Viti i ri akademik nis me protesta, studentët këmbëngulin në plotësimin e kërkesave të tyre
Studentët në mbarë vendin u janë drejtuar këtë të hënë universiteteve në atë që shënon fillimin e vitit të ri akademik 2019-2020. Në total janë rreth 83 mijë studentë dhe 10 mijë pedagogë në universitetet shqiptare, prej të cilëve 22 mijë janë ata që ulen për herë të parë në auditoret universitare. Viti akademik do të mbyllet më 30 shtator të vitit të ardhshëm.
Këtë vit janë hapur 103 programe të reja studimi, respektivisht 54 në studimet e ciklit të parë “Bachelor” dhe 49 në arsimin profesional. Një detaj që bie në sy sivjet është fakti që Mësuesia si degë studimi është renditur e treta ndër preferencat e maturantëve, pas Ekonomikut dhe Shkencave Sociale, me rreth 16% të studentëve të regjistruar në degët e mësimdhënies.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Besa Shahini e nisi me një videomesazh në rrjetin social Facebook këtë të hënë, përmes të cilit uron studentët për vitin e ri akademik dhe flet për angazhimet në vijim.
“Kemi kaluar të gjithë muajt e verës për realizimin e ‘Paktit për Universitetin’. Do të vazhdojmë me zbatimin e politikës së përgjysmimit të tarifave për të gjithë studentët e ciklit të parë dhe të integruar, si dhe do të vijojmë me dhënien e bursave për të gjithë studentët ekselentë dhe kategoritë në nevojë. Kemi investuar në konvikte, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë”, shprehet ministrja e Arsimit, Besa Shahini.
Ajo u bëri thirrje studentëve të mos harrojnë të përdorin bibliotekën digjitale, e cila ka sipas saj miliona artikuj shkencorë dhe libra akademikë për studimet e tyre, sikurse kërkoi mbajtjen hapur të kanaleve të komunikimit mes studentëve dhe dikasterit që ajo drejton, për probleme dhe shqetësime të ndryshme me të cilat mund të hasen.
Vitin e ri akademik, kryeministri Rama zgjodhi ta shënonte nga ambientet e Universitetit të Mjekësisë, ku uroi studentët e tij me një shprehje të Hipokratit, “Të dashurosh artin e mjekësisë do të thotë të dashurosh njerëzimin”.
Nga Mjekësia, kreu i ekzekutivit shqiptar dha edhe lajmin e Spitalit të ri të Kirurgjisë në një afat tepër të shpejtë kohor.
“Dashuria për njerëzimin është një marrëdhënie jo e lehtë. Ju e dini shumë mirë se nga mjekët kërkohet të bëhen mrekullira edhe kur nuk janë të mundshme. Kjo i kthehet mjekëve, që duhet të përballojnë stres dhe kosto morale jo të vogël me njerëzit, për më tepër në vendin tonë, ku ju e dini sesa e vështirë është vendosja e një raporti të shëndetshëm mes mjekut dhe pacientit. Së shpejti çelet dhe Spitali i ri model i Kirurgjisë, ku një përbërës i rëndësishëm do të jetë ndërveprimi me universitetin. Ky spital do të vendosë një standard të ri shëndetësor në vend, pasi do të shërbejë për të motivuar të gjithë trupën dhe për të lehtësuar kalimin e dijes dhe eksperiencës te më të rinjtë”, tha Rama.
Megjithatë, jo gjithçka nis pozitivisht në këtë ditë të hënë tetori. Në Shkodër, për shembull, viti i ri akademik nis me perspektivën e mbylljes së degës së Fizikës, pasi nuk ka pasur asnjë student të regjistruar.
Rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” në kryeqendrën e Veriut të Shqipërisë, Adem Bekteshi deklaroi për mediat se edhe në degët e Mësuesisë ka shumë pak të regjistruar. Sipas tij, shkak janë bërë rritja e mesatares dhe politika e re qeveritare për ata që pritet të edukojnë brezin e ri.
