Zyrtarët besojnë se personi brenda automjetit që shpërtheu në Las Vegas, vrau veten

2 Janar 2025 | 21:45

Personi brenda Teslës së tipit ‘Cybertruck’ që shpërtheu dhe u përfshi nga flakët para hotelit të kompanisë Trump të presidentit të zgjedhur Donald Trump në Las Vegas, kishte pësuar një goditje me armë në kokë para shpërthimit, thanë zyrtarët të enjten.

Sherifi i qarkut Clark, Kevin McMahill tha në një konferencë shtypi se një pistoletë u gjet në këmbët e personit që është identifikuar si Matthew Livelsberger. Zyrtarët besojnë se bëhet fjalë për vetëvrasje.

Livelsberger shërbente në Beretat e Gjelbërta, forcat elitë të specializuara për të luftuar terrorizmin jashtë vendit dhe për të trajnuar forcat partnere, tha në një deklaratë ushtria amerikane.

Ai shërbente në ushtri që nga viti 2006, me një karrierë të gjatë, përfshirë dy ture në Afganistan dhe shërbime në Ukrainë, Taxhikistan, Gjeorgji dhe Kongo, tha ushtria amerikane.

Ai është vlerësuar me dy yje bronzi, përfshirë një për trimëri për guxim nën zjarr, një distinktiv të këmbësorisë luftarake dhe një medalje për trimëri.

Livelsberger ishte me leje kur vdiq, sipas deklaratës.

FBI tha të enjten në një postim në X se bënte kontrolle në një shtëpi në Kolorado në lidhje me shpërthimin e së mërkurës, por nuk dha detaje të tjera.

Shpërthimi i kamionit, i mbushur me fishekzjarre dhe bombola karburanti, ndodhi disa orë pasi 42-vjeçari Shamsud-Din Bahar Jabbar përplasi një kamion në një turmë në një lagje të famshme të Nju Orlinsit në ditën e Vitit të Ri, duke vrarë të paktën 15 persona përpara se të qëllohej për vdekje nga policia.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zjarre të mëdha në Kanada, përfshihet nga flakët dhe një tren mallrash me punëtorë brenda

Një tren mallrash në Kanada është përfshirë nga flakët për shkak të një zjarri të madh. Sipas mediave ndërkombëtare, punëtorët sapo janë përfshirë nga zjarri...
19:40 | 15/07/2026

Gjermania rrit ndjeshëm taksën mbi duhanin, një paketë pritet të shkojë 12 euro

Qeveria gjermane planifikon të rrisë taksën mbi produktet e duhanit më shumë sesa ishte parashikuar fillimisht, si pjesë e masave për mbrojtjen e shëndetit publik...
18:29 | 15/07/2026

Kremlini hedh poshtë akuzat e Lituanisë për sulme: Histori të hartuara për shpëlarjen e trurit të popullsisë

Kremlini hodhi poshtë të mërkurën akuzat e Lituanisë se Moska po planifikon sulme ndaj infrastrukturës së vendit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i ka cilësuar...
18:03 | 15/07/2026