Trump për samitin me Putinin: Ai nuk do të luajë me mua, unë jam presidenti

15 Gusht 2025 | 12:15

Donald Trump ka deklaruar se beson që Vladimir Putin është i gatshëm të arrijë një marrëveshje për luftën në Ukrainë, teksa të dy udhëheqësit pritet të zhvillojnë një samit në Alaska, të premten.

Por sugjerimi i tij se Putin dhe Volodymyr Zelensky mund të “ndajnë gjërat” mund të shkaktojë shqetësim në Kiev.

Presidenti amerikan la të kuptohej se kishte 75% mundësi që samiti në Alaska të ishte i suksesshëm dhe theksoi se kërcënimi i sanksioneve ekonomike mund ta ketë shtyrë Putinin të kërkojë një zgjidhje.

Trump u shpreh se nuk do ta linte Putinin të dominonte takimin: “Unë jam president dhe ai nuk do të luajë me mua.”

Sipas tij, do ta kuptojë që në minutat e para nëse takimi do të jetë i suksesshëm apo jo:

“Nëse është një takim i keq, do të përfundojë shumë shpejt. Nëse është një i mirë, do të arrijmë paqe shumë shpejt.”

Trump përmendi edhe një takim të dytë trepalësh, ende të pakonfirmuar, mes tij, Putinit dhe Zelenskyt, si më vendimtarin për arritjen e paqes.

“Takimi i dytë do të jetë shumë, shumë i rëndësishëm. Dhe nuk dua të përdor fjalën ‘përçarje’, por deri në një farë mase, nuk është një term i keq, në rregull?” – u shpreh ai për Fox News Radio.

Me këtë, ai i referohej mundësisë që Zelensky të duhet të pranojë “shkëmbime tokash”, pra dorëzimin e territorit ukrainas te Rusia – përfshirë edhe zona që nuk janë aktualisht të pushtuara nga Moska.

Më vonë të enjten, Trump sugjeroi se një takim i dytë trepalësh mund të ndodhë shumë shpejt, ndoshta sërish në Alaska:

“E tëra që dua të bëj nesër është të shtroj tryezën për takimin e radhës. Do të doja të ndodhte së shpejti, ndoshta në Alaska,” tha ai.

Një takim i tillë do të përfaqësonte një lëshim të madh nga Putini, i cili vazhdon të mos e njohë Zelenskyn si president legjitim të Ukrainës.

Trump pranoi se nuk ishte i sigurt nëse mund të arrihej një armëpushim i menjëhershëm, por theksoi gatishmërinë për të ndërmjetësuar një marrëveshje.

“Unë besoj se ai [Putini] është i bindur se do të bëjë një marrëveshje. Mendoj se do ta bëjë – dhe do ta zbulojmë,” tha ai.

Zelensky pritet të përballet me një zgjedhje të vështirë nëse Putini refuzon një armëpushim të plotë 30-ditor, duke ofruar vetëm ndërprerje të pjesshme të luftimeve – veçanërisht nëse Trump kërkon që një takim trepalësh të vazhdojë.

Presidenti ukrainas kaloi pjesën më të madhe të së enjtes në Londër, ku diskutoi me kryeministrin britanik, Keir Starmer, për thirrjen me video të së mërkurës mes udhëheqësve evropianë dhe Trump.

Liderët evropianë u shprehën të lehtësuar nga mënyra si shkoi biseda, por mbeten të kujdesshëm për shkak të natyrës së paparashikueshme të Trump.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se dinamika në terren mund ta vështirësojë arritjen e paqes.

“Për të arritur një paqe, do të duhet të ketë diskutime rreth garancive të sigurisë,” u shpreh ai, duke shtuar se Trump kishte folur me Putinin katër herë në telefon dhe se tashmë e shihte të nevojshme ta takonte “sy më sy”.

Rubio sugjeroi se garanci sigurie evropiane mund të përfshihen në një marrëveshje, ndonëse Trump i ka refuzuar më parë këto lloj angazhimesh.

Takimi mes Starmer dhe Zelenskyt në Downing Street u përshëndet si një mundësi e dukshme për paqe, nëse Putini provon se është serioz për ta ndalur luftën.

Nga ana tjetër, udhëheqësit evropianë dolën të bindur se Trump po hyn në samitin me fokus të qartë: të nxjerrë nga Putini një angazhim për armëpushim të qëndrueshëm, pa bërë negociata mbi kokën e Ukrainës.

Plani për një konferencë të përbashkët për shtyp mes Trump dhe Putinit pas takimit të së premtes, shihet si tregues i besimit të Shtëpisë së Bardhë se samiti mund të sjellë një përparim të vërtetë.

Moska ndërkohë ka kërkuar që samiti të mos fokusohet vetëm te Ukraina, por të përfshijë edhe hapa për rinisjen e bashkëpunimit ekonomik SHBA–Rusi.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deputetët francezë miratojnë ligjin për vdekjen e asistuar pas vitesh debate

Asambleja Kombëtare e Francës ka votuar këtë të mërkurë për të krijuar të drejtën për vdekje të asistuar. Deputetët votuan me 291 vota pro dhe...
20:43 | 15/07/2026

Zjarre të mëdha në Kanada, përfshihet nga flakët dhe një tren mallrash me punëtorë brenda

Një tren mallrash në Kanada është përfshirë nga flakët për shkak të një zjarri të madh. Sipas mediave ndërkombëtare, punëtorët sapo janë përfshirë nga zjarri...
19:40 | 15/07/2026

Gjermania rrit ndjeshëm taksën mbi duhanin, një paketë pritet të shkojë 12 euro

Qeveria gjermane planifikon të rrisë taksën mbi produktet e duhanit më shumë sesa ishte parashikuar fillimisht, si pjesë e masave për mbrojtjen e shëndetit publik...
18:29 | 15/07/2026