Vritet në atentat deputeti kenian, paralajmëroi vdekjen e tij pas kërcënimeve

1 Maj 2025 | 07:30

“Kur të dëgjoni se jam vrarë, Kasipuli nuk do të jetë më i njëjti. Por e di që nuk do të më vrasin, sepse kam Biblën në telefon dhe një tjetër nën jastëk”.

Këto ishin fjalët profetike që Charles Ong’ondo Were, një anëtar i Parlamentit të Kenias, i tha në muajin shkurt.

Të mërkurën në mbrëmje, ato u bënë realitet tragjik: deputeti u qëllua për vdekje në rrugët e kryeqytetit Nairobi, në një atentat të dyshuar nga persona të armatosur që udhëtonin me motoçikletë.

Sipas deklaratës së policisë, sulmuesit e ndoqën makinën e tij dhe njëri prej tyre zbriti nga motoçikleta për ta qëlluar nga afër.

“Natyra e këtij krimi duket të jetë si e synuar, ashtu edhe e paracaktuar,” tha zëdhënësi i policisë, Muchiri Nyaga.

Charles Were, deputet i opozitës dhe përfaqësues i zonës Kasipul, kishte denoncuar publikisht dy muaj më parë se po kërcënohej për jetën. Ai kishte pohuar se “banditë të paguar” po komplotonin për ta vrarë, duke e lidhur gjithçka me përplasjet në politikën lokale.

Pas të shtënave të mbrëmjes së së mërkurës, shoferi dhe truproja e tij – të cilët mbetën të padëmtuar – arritën ta çonin me urgjencë në Spitalin e Nairobit, ku ai u shpall i vdekur sapo mbërriti.

“Ata kishin për qëllim të vrisnin” – Siguria në shënjestër

Sulmi ndodhi përgjatë Rrugës Ngong, pranë një rrethrrotullimi të ngarkuar, zakonisht i mbikëqyrur nga policia e trafikut dhe i pajisur me kamera sigurie.

Menjëherë pas ngjarjes, komandantë të lartë të policisë dhe hetues vizituan vendin, ndërsa hetimet janë duke vijuar.

Presidenti William Ruto ka urdhëruar një hetim të plotë mbi sulmin, duke deklaruar se “ata që janë përgjegjës duhet të mbahen përgjegjës.”

Ligjvënës të tjerë që mbërritën në vendin e ngjarjes shprehën tronditje dhe zemërim, duke kërkuar hetim të shpejtë dhe drejtësi.

Kryetari i Parlamentit, Moses Wetang’ula, e përshkroi viktimën si një deputet “të patrembur dhe të shquar”, duke e quajtur vrasjen e tij “shkatërruese”.

Charles Ong’ondo Were

Motiv politik? Deputeti kishte paralajmëruar për komplot

Motivi për vrasjen ende mbetet i paqartë, por ligjvënësi i profilit të ulët publikisht kishte pohuar se disa “banditë të paguar” po komplotonin për ta vrarë, duke ia atribuar kërcënimet politikës lokale.

Në shkurt, ai shprehu shqetësim për dhunën dhe trazirat e përsëritura në ngjarje publike në zonën zgjedhore të Kasipul, në Kenian Perëndimore, të cilën ai e përfaqësonte.

“Kur të dëgjoni se jam vrarë, Kasipuli nuk do të jetë më i njëjti. Por e di që nuk do të më vrasin, sepse kam Biblën në telefon dhe një tjetër nën jastëk”, kishte thënë ai në atë kohë.

Të enjten, detektivët e vrasjeve vizituan vendin e ngjarjes, ndërsa Ministri i Brendshëm, Kipchumba Murkomen, deklaroi se hetimet kanë përparuar.

Were po shërbente mandatin e tij të dytë në parlament si anëtar i Lëvizjes Demokratike Portokalli, e udhëhequr nga politikani veteran Raila Odinga.

Në një deklaratë të tij, Odinga e dënoi vrasjen, duke thënë se deputeti u qëllua “pa mëshirë dhe me gjakftohtësi nga një vrasës”.

“Kemi humbur një bir të guximshëm të kësaj toke,” shtoi ai.

Odinga humbi ndaj Presidentit Ruto në zgjedhjet e vitit 2022, dhe i hodhi poshtë rezultatet për shkak të parregullsive të dyshuara.

Që prej atëherë, ai ka arritur një marrëveshje politike me Ruto-n, që ka çuar disa anëtarë të opozitës të bashkohen me kabinetin, në atë që njihet si “qeveria me bazë të gjerë”.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mali i Olimpit shtohet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s

UNESCO ka përfshirë malin Olimp të Greqisë në Listën e Trashëgimisë Botërore, duke njohur malin më të lartë të vendit për vlerën e tij të...
19:38 | 26/07/2026

Ushtria izraelite: Kemi vrarë një komandant të Hamasit gjatë sulmeve në Gaza

Ushtria izraelite ka njoftuar se ka vrarë një komandant të Hamasit në një sulm në Gazën qendrore të shtunën. Ushtria e identifikoi atë si Hamam...
19:18 | 26/07/2026

Brazili tërheq ambasadorin nga Argjentina pas kritikave të Mileit për Lulën

Brazili ka tërhequr ambasadorin e tij nga Buenos Aires pasi presidenti argjentinas Javier Milei kritikoi udhëheqësit dhe gjyqësorin brazilian, thanë të dielën dy burime të...
18:55 | 26/07/2026