Në universitetin e Shkodrës, për këtë vit të ri akademik janë regjistruar për herë të parë 910 studentë, të cilët do të nisin nga sot ciklin e parë të studimeve “Bachelor”.
Dita e parë studentore nuk ka nisur vetëm me urimet e krerëve të politikës apo arsimit për studentët, por edhe me veprime në terren nga aktivistë të “Lëvizjes për Universitetin”. Pas protestave të dhjetorit të kaluar, gjatë të cilave përpiluan edhe një listë me 9 kërkesa bazë për t’u plotësuar nga qeveria, përfshi këtu edhe anulimin e Ligjit për Arsimit e Lartë, aktivistët e kanë nisur vitin e ri akademik me një aksion grafitesh në muret e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe në shumë fakultete të Universitetit të Tiranës dhe atij Politeknik.
Me një deklaratë të fortë kundër qeverisë e ka nisur urimin e saj për studentët edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, sipas së cilës arsimi i lartë në Shqipëri është në gjendje apatike.
“Protesta studentore e dhjetorit të kaluar nuk shërbeu vetëm për të na dhënë të gjithëve një leksion të fortë demokracie, por edhe për të sjellë në vëmendjen e të gjithë shoqërisë gjendjen apatike të arsimit të lartë. Megjithatë, as kjo protestë nuk ia doli të sjellë reflektim dhe ndryshim në auditorët tuaj. Ky vit akademik nisi me një ngjarje skandaloze, që dhunon rëndë autonominë universitare. Grabitjen që qeveria i bëri Kopshtit Botanik, të vetmit laborator natyror që ka sot vendi. Po aq i rëndë e i padrejtë ishte edhe vendimi i qeverisë për të ndryshuar kriteret e pranimit në universitet, vetëm një muaj përpara konkurrimit”, tha zonja Kryemadhi.
Protestat studentore nisën në dhjetor të vitit 2018 dhe vijuan deri në shkurt të këtij viti, me kërkesat e qarta për tarifa më të ulëta studimore dhe përmirësimin e kushteve në universitete. Qeveria kërkoi me këmbëngulje dialog me studentët, por këta të fundit përpiluan një listë me 9 kushte, për të cilat kërkuan zgjidhje medoemos. Qeveria përgatiti një draft të quajtur “Pakti për Universitetin”, që dukej se do t’i jepte zgjidhje kërkesave të studentëve, por i bëri këta të fundit të rrisnin kërkesat e tyre për më shumë cilësi, më shumë buxhet për arsimin, për kartën e studentit dhe kushte më të mira në konvikte.
Një nga pikat kryesore që studentët kërkonin me ngulm të zbatohej ishte ulja e tarifave në të gjitha programet e studimit, një pikë e cila nuk u zbatua totalisht, pasi përgjysmimi i tarifës u bë vetëm për studentët e “Bachelor”-it, ndërsa shumica dërrmuese e studentëve të Masterit do të vazhdojë të paguajë tarifa vjetore nga 60 mijë deri në 115 mijë lekë në vit, pasi përjashtim bënë vetëm studentët e ekselencës. Kjo u justifikua nga qeveria me faktin se Masteri ishte “luks” jo i domosdoshëm.
Studentët kërkuan gjithashtu rrëzimin e ligjit për Arsimin e Lartë, që nuk u mor parasysh nga qeveria. Kjo e fundit e konsideroi të panegociueshëm jo vetëm rrëzimin e këtij ligji, por edhe ndryshimin e pjesshëm të tij.
Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i kanë mëshuar fort suksesit me “Kartën e Studentit”, duke e cilësuar atë si një arritje të madhe që do t’iu sillte studentëve përfitime të mëdha. Por, në listën e shërbimeve me çmime të reduktuara të ofruara nga kjo kartë janë shërbime dytësore, që nuk plotësojnë nevojat bazë të studentëve.
Përmes kësaj karte, studentët pretendohet se do të kenë lehtësira në shërbimet e ndryshme publike dhe private që ofrohen në Tiranë, që nga bankat, telekomunikacioni, transporti, supermarketet, njësitë e shërbimit kulturor, kinematë, teatrot, sporti etj. Kjo kartë parashikon ulje në çmimet e biletave në muzetë, teatrot dhe kinematë e kryeqytetit, sikurse në Galeri, Teatrin e Kukullave ose nëpër fusha sportive.
Asgjëkundi nuk ka reduktim të çmimeve për ushqime, veshmbathje, konvikte apo të transportit qytetas dhe ndërqytetas, të cilin studentët e kanë të domosdoshëm. Nevoja parësore e studentëve është transporti publik, i cili me daljen e kartës nuk pësoi asnjë ndryshim. Çmimi për abonetë e autobusëve për studentët nuk ka ndryshuar, duke mbetur po 600 lekë në muaj siç ka qenë më herët. Po ashtu nuk ka asnjë përfitim nga ana e studentëve për transportin ndërqytetas, edhe pse shumica e tyre vijnë nga rrethet e Shqipërisë.
Karta nuk përfshin as ulje në çmimet e librave. Askund nuk shihet ndonjë librari që të ofrojë çmime të reduktuara për librat, ndërkohë që librat për studentët janë më të rëndësishëm sesa kafenetë, piceritë apo kinematë. Ulje nuk shihen as në supermarkete ose mensa, që janë ndër nevojat më parësore të studentëve.
Edhe rikonstruksioni i konvikteve nuk i ka përmbushur pritshmëritë e studentëve, të cilët nuk ndihen të kënaqur vetëm me lyerjen e godinave nga jashtë, por prisnin më shumë për kushtet që do të gjenin në brendësi të konvikteve, ku do t’iu duhet të kalojnë një pjesë të mirë të jetës së tyre studentore.
Një tjetër premtim i pambajtur edhe në buxhetin e arsimit, që jo vetëm nuk është shtuar, por me rishikimin e buxhetit të vitit 2019 janë shkurtuar me 1.6 mln euro fondet për arsimin e lartë.
Për të gjitha këto arsye, studentët duket se janë të gatshëm t’iu rikthehen protestave, siç edhe ka paralajmëruar “Lëvizja për Universitetin”. Pas aksionit për të lyer fasadën e godinave universitare me grafite, aktivistët kanë mbajtur edhe një protestë të vogël përpara Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku kanë kërkuar anulimin e ligjit për Arsimin e Lartë.
“E ndiejmë se lufta për arsim publik falas, dije kritike dhe universitet demokratik është e gjatë dhe nuk e gënjyem veten për asnjë moment se do t’ia arrinim për dy muaj. Organizimi studentor do të vlojë sërish në universitet për t’u treguar të gjithë impotentëve politikë, që qarkullojnë në pushtet dhe opozitë, se koha e tyre ka mbaruar, ndërsa universiteti do t’iu përkasë edhe njëherë universitarëve”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e shpërndarë prej tyre në rrjetet sociale.
Samiti i “Accenture Greqi” në Tiranë: Si inteligjenca artificiale po transformon bizneset
Vala e të nxehtit në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë nxjerr masat për qytetarët: Ja çfarë duhet të bëni
Protestuesi Erlis Sina i përgjigjet Ramës nga protesta: Nuk mund të jemi miq
- 21:33 Përkujtohet 90-vjetori i lindjes së akademikut Rexhep Qosja, Kurti: Pa të, kultura jonë do të ishte më e varfër
- 21:33 Të shtëna me armë zjarri në Shkodër, policia rrethon zonën
- 21:28 Franca mbyll 3 reaktorë bërthamorë për shkak të valës së të nxehtit
- 21:13 Nga mbështetja e diasporës te incidenti me mikrofonin, çfarë ndodhi në protestën para Kryeministrisë
- 20:57 Carney dhe Trump zhvillojnë një bisedë telefonike, çfarë u diskutua
- 20:55 NATO do njoftojë dhjetëra miliardë dollarë në kontrata të reja mbrojtëse në samitin e Ankarasë