Zbardhet vendimi i plotë unifikues i Gjykatës së Lartë mbi masën e sigurimit personal në Shqipëri, barra e provës i kalon Prokurorisë
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë zbardhur vendimin e plotë unifikues i cili sjell një kthesë në kriteret e caktimit të masave të sigurimit personal në Shqipëri.
Përmes këtij vendimi, Gjykata e Lartë ka ndryshuar pjesërisht praktikën e vjetër të vitit 2011, duke vendosur standarde të reja që mbrojnë lirinë e individit dhe kufizojnë përdorimin automatik të masës “arrest në burg”.
Tre shtyllat e vendimit të ri
Ndryshimi i praktikës gjyqësore bazohet në tre parime kryesore që gjykatat duhet të zbatojnë tashmë në mënyrë të detyrueshme:
- Detyrimi për analizë reale të masave alternative: Gjykata nuk mund të mjaftohet më me arsyetimin se “arresti në burg” është i përshtatshëm. Ajo ka detyrimin ligjor të analizojë shprehimisht pse masat e tjera më të lehta (si arresti në shtëpi apo detyrimi për paraqitje) nuk janë të mjaftueshme për rastin konkret.
- Rrezikshmëria nuk supozohet nga lloji i krimit: Kolegjet e Bashkuara rrëzuan praktikën ku “arresti në burg” jepej automatikisht për krime të rënda ose me marzh të lartë dënimi. Tashmë, rrezikshmëria e veçantë duhet të provohet përmes një vlerësimi të individualizuar që përfshin personalitetin e autorit, sjelljen e tij, rrethanat familjare dhe shëndetësore.
- Barra e provës i takon Prokurorisë: Në ndryshim nga praktika e kaluar, personi nën hetim nuk ka më detyrim të paraqesë “prova pozitive” për të merituar lirinë. Eshtë organi i akuzës ai që duhet të argumentojë me fakte konkrete pse liria e individit përbën rrezik dhe pse asnjë masë tjetër nuk e parandalon këtë rrezik.
Ky vendim unifikues erdhi gjatë shqyrtimit të rastit të shtetasit Begtash Zeneli, të cilit gjatë kontrollit në banesë iu gjetën 7 kilogramë e 350 gramë lëndë narkotike cannabis sativa. Megjithëse Prokuroria kërkoi me ngulm “arrestin në burg”, Gjykata e Apelit vendosi “arrest në shtëpi” duke marrë parasysh moshën e tij 63-vjeçare, faktin që ishte i rehabilituar ligjërisht dhe gjendjen e rëndë shëndetësore të bashkëshortes.
Gjykata e Lartë, pasi analizoi rekursin e prokurorit, vendosi të lërë në fuqi masën e “arrestit në shtëpi”. Kolegjet vlerësuan se rrezikshmëria e veprës, megjithëse e lartë, nuk mundet apriori të mbizotërojë mbi rrethanat specifike njerëzore të të dyshuarit, nëse nuk provohet rreziku konkret i ikjes apo përsëritjes së krimit.
Në arsyetimin e saj, Gjykata e Lartë theksoi se ky ndryshim është i domosdoshëm për të përafruar drejtësinë shqiptare me standardet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Sipas vendimit, “arresti në burg” duhet të mbetet gjithmonë si “ultima ratio” (masa e fundit), pasi prezumimi duhet të jetë gjithmonë në favor të lirisë.
Ky vendim, i cili është dërguar për botim në Fletoren Zyrtare, pritet të ketë një efekt të menjëhershëm në të gjitha sallat e gjyqeve në vend, duke rritur standardin e arsyetimit për çdo kufizim të lirisë personale.
Sulm me dronë ukrainas në zemër të Rusisë, goditet rafineria strategjike e Omskut
Pamjet virale, momenti kur princesha e Norvegjisë përqafon Haaland pa bluzë pas fitores me Brazilin
Shuhet zjarri në malin e Shëngjinit pas 24 orësh, arrestohet 57-vjeçari
- 10:09 Rutte: Aleatët do të blejnë deri në pesë dronë mbikëqyrës Triton
- 10:05 Rama: Në koncertin e Kanye West janë shitur më shumë bileta se në Conference League
- 09:57 Agravon konflikti mes disa personash në Tiranë, plagoset 33-vjeçari. Arrestohen 3 autorët, në kërkim i mituri
- 09:48 Gjykata rrëzon përpjekjet e Trump për shtyrë pagimin e dëmshpërblimit 5.8 milionë dollarësh ndaj Jean Carroll
- 09:31 Fundjava e 4 korrikut, dhjetëra vdekje nga të shtënat me armë në SHBA
- 09:20 Administrata Trump pret që siguria e Ngushticës së Hormuzit të jetë në fokus të samitit të NATO-s