshme në ngjarje të mëdha publike. Autoritetet gjithashtu kanë marrë ankesa nga komunitete myslimane në Londër për shkak të retorikës anti-myslimane që shoqëron shpesh aktivitetet e Tommy Robinson.
Komandantja e Policisë, Clair Haynes, u ka bërë thirrje qytetarëve të mos ndryshojnë aktivitetet e përditshme për shkak të protestave, duke theksuar se forcat e rendit do të ndërhyjnë menjëherë ndaj çdo forme të diskriminimit apo krimit të urrejtjes.
“Do të veprojmë pa frikë apo favor. I ftojmë të gjithë protestuesit që të respektojnë komunitetet lokale dhe të mbajnë një sjellje të qetë”, deklaroi Haynes.
Policia ka vendosur orare të kufizuara për dy protestat. “Unite the Kingdom” duhet të përfundojë brenda orës 18:00, ndërsa kundër-protesta “March Against Fascism” pritet të mbyllet deri në orën 16:00, në përputhje me planet e organizatorëve.
LEXONI GJITHASHTU:
Ministri izraelit i Financave: Ushtria po thellon shkatërrimin e infrastrukturës në Liban
Trump: Do të emëroj Lance Schroyer si drejtor të ICE, Senati duhet ta konfirmojë menjëherë
Ministri Ben-Gvir kritikon marrëveshjen Izrael-Liban: Një gabim i madh
- 08:46 Gjirokastër, zjarret e qëllimshme gjatë verës problematikë për dëmet në pyje-kullota
- 08:26 Fluks turistësh në Gjirokastër, kapacitetet akomoduese të pamjaftueshme
- 08:17 Vala e të nxehtit në Francë vazhdon, që nga mesi i qershorit 74 vdekje
- 22:53 Ministri izraelit i Financave: Ushtria po thellon shkatërrimin e infrastrukturës në Liban
- 22:39 Rama poston videon nga Banjat e Bënjës: U tentua të krijohej një vatër e re nxitjeje, fitoi e vërteta
- 22:27 Eurodeputetja në Tiranë tha se Evropa është në Shqipëri, deputetja Ekonomi: Po, se ne jemi duke punuar për të hyrë në BE