Vakanca në Gjykatën Kushtetuese/ KED interviston kandidatët, nesër vendoset renditja

16 Shtator 2025 | 19:33

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) zhvilloi këtë të martë intervistat me kandidatët që garojnë për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese, pas largimit të gjyqtares Holta Zaçaj.

KED realizoi intervistat dhe testimin e gjuhës së huaj me kandidatët që kanë kaluar me sukses fazën e verifikimit të kushteve ligjore.

Gjatë seancës, kandidatët prezantuan platformat e tyre të kandidimit, duke shpalosur vizionin dhe prioritetet për funksionin e gjyqtarit kushtetues, si dhe iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të Këshillit.

Në garë për këtë pozicion janë gjashtë kandidatë për një mandat të plotë 9-vjeçar: Asim Vokshi, Alban Toro, Alma Faskaj, Florjan Ballhysa dhe Naureda Llagami dhe Genta Tafa Bungo.

Puna e Këshillit do të vijojë të mërkurën, më 17 shtator, me pikëzimin e kandidatëve, bazuar në kriteret ligjore dhe aktet nënligjore përkatëse.

Pas përfundimit të këtij procesi, KED do të përpilojë listën përfundimtare dhe do t’ia dërgojë Gjykatës së Lartë, e cila do të zgjedhë një nga tre emrat me pikët më të larta.

Kjo nuk është e vetmja vakancë në Gjykatën Kushtetuese. Pas dorëheqjes së gjyqtares Elsa Toska, edhe Kuvendi duhet të emërojë një anëtar të ri.

Megjithatë, procesi është pezulluar deri në një vendim të pritshëm nga vetë Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të përcaktojë zyrtarisht kohëzgjatjen e mandateve të anëtarëve aktualë.

Në fillim të këtij viti, Presidenti i Republikës i kërkoi Kushtetueses të sqarojë periudhën e fillimit dhe përfundimit të mandateve të gjyqtarëve.

Ky vendim, që pritet në muajin shtator, do të përcaktojë nëse pasuesi i Elsa Toskës do të ketë një mandat të plotë apo të pjesshëm.

Njoftimi i plotë i Gjykatës së Lartë

“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e anëtarëve të tij dhe atyre zëvendësues, si dhe të përfaqësuesve të ftuar në përputhje me pikën 2 të nenit 233 të Ligjit nr. 115/2016, zhvilloi të martën, më datë 16.09.2025, mbledhjen e radhës, në bazë të rendit të ditës të publikuar në njoftimin zyrtar të datës 11.09.2025.

Gjatë kësaj mbledhje, Këshilli zhvilloi intervistat dhe testimin e njohurive të gjuhës së huaj me kandidatët që kanë kaluar me sukses procesin e vlerësimit të kushteve ligjore dhe që vijojnë garën për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese.

Kandidatët prezantuan platformat e tyre të kandidimit, duke paraqitur qasjen e tyre mbi rolin e një gjyqtari kushtetues dhe prioritetet në ushtrimin e këtij funksioni të rëndësishëm. Gjithashtu, ata iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të KED-së, të fokusuara në përvojën e tyre profesionale dhe vizionin për rolin e ardhshëm si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli do të vijojë të mërkurën, datë 17.09.2025 me procesin e pikëzimit, i cili do të kryhet në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligj dhe aktet nënligjore në fuqi”, thuhet në njoftim.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dy punonjës të 313-ës humbin jetën për shkaqe shëndetësore, reagon Drejtoria e Burgjeve

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) “Jordan Misja”, teksa pasi dy punonjës kanë humbur jetën brenda pak...
10:19 | 30/06/2026

Mblidhen protestuesit e parë para Kuvendit, deputetët e PS hyjnë 30 minuta më herët (VIDEO)

Protestuesit e parë janë mbledhur mëngjesin e sotëm para godinës së Kuvendit, ku në orën 10:00 është parashikuar të zhvillohet seanca plenare. Tubimi ishte paralajmëruar...
09:48 | 30/06/2026

Arrestohet shqiptari në Britani, la fëmijët vetëm në shtëpi për të takuar një 14-vjeçare që kishte njohur në internet

Një 32-vjeçar shqiptar është arrestuar në Birmingham të Mbretërisë së Bashkuar, pasi dyshohet se la vetëm në banesë dy fëmijët e tij të mitur për...
09:36 | 30/06/2026