Trump synon Grenlandën dhe Kanalin e Panamasë

25 Dhjetor 2024 | 16:11

Ndërsa përgatitet të rimarrë Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka bërë thirrje për rivendosjen e Kanalit të Panamasë nën kontrollin amerikan, ndërsa ripërsëriti thirrjet për t’i blerë Danimarkës, Grenlandën.

Groenlanda, territori gjysme-autonom danez i mbuluar me akull, është sërish në objektivin e presidentit të ardhshëm amerikan. Të dielën, zoti Trump emëroi ambasadorin e ri amerikan në Danimarkë.

Në një postim në median sociale ai shkruante se: “Për arsye të Sigurisë Kombëtare dhe Lirisë në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara mendojnë se pronësia dhe kontrolli i Grenlandës është një domosdoshmëri absolute”.

Republikani Trump sugjeroi gjithashtu marrjen e kontrollit të Kanalit të Panamasë. Ai i quajti “krejtësisht zhvatëse” tarifat e vëna nga Panamaja për të përdorur rrugën jetike të transportit detar.

“Nëse nuk respektohen parimet morale dhe ligjore, të këtij gjesti madhështor të dhurimit, atëherë ne do të kërkojmë që Kanali i Panamasë t’i kthehet plotësisht Shteteve të Bashkuara, shpejt dhe pa asnjë diskutim”, tha zoti Trump.

Duke hedhur poshtë akuzat e zotit Trump për tarifa të larta, Presidenti Jose Raul Mulino, tha se çdo metër katror i kanalit do të vazhdojë t’i përkasë Panamasë.

“Tarifat nuk janë trillime. Janë përcaktuar publikisht në një seancë të hapur, duke marrë parasysh kushtet e tregut, konkurrencën ndërkombëtare, kostot operacionale dhe nevojat për remont dhe modernizim të kanalit”, tha presidenti i Panamasë.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, tha se Grenlanda nuk është për shitje. Thirrjet e Presidentit Trump në vitin 2019, gjatë mandatit të tij të parë, për të blerë Groenlandën nuk u materializuan.

Sidoqoftë, deklaratat e tij para marrjes së presidencës më 20 janar kanë tërhequr vëmendjen e disa partnerëve dhe aleatëve.

Këtu përfshihet edhe Kanadaja. Zoti Trump e quajti Kryeministrin Justin Trudeau “guvernator”, duke sugjeruar se Shtetet e Bashkuara mund ta përvetësojnë fqinjin e saj verior, ndërsa e kërcënoi atë vend me 25% tarifa.

Ndërsa mbetet i paqartë qëllimi përfundimtar i zotit Trump, të hënën, djali i tij, Eric Trump, postoi në rrjetet sociale një foto të manipuluar të presidentit të zgjedhur duke blerë Kanadanë, Grenlandën dhe Kanalin e Panamasë në dyqanin e kompanisë Amazon.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Von der Leyen mbërrin në Kiev me një paketë të re mbështetjeje ushtarake për Ukrainën

Masat e reja për të financuar ushtarakisht Ukrainën, përmes një kredie prej 90 miliardë eurosh, pritet të shpallen nga Presidentja e Komisionit Ursula von der...
10:41 | 15/07/2026

Marshalli amerikan qëllohet për vdekje gjatë një operacioni në Luiziana, plagoset edhe autori

Një agjent federal u qëllua për vdekje ndërsa përpiqej të ndihmonte autoritetet të kapnin një burrë që nuk u paraqit në gjyqin e tij për...
10:30 | 15/07/2026

Miliarderi Warren Buffett ndërpret donacionet për fondacionin e Bill Gates pas zbulimit të lidhjeve me Epstein

Investitori miliarder Warren Buffett ka ndaluar së dhuruari donacione për fondacionin bamirës të Bill Gates disa javë pasi bashkëthemeluesi i Microsoft zbuloi lidhjet e tij...
10:28 | 15/07/2026