Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, pjesëmarrja kaloi 14% deri në orën 13:00. Procesi i votimit vijon
Qytetarët e Kosovës po marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dielën, të tretat në rreth 18 muaj, pas dështimit të partive për të siguruar shumicën e nevojshme për formimin e një qeverie stabile dhe daljen nga kriza politike.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe pritet të mbyllen në orën 19:00, sipas njoftimit të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Deri në orën 13:00, sipas të dhënave të KQZ-së, kanë votuar 265,802 qytetarë, që përbën 13.56% të votuesve me të drejtë vote.
Procesi zgjedhor po zhvillohet në 949 qendra votimi me gjithsej 2,550 vendvotime në të gjithë vendin. Prej tyre, 911 qendra me 2,498 vendvotime janë të dedikuara për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra, nga një në secilën komunë me 52 vendvotime, shërbejnë për votimin me kusht.
Në këto zgjedhje kanë të drejtë vote 2,092,174 qytetarë.
Sipas të dhënave zyrtare, pjesëmarrja deri në orën 13:00 tregon një proces që po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe pa raportime të mëdha për incidente.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha në një konferencë për media se procesi zgjedhor është duke u zhvillua në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë incident në 38 komunat e vendit.
“Sipas të dhënave të raportuara nga komisionet komunale të zgjedhjeve, votimi deri në këtë kohë është duke u zhvilluar në kushte të rregullta dhe pa probleme që do ta cenonin mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, tha Radoniqi.
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka angazhuar mbi 100 prokurorë të shtetit dhe staf mbështetës të sistemit prokurorial po qëndrojnë kujdestarë për vëzhgimin e zgjedhjeve.
Më shumë se 900 kandidatë nga 17 parti politike dhe tri koalicione po garojnë për ulëse në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120 deputetë.
Ndërkohë, udhëheqësit politikë bënë thirrje për dalje sa më të madhe në zgjedhje dhe proces të qetë e demokratik.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili synon ta ruajë pushtetin, tha se shpreson që vendi nuk do të ketë nevojë më të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi hodhi votën e tij në Prishtinë.
“Uroj që për zgjedhje parlamentare këtu të shihemi pas katër vitesh”, tha Kurti.
Edhe kundërshtarët e tij opozitarë, kandidati për kryeministër dhe kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, dhe ai i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, u shprehën se nuk duhet të ketë më zgjedhje në katër vjetët e ardhshme.
“I ftoj ta ushtrojnë të drejtën për votë sipas bindjeve të tyre politike, të votojnë në mënyrë të qetë, të lirë dhe demokratike. Ne sot vendosim për të ardhmen për katër vitet e ardhshme”, tha Hamza.
Abdixhiku tha se sot është “një ditë, brenda 12 orëve nga ora 7 e mëngjesit deri në ora 7 e mbrëmjes, vendoset fati i Republikës për katër vjetët e ardhshme”.
Largohet flamuri i Serbisë nga një qendër votimi në Pejë
Në fshatin Gorazhdec të Komunës së Pejës është vërejtur flamuri i Serbisë në Qendrën e Votimit, e cila është larguar menjëherë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i Policisë nga rajoni i Pejës, Fadil Gashi tha se pasi që është njoftuar Policia e Kosovës, ka raportuar KQZ-në dhe flamuri është larguar nga komisioneri i Qendrës së Votimit.
Ai tha se pas largimit të flamurit nuk ka pasur ndonjë incident dhe deri më tani situata është e qetë.
“Policia është njoftuar, e ka raportuar, ka vërejtur vetëm flamuri i Serbisë. Policia është për siguri nuk është me heq flamuj, KQZ e ka hequr. E ka vërejtur që veç flamuri i Serbisë është në vendvotimin e Gorazhdecit. Menjëherë kemi raportuar në KQZ dhe e ka larguar komisioneri. Qetë është gjithçka”, tha Gashi.
Djali i Hashim Thaçit: Presim një ndryshim që duhet të ndodh
Pasardhësit e dy prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, Endrit Thaçi dhe Klestor Veseli sot kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.
Që të dy votuan paraditen e së dielës në qendrën e votimit, saktësisht në shkollën “Faik Konica”, në Prishtinë.
Klestor Veseli, i shoqëruar nga nëna dhe vëllau, nuk pranoi të prononcohet për media. I shoqëruar nga nëna e tij ishte edhe Endriti, djali i Hashim Thaçit.
Ai për KosovaPress, tha se presin një ndryshim që duhet të ndodh.
“Presim një ndryshim i cili duhet të ndodh”, tha Thaçi. Sot në vend po mbahen zgjedhjet e parakohshme, ku qytetarët votojnë për të zgjedhur legjislaturën e re.
Ndërkohë, kujtojmë që gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së është ende duke vazhduar.
Haxhiu: Qytetarët të votojnë
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka votuar sot në shkollën “Meto Bajraktari”, në Prishtinë.
Me këtë rast, Presidentja Haxhiu ka ftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që sot, ditë e diel, 7 qershor, të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
“Sa më e lartë pjesëmarrja në këto zgjedhje, aq më e fortë është demokracia jonë”, ka thënë Presidentja Haxhiu.
Ajo ftoi të gjitha palët dhe të gjithë qytetarët që kjo ditë zgjedhjesh të kalojë me maturi, respekt të ndërsjellë dhe dashuri për vendin.
“Unë sapo ushtrova të drejtën time të votës. Me këtë rast, nga këtu i ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që sot të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Sa më e lartë pjesëmarrja në këto zgjedhje, aq më e fortë është demokracia jonë. I ftoj të gjithë palët, të gjithë qytetarët që në këtë ditë të bukur me diell të dëshmojmë maturi, respekt për njëri-tjetrin dhe dashuri për vendin”, tha Haxhiu.
Në fund, Haxhiu falënderoi qytetarët, mediat dhe të gjithë ata që gjatë ditës janë të angazhuar në procesin zgjedhor, duke uruar që dita të kalojë sa më lehtë dhe sa më mbarë.
Bedri Hamza: Sot vendosim për katër vitet e ardhshme
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka ushtruar të drejtën e votës këtë të diel, së bashku me familjen e tij, në kuadër të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Pas votimit, Hamza u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe të shprehin vullnetin e tyre në mënyrë të lirë dhe demokratike.
“Bashkë me familjen time sapo e shfrytëzuam të drejtën tonë për të votuar. I ftoj të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, të dalin të votojnë sipas bindjeve të tyre politike, në mënyrë të lirë, të qetë dhe demokratike. Është një ditë e bukur dhe ne sot vendosim për të ardhmen e katër viteve të ardhshme”, deklaroi Hamza.
Ai votoi në shkollën “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në orën 10:19, pjesëmarrja në votime në Mitrovicën e Jugut kishte arritur në 3.49%, ose 2,805 qytetarë nga 80,271 votues me të drejtë vote.
Lumir Abdixhiku voton në Prishtinë: Zgjedhjet janë festë e demokracisë
Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka votuar këtë të diel në zgjedhjet parlamentare, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.
Pas votimit, Abdixhiku u bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në zgjedhje dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Ai theksoi se zgjedhjet janë një moment i rëndësishëm për demokracinë dhe të ardhmen e vendit, duke i cilësuar si “festë të demokracisë dhe shprehjes së lirë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës”.
“Zgjedhjet janë festë për popullin tonë. Janë festë e demokracisë, shprehjes së lirë të vullnetit të popullit të Kosovës. Siç kemi dëshmuar tash e sa kohë dhe tash shpesh kohët e fundit, Kosova organizon zgjedhje të mira, të mbara dhe demokratike. Sot presim këtë ditë të mirë të kemi zgjedhje të mira dhe demokratike”, deklaroi ai.
Ai shtoi se brenda ditës së votimit vendoset fati i qeverisjes për katër vitet e ardhshme.
“Sot është një ditë ku brenda 12 orëve vendoset fati i republikës për katër vitet e ardhshme. Në këtë drejtim pres pjesëmarrje masive të qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Abdixhiku.
Albin Kurti, thirrje qytetarëve: Shfrytëzoni të drejtën tuaj demokratike
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në kuadër të procesit zgjedhor, duke votuar në Fakultetin Juridik në Prishtinë.
Kurti iu drejtua qendrës së votimit gjatë paradites, ku kreu procedurat e nevojshme dhe hodhi votën e tij në kutinë e votimit.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor.
Procesi i votimit po zhvillohet në qendrat e votimit në të gjithë vendin, ndërsa institucionet përgjegjëse kanë bërë të ditur se deri më tani nuk janë raportuar pengesa serioze në mbarëvajtjen e tij.
Osmani: E bindur se me votën e sotme të qytetarëve do të dalim nga kriza
Vjosa Osmani, kandidate për presidente nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), sapo ka hedhur votën e saj.
Osmani para mediave ka thënë se ka optimizëm që zgjedhjet e sotme do ta shtrojnë rrugën drejt formimit të institucioneve dhe daljes së vendit nga kriza.
“Jam e bindur që me votën e qytetarëve sot do të mundësohet rruga drejt formimit të institucioneve dhe daljes nga kriza. Kam optimizëm të madh që sot vota e qytetarëve do ta nxjerrë vendin nga kriza”, tha Osmani.
Nusja shkon me vello për të votuar
Këtë të dielën po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, ku qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në të gjithë vendin.
Në qendrën e votimit “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut është raportuar një rast i veçantë gjatë procesit zgjedhor, ku një votuese me origjinë serbe ka ushtruar të drejtën e saj të votës e veshur me vello.
Ngjarja është vënë re gjatë votimit në këtë qendër, ndërsa procesi zgjedhor po zhvillohet normalisht.
Ndërkohë, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të drejtën e votës e kanë 2.092.174 qytetarë. Votimi organizohet në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime në të gjithë Kosovën. KQZ ka bërë të ditur se këto janë zgjedhjet e 11-ta në nivel nacional që nga përfundimi i luftës.
Në garë marrin pjesë 22 parti politike dhe tre koalicione parazgjedhore. Vetëvendosje garon në koalicion me Guxo, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane, ndërsa PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja konkurrojnë të vetme. Pjesë e kësaj gare është edhe ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila i prin listës për deputetë të LDK-së, partisë ku ishte pjesë përpara mandatit presidencial.
E vetme garon edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.
Një ditë më parë ka votuar diaspora në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Sipas të dhënave zyrtare, nga 27.724 votues të regjistruar jashtë vendit kanë votuar 22.414 qytetarë, ose 80.85% e tyre. Procesi është zhvilluar në 30 përfaqësi diplomatike, përfshirë ambasada dhe konsullata në Evropë, SHBA dhe Kanada.
Kreu i KQZ-së hedh votën i pari
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka qenë i pari që ka hedhur votën në kutitë e zgjedhjeve ditën e sotme.
Ai votoi në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në Pejë dhe pas votimit ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.
“Sot fillon dita e zgjedhjeve dhe për këtë ditë KQZ ka qenë e angazhuar që nga shpallja e saj për përgatitjet. Të gjitha përgatitjet deri më sot pothuajse kanë përfunduar, tash fillon procesi zgjedhor dhe më pas fillon numërimi në të gjitha qendrat komunale të numërimit. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, me zgjedhjen e tyre do të zgjedhin përfaqësuesit për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Radoniqi.
Detajet e zgjedhjeve në Kosovë
Këtë të dielë, rreth 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, janë ftuar të votojnë prapë për të zgjedhur legjislaturën e 11-të të Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, ka bërë të ditur se numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2,092,174 votues.
Kjo listë sipas KQZ-së, përmban 15,884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.
“Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1,959,962 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 132,212 votues, prej të cilëve, 100,970 janë regjistruar për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, 3,518 për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare në Kosovë dhe 27,724 për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike”, tha KQZ.
Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme më 7 qershor, është: 22,685 votues, prej të cilëve:
16,934 votues konsiderohen të rinj që, pas zgjedhjeve për Kuvend (28.12.2025), kanë arritur moshën 18 vjeç dhe do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor. Prej tyre 8,752 (51.68 %) janë meshkuj, ndërsa 8,182 (48.31 %) janë femra; dhe5,751 votues konsiderohen të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, ose votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.
Sipas të dhënave nga ky raport, numri i përgjithshëm i votuesve që janë larguar nga LPV pas zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës (28.12.2025) është 6,801. Ky numër përfshin:
6,165 votues të larguar si persona të vdekur, të evidentuar nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC);419 votues të larguar për shkak të humbjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës, të evidentuar nga ARC; dhe217 votues të larguar nga lista votuese pas pranimit të dhënave nga KGjK.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2,498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.
“Ndërkaq, procesi zgjedhor jashtë vendit, përveç votimit me postë, do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime. Votimi fizik në këto përfaqësi do të zhvillohet më 6 qershor 2026”, thotë KQZ.
Djali i Hashim Thaçit: Presim që ndryshimi të ndodh
Bedri Hamza voton me familjen: Dilni në votime, sot vendosim për katër vitet e ardhshme
Zgjedhjet në Kosovë, Haxhiu voton: Sa më e lartë të jetë pjesëmarrja, aq më e fortë është demokracia jonë
- 13:30 Djali i Hashim Thaçit: Presim që ndryshimi të ndodh
- 13:06 Shiste kokainë dhe heroinë në ambient e “PlayStation” ku punonte, arrestohet 20-vjeçari në Durrës
- 13:01 Rama reagon ndaj komentuesve në rrjetet sociale: Boll e ndotët mexhelisin shqipfolës
- 12:58 Zhduket i riu në Tiranë, kërkimet për 34-vjeçarin vijojnë prej katër ditësh
- 12:34 AF Elbasani dhe Armand Duka reagojnë pas ndarjes nga jeta të Fatjon Bunjakut
- 12:23 Bedri Hamza voton me familjen: Dilni në votime, sot vendosim për katër vitet e ardhshme