Mjeku në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Aziz Pollozhani tregoi në një intervistë për Euronews Albania njohjen e tij me nobelistin Ferid Murati.
Ai shprehu dhimbjen për ndarjen nga jeta në moshën 86-vjeçare të mjekut farmakolog dhe studiuesit shqiptaro-amerikan që vdiq sot në shtëpinë e tij në Shtetet e Bashkuara.
Pollozhani kujtoi gjithashtu se sot shënohet vdekja e nobelistit të dytë shqiptar, pas Nënë Terezës e cila është ndarë nga jeta një ditë para Muratit në vitin 1997.
“Ferid Murati ngelet si motivim për gjeneratat e reja se me një punë shumë të përkushtuar, me një angazhim të madh çdo njeri mund të arrijë. Në fakt ai sa herë që vinte këtu e thoshte. Pas vitit 1999 ku u takuam për herë të parë u kthye në vitin 2004-2005 kur u shpall Honoris Causa në Universitetin e Evropës Juglindore, ku atëherë unë kisha pozicionin e ministrit të Arsimit dhe takimet kur vinte këtu ishin mjaft intensive sepse ishte nder dhe respekt. Ishte një ngjarje e madhe për ne prezenca e tij këtu, por sidoqoftë nga takimet me të, gjithkush mund të përfitonte mjaft, si nga aspekti organizativ, si nga aspekti i jetës, po ashtu dhe nga ajo që ishte shkencë moderne,” – u shpreh Pollozhani.
Kush ishte Ferid Murati?
Ai ishte fitues i çmimit nobel për mjekësi në vitin 1998 si një nga tre shpikësit e viagrës.
Ferid Murati ka lindur në vitin 1936 në SHBA, babai i tij ishte shqiptar nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut dhe mamaja amerikane.
Ai ka jetuar dhe ushtruar karrierën e tij në SHBA, ku fillimisht e nisi si mjek i thjeshtë. U diplomua në vitin 1958 ndërsa më pas mori titullin doktor shkencash.
Në fillim të viteve të 70-ta Ferid Muradi filloi kërkimet mbi rolin e oksidit nitrik në sistemin kardiovaskular dhe zbuloi se ai luan një rol thelbësor në relaksimin e enëve të gjakut dhe përmirësimin e qarkullimit të gjakut.
Medikamenti u patentua në vitin 1996, u aprovua për përdorim për çrregullime erektive nga Administrata për Ushqim dhe Medikamente më 27 mars të vitit 1998, duke u bërë pilula e parë që do të trajtonte çrregullimin erektiv në SHBA dhe u ofrua për shitje menjëherë gjatë të njëtit vit.
Ky zbulim çoi në zhvillimin e ilaçeve të reja për trajtimin e sëmundjeve të zemrës dhe sëmundjeve të tjera kardiovaskulare, dhe i siguroi atij Çmimin Nobel në vitin 1998.
Ferid Murati ishte martuar me një grua amerikane me të cilën pati 3 fëmijë.
LEXONI GJITHASHTU:
- U shua pas një jete të sukseshme, kush është nobelisti shqiptar Ferid Muradi
- Ndërron jetë nobelisti shqiptar Ferid Muradi