Trump paralajmëron Tajvanin: SHBA nuk mbështet shpalljen e pavarësisë nga Kina

16 Maj 2026 | 07:05

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi Tajvanin kundër shpalljes zyrtare të pavarësisë nga Kina, vetëm disa orë pas përfundimit të samitit dyditor me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin.

Në një intervistë për Fox News, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk po inkurajojnë një shpallje formale të pavarësisë së Tajvanit dhe ritheksoi se politika amerikane ndaj ishullit nuk ka ndryshuar.

“Nuk po kërkoj që dikush të bëhet i pavarur”, tha Trump, duke shtuar se Uashingtoni dëshiron uljen e tensioneve në rajon dhe shmangien e një konflikti me Kinën.

Presidenti amerikan u shpreh se ai dhe Xi kishin diskutuar gjerësisht çështjen e Tajvanit gjatë takimit në Pekin, ndërsa theksoi se homologu kinez “e ndjen shumë fort” këtë çështje dhe nuk dëshiron të shohë lëvizje drejt pavarësisë së ishullit.

“Ne nuk po kërkojmë luftëra. Nëse e lëmë situatën ashtu siç është, mendoj se Kina do të jetë dakord me këtë. Por nuk po kërkojmë që dikush të thotë: ‘Le të bëhemi të pavarur sepse SHBA na mbështet’”, deklaroi Trump.

Nga ana e tij, Xi Jinping paralajmëroi se çështja e Tajvanit mbetet tema më e ndjeshme në marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA-së. Sipas medias shtetërore kineze, presidenti kinez tha gjatë bisedimeve se “nëse trajtohet gabim, të dy vendet mund të përplasen ose edhe të hyjnë në konflikt”.

Tensionet mbi Tajvanin janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa Kina ka shtuar stërvitjet ushtarake rreth ishullit dhe vazhdon ta konsiderojë atë pjesë të territorit të saj. Pekini nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ribashkimin me Tajvanin.

Ndërkohë, presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, ka deklaruar më herët se Tajvani nuk ka nevojë të shpallë zyrtarisht pavarësinë, pasi e konsideron veten tashmë një shtet sovran.

Trump konfirmoi gjithashtu se administrata e tij ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar mbi paketën e armëve prej 11 miliardë dollarësh që SHBA planifikon t’i shesë Tajvanit, një marrëveshje që Pekini e ka kundërshtuar ashpër.

“Do të vendosim së shpejti. E diskutuam këtë çështje me shumë detaje”, tha presidenti amerikan, duke shtuar se do të duhet të flasë edhe me drejtuesit e Tajvanit për këtë temë.

Nga Taipei, zëvendësministri i Jashtëm i Tajvanit, Chen Ming-chi, deklaroi se shitjet e armëve nga SHBA-ja mbeten të garantuara nga ligji amerikan dhe janë një element kyç për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Shitjet e armëve midis Tajvanit dhe SHBA-së kanë qenë gjithmonë një gur themeli i paqes dhe stabilitetit rajonal”, u shpreh ai.

Edhe Ministri i Jashtëm i Tajvanit, Lin Chia-lung, tha se qeveria tajvaneze po ndjek nga afër zhvillimet pas samitit SHBA-Kinë dhe po koordinon komunikimin me partnerët ndërkombëtarë për të mbrojtur interesat e ishullit.

Ai akuzoi Kinën për përshkallëzim të tensioneve përmes “veprimeve agresive ushtarake dhe presionit autoritar”, ndërsa theksoi se Tajvani mbetet i përkushtuar ndaj ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Obama me mesazh për 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së: Duhet të mbrojmë demokracinë

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka përcjellë një mesazh me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, ku vlerësoi rëndësinë historike të Deklaratës...
15:56 | 04/07/2026

Ministri i Jashtëm i Egjiptit: BE do të na japë në ditët në vijim paketën e ndihmave prej 1.5 miliardë euro

Egjipti pritet të marrë 1.5 miliardë euro nga Bashkimi Evropian në ditët në vijim, i pari nga dy këste të mbetura të një pakete ndihme...
14:49 | 04/07/2026

Tre palestinezë të plagosur në sulmin izraelit në një fshat në Bregun Perëndimor

Tre palestinezë janë plagosur nga plumba metalikë të veshur me gome të qëlluar nga forcat izraelite në një fshat në veriperëndim të Ramallahut në Bregun...
14:37 | 04/07/2026