Von der Leyen-Costa pas takimit me Vuçiç: Të përkushtuar për Serbi demokratike në BE
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, thanë të mërkurën në mbrëmje në Bruksel se mbeten plotësisht të përkushtuar për të parë një Serbi demokratike në Bashkimin Evropian.
Von der Leyen dhe Costa thanë në një postim në X se diskutuan me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç rëndësinë e përshpejtimit të reformave, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit dhe lirisë së medias.
“Ne theksuam se zgjerimi është një imperativ gjeostrategjik dhe nevoja që Serbia të përafrohet më tej me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Gjithashtu, ne mirëpritëm hapat e Serbisë për të diversifikuar burimet dhe rrugët e saj të energjisë dhe për të zvogëluar varësinë nga Rusia, pasiguria e së cilës është demonstruar vazhdimisht”, shkruan zyrtarët e lartë të BE-së.
Pas një darke pune të organizuar nga von der Leyen, të dy udhëheqësit e BE-së shtuan se ishte “mirë që u takuan së bashku me Vuçiçin për të vlerësuar progresin e Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së”.
“Evropa ka treguar vazhdimisht solidaritet me Serbinë përmes investimeve të mëdha në infrastrukturën energjetike dhe mbështetjes për familjet në nevojë. Siç e theksuam gjatë vizitave tona në fillim të këtij viti, ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për të parë një Serbi demokratike në BE. Mund të mbështeteni në mbështetjen tonë”, shtuan udhëheqësit e BE-së.
Pas darkës, Vuçiç u tha gazetarëve se ishte “vërtet i kënaqur me rrjedhën, mënyrën dhe tonin e bisedimeve, veçanërisht në lidhje me situatën energjetike”.
“Ishte një bisedë e këndshme, patëm një diskutim thelbësor. Ne e njohim njëri-tjetrin prej kohësh dhe e kuptojmë shumë mirë njëri-tjetrin, edhe kur nuk pajtohemi. Biseduam me shumë detaje se ku, sa dhe në çfarë mënyre mund të importojmë derivate të naftës, nga Bullgaria dhe Rumania, ku të ndërtojmë tubacione të reja gazi dhe nafte, hymë në detajet më të vogla. Nuk jam aq i shqetësuar për furnizimet me gaz sa jam për naftën, kërkuam zgjidhje dhe besoj se do të kemi mbështetjen e BE-së për këto çështje jetësore”, tha Vuçiç për mediat serbe.
Ai tha gjithashtu se u paraqiti von der Leyen dhe Costa propozimin e tij që i gjithë Ballkani Perëndimor të bashkohet me BE-në së bashku si një paketë. Ai shtoi se ata “më dëgjuan si njerëz të sjellshëm” dhe “nuk thanë asgjë për atë çështje të veçantë”.
LEXONI GJITHASHTU:
“Urime Spanjës, faleminderit lojtarëve tanë”, mesazhi i Macron pas eliminimit të Francës
Një i vdekur dhe 2 të zhdukur pas përmbytjes së një anijeje me 19 persona në Gjirin e San Franciskos (VIDEO)
Zjarret vdekjeprurëse në Spanjë, 12 nga 13 viktimat ishin të huaj
- 08:37 “Urime Spanjës, faleminderit lojtarëve tanë”, mesazhi i Macron pas eliminimit të Francës
- 08:31 Një i vdekur dhe 2 të zhdukur pas përmbytjes së një anijeje me 19 persona në Gjirin e San Franciskos (VIDEO)
- 08:28 Zjarret vdekjeprurëse në Spanjë, 12 nga 13 viktimat ishin të huaj
- 08:24 Rusia bombardon portin e Odesës, tre të vdekur dhe disa të plagosur (VIDEO)
- 08:20 Ushtria e Jordanisë rrëzon tre raketa të lëshuara nga Irani
- 08:14 Amnistia Penale, 60 të dënuar lirohen nga burgu i Drenovës