Von der Leyen në Sarajevë: Emëroni kryenegociatorin që të fillojë negociatat me BE

14 Tetor 2025 | 21:56

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha më 14 tetor në Sarajevë se prioritet është mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare, për çka është e nevojshme të emërohet kryenegociatori.

Ajo theksoi se zgjedhja e personit që do ta mbajë këtë rol i takon institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës, por se më e rëndësishmja është që emërimi të bëhet sa më parë, në mënyrë që të mund të fillohet menjëherë me aktivitetet e nevojshme.

Vizita e saj u zhvillua menjëherë pas vendimit të Këshillit të Ministrave, më 30 shtator, për të miratuar Draftin e Agjendës së Reformave, dokument që ka rëndësi vendimtare për tërheqjen e rreth 900 milionë eurove kredi të favorshme dhe grante nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Në konferencën për shtyp, pas takimit me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, von der Leyen kujtoi se “para një viti e gjysmë Këshilli Evropian mori një vendim historik për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Bosnjë e Hercegovinën”.

Ajo shtoi se Bosnja dhe Hercegovina ka bërë një rrugë të gjatë dhe se vendi sot qëndron në prag të Bashkimit Evropian.

“Ju përgëzoj për Agjendën e Reformave, dhe tani është radha jonë ta vlerësojmë atë; në hapin e ardhshëm do të duhet të shkojmë drejt finalizimit për miratimin e fondeve”, theksoi presidentja e Komisionit Evropian.

Ajo theksoi se e ardhmja e të gjitha komuniteteve në Bosnjë e Hercegovinë është në Bashkimin Evropian, duke shtuar se zgjerimi “nuk është vetëm çështje politike, por edhe çështje zemre, vullneti dhe zëri të popullit”.

“Sipas një ankete të fundit të opinionit publik, 72 për qind e qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës kanë besim tek Bashkimi Evropian. Brezat e rinj duan të jetojnë në një Evropë të bashkuar, dhe detyra jonë është t’ua bëjmë këtë të mundur”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, shprehu shpresën se “do të ketë përgjegjësi politike kur bëhet fjalë për rrugën evropiane të vendit”, duke theksuar se “në këtë proces nuk duhet të ketë ndarje mes pozite dhe opozite, por përkushtim të përbashkët ndaj Bashkimit Evropian”.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Reforma Administrativo-Territoriale, PD kërkon shtyrjen e afatit të Komisionit deri në tetor

U zhvillua këtë të mërkurë mbledhja e radhës e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale. Gjatë mbledhjes, Partia Demokratike kërkoi shtyrjen e afatit të...
14:37 | 15/07/2026

Hita mbledh drejtuesit e Policisë në qarqe: Prioritet siguria gjatë sezonit turistik dhe goditja e krimit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim pune me drejtorët e drejtorive vendore të Policisë në qarqe dhe drejtuesit e...
14:09 | 15/07/2026

Mbajtën peng dhe kërcënuan një 70-vjeçar në shtëpinë e tij për ta grabitur, arrestohen 3 persona në Himarë

Policia e Himarës ka finalizuar operacionin e koduar “Shuma”, duke arrestuar tre persona të dyshuar për tentativën e grabitjes së një 70-vjeçari në fshatin Borsh....
12:58 | 15/07/2026