English

Zyrtarët: Marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut e afërt

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Zyrtarët izraelitë dhe libanezë thanë sot se Izraeli dhe Hezbollahu, grupi militant i mbështetur nga Irani, janë afër arritjes së marrëveshjes për armëpushim, që pritet t’i japë fund konfliktit në Liban.

- Advertisement -

Kabineti izraelit i luftës do të takohet gjatë ditës së sotme për të miratuar marrëveshjen, duke i hapur rrugën një deklarate mbi armëpushimin nga Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai francez Emmanuel Macron, vendet e të cilëve pritet të jenë pjesë e komisionit ndërkombëtar që do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe kabineti i tij i luftës pritet të diskutojnë të martën propozimin amerikano-francez për arritjen e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, që do t’i jepte fund konfliktit 14 mujor në Liban.

Por krahas përparimit politik, përshkallëzimi ushtarak vazhdoi të martën. Aeroplanët izraelitë vazhduan të bombardojnë Bejrutin, përfshirë afër qendrës së kryeqytetit, dhe Libanin jugor, ndërkohë që ushtria izraelite njoftoi se trupat e saj kanë arritur deri tek Lumi i Litanit, një pikë kyçe e marrëveshjes së armëpushimit. Sipas autoriteteve libaneze, 31 persona humbën jetën në këto sulme. Izraeli lëshoi urdhra evakuimi në 20 vendbanme në periferitë e Bejrutit, paralajmërimi më i madh që nga intensifikimi i konfliktit në Liban.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Sigurinë dhe Politikën e Jashtme, Josep Borrell, i cili po merr pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të shtatë shteteve më të zhvilluara në Itali, tha se komisioni që do të mbikëqyrë zbatimin e armëpushimit do të kryesohet nga Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që Franca do të jetë anëtare e tij me kërkesën e Libanit. Ai paralajmëroi se mungesa e një armëpushimi “do ta shkatërronte Libanin.”

“Nuk ka arsyetim për të mos arritur armëpushimin në Liban. Marrëveshja e propozuar dhe e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca, u jep përgjigje të gjitha shqetësimeve të sigurisë së Izraelit… Nuk ka më arsyetime, nuk ka më kërkesa shtesë. Jepni fund luftimeve, ndaloni vrasjen e njerëzve dhe të fillojmë të mendojmë për paqen”, deklaroi ai.

Ministri i jashtëm i Libanit, Abdallah Bou Habib u shpreh optimist se marrëveshja mund të arrihet të martën mbrëma.

Ndër çështjet për të cilën ende nuk ka pajtim është kërkesa e Izraelit që të rezervojë të drejtën për të vepruar nëse Hezbollahu shkel detyrimet që dalin nga marrëveshja.
Marrëveshja parashikon largimin e forcave izraelite nga Libani dhe detyron militantët e Hezbollahut të tërhiqen brenda 60 ditësh drejt veriut, përtej lumit të Litanit, që gjendet rreth 30 kilometra larg kufirit ndërmjet Libanit dhe Izraelit.

Sipas zyrtarëve, ushtria libaneze do të dislokojë 5 mijë ushtarë në pjesën jugore të Libanit, ndprsa Shtetet e Bashkuara pritet të ndihmojnë në ndërtimin e infrastrukturës së shkatërruar nga sulmet izraelite.

Shtëpia e Bardhë tha të hënën se palët janë afër marrëveshjes dhe presidenca franceze tha se bisedimet kanë shënuar përparim të rëndësishëm.

Ndërkohë një komision civil i krijuar për të hetuar sulmin e Hamasit më 7 tetor tha të martën se Kryeministri Netanyahu është përgjegjës për atë që e quajtën “dështimi më i madh i Izraelit dhe në historinë e këtij shtetit”.

Sipas kryetares së Komisionit Varda Alsheikh, qeveria e Izraelit, “dështoi në detyrën e saj kryesore” për të mbrojtur banorët e Izraelit.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

A mendoni se dhënia e 2 bonuseve për pensionistët këtë vit lidhet me fushatën elektorale?