Rreth 10 ditë pas denoncimit për zhdukjen e biznesmenit italian Davide Pekoreli, burime nga policia bëjnë të ditur se 45-vjecari mund të ketë djegur veten në rrethana të paqarta në automjetin e marrë me qira “Skoda Fabia.” Për ngjarjen është marrë në pyetje dhe bashkëjetuesja e tij me origjinë shqiptare që para hetuesve ka deklaruar se nuk ka dijeni nëse biznesmeni i fushës së kozmetikës ka pasur probleme me askënd.
Ngjarja ka ndodhur më datë 8 janar rreth orës 19:00 në njësinë administrative Reps të Pukës, ku kanë qenë banorët e zonës të cilët kanë referuar rastin në polici.
Nga këqyrja paraprake që është bërë në brendësi të automjetit, janë gjetur mbetje kockash në ulësen e parë të cilat dyshohet se i përkasin 45-vjeçarit, sende personale të tij si dhe disa produkte kozmetike.
Mbetjet e kockave janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës në Policinë e Shtetit dhe deri më tani raportohet për një ngjarje aksidentale.
Ky version është pasqyruar edhe në komunikatën operative të përpiluar nga Policia e Shkodrës, e cila prej më shumë se 10 ditësh ende nuk ka dhënë një njoftim zyrtar për ngjarjen e rëndë ndërsa ishin mediat italiane që publikuan lajmin për zhdukjen e biznesmenit prej datës 6 janar.
Burime bëjnë me dije se hetuesit kanë arritur të zbërthejnë GPS-in dhe të zbulojnë lëvizjet e automjetit te cilin biznesmeni e kishte marrë me qira në Rinas sapo kishte shkelur në tokën shqiptare në ditët e para të Janarit.
Nga hetimet është zbuluar se biznesmeni ka lëvizur në qytete si Tirana, Shkodra, Puka dhe Vlora. Davide Pecorelli është një sipërmarrës Italian në pronësi të të cilit rezulton një hotel në Lama të komunës së San Giustinos si dhe disa qendra estetike në Sansepolcro. Këtë biznes ai e kishte shtrirë edhe në Shqipëri prej disa muajsh për shkak të lidhjes me një vajzë shqiptare.
Kjo e fundit ka dhënë deklarimet e saj në polici duke thënë se nuk ka dijeni që bashkëjetuesi i saj ka pasur ndonjë konflikt. Ndërkohë, sipas burimeve nga uniformat blu në ditën kur ka ndodhur ngjarja dhe biznesmeni ka humbur kontaktet me bashkëjetuesen shqiptare, kjo e fundit ka qenë në Itali